ama

autoriteti.jpg
G. P.19:44 | 30/09/2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mbledhjen e tij të zhvilluar sot, më datë 30 shtator 2019, vendosi mbylljen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë dhe Durrës, në 01 tetor 2019, si dhe shtyrjen e afatit të kalimit në transmetimet numerike për qarkun Vlorë, deri në një datë të dytë që do të përcaktohet në vijim nga AMA.

“Bordi u njoh me masat e marra nga AMA gjatë kësaj periudhe për administrimin e procesit të kalimit në transmetimet numerike. Lidhur me pajisjen e popullatës me dekodera, nga të dhënat dhe informacionet e depozituara nga operatorë të ndryshëm tregtarë, ka rezultuar se në treg ka numër mëse të mjaftueshëm dekoderash, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Kujtojmë se qeveria në kuadër të këtij procesi ka shpërndarë 88 mijë dekodera falas për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. AMA gjatë vitit të fundit ka intensifikuar dhe diversifikuar fushatën e informimit të publikut duke e përcjellë atë nëpërmjet mediumeve të ndryshme informative”, thuhet në një njoftim të AMA-s.

Me kalimin në transmetimet numerike, AMA thotë se shikuesit kanë mundësi të ndjekin 38 kanale pa pagesë të cilat mund të shikohen nga të gjithë dekoderat e tipit DVB-T2, më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit. Mbulimi me sinjal numerik i territorit dhe cilësia e transmetimit përmes teknologjisë digjitale janë shumë herë më të larta krahasuar me teknologjinë analoge.

“AMA, pavarësisht se pjesa më e madhe e qytetarëve tashmë janë të pajisur me dekodera, fton qytetarët që nuk janë pajisur ende me këtë pajisje, të marrin masa për të mundësuar aksesin në transmetimet televizive numerike”, përfundon njoftimi i Autoritetit të Mediave Audiovizive./abcnews.al

gentian-sala.jpg
G. P.13:54 | 29/08/2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka anuluar fikjen në 1 Shtator të transmetimeve analoge, duke e shtyrë këtë proces edhe me 30 ditë. Me këtë vendim u jepet më shumë kohë qytetarëve, por dhe operatorëve audiovizivë, për t’u pajisur me aparaturat e nevojshme.

Autoriteti i Mediave Audiovizive anulon fikjen e sistemit analog të transmetimeve audiovizive në datën 1 Shtator. Pas një votimi unanim brenda autoritetit, kryetari Gentian Sala dha arsyet e kësaj vendimmarrjeje.

“Duke vlerësuar e faktin që në qarqet Durrës, Tiranë banon gjysma e popullsisë së Shqipërisë  me unanimitet bordi i AMA-s ka vendosur  shtyrjen e afatit të mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë me 30 ditë”, tha kreu i AMA-s.

Vendimi për të shtyrë me 30 ditë fikjen e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë AMA e ka marrë edhe pas një sondazhi të kryer. Kërkesa e Salës ishte si për qytetarët ashtu edhe për operatorët e transmetimeve.

“Ka rezultuar që ende një numër i lartë qytetarësh vazhdojnë të shikojnë në transmetimet analoge. Shtyrja me katër javë do u krijojë mundësi qytetarëve që të marrin masa që të përfitojnë nga shërbimet audiovizive dhe gjithashtu do u jepet mundësia operatorëve që të realizojnë në mënyrë sa më profesionale shitjen e këtyre aparaturave kundrejt qytetarëve”, tha Sala.

Një apel kreu i AMA e kishte edhe për qeverinë.

“T’i drejtohet qeverisë me kërkesë për ngritjen e menjëhershme të Komitetit Ndërinstitucional të Punës për ndjekjen e procesit të digjitalizimit, i cili nuk funksionon prej 2017-s për arsye që Ministria e Inovacionit që ekzistonte në atë kohë nuk është më në qeverinë e re të paszgjedhjeve”, tha Sala.

E diela e 1 shtatorit ishte përcaktuar si dita në të cilën do të bëhej kalimi nga sinjali analog në atë digjital për qarqet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, hap që do pasojë me vendosjen në masë të marrësve digjitalë DVB T2./ABC News Albania 24/7

osce_wien-1280x720.jpg
nev ila19:36 | 11/07/2019

Gjashtë ditë pas publikimit të amendamenteve në ligjin e medias nga këshilli i ministrave, reagon zyra e OSBE në Vjenë. Përfaqësuesi për lirinë e medias Harlem Desir thotë duhen të tjera përmirësime ligjore, krahas atyre të kryera nga qeveria, bazuar në konsultimet e muajve të fundit me OSBE-në.

Në analizën prej 17 faqesh OSBE ka renditur vërejtjet për ndryshimet që pësoi Ligji i Medias.

Harlem Desir përfaqësuesi për lirinë e medias për OSBE-në, është kritik ndaj rolit të Autoritetit të Medias Audiovizive AMA, në amendimet e fundit të këshillit të Ministrave.

“Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave të duhur vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur”.

OSBE ka publikuar një analizë ligjore të projektligjit, të kryer nga ekspertë të pavarur, në të cilën thuhet se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, e më tej i “ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit”, nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të shërbimeve audiovizive dhe rekomandon përjashtimin e tyre nga qëllimi i projekt ligjit.

Përfaqësuesi i medias në OSBE Dezir, kujton se bllokimi apo pezullimi i publikimeve online konsiderohet një masë ekstreme e shtetit ndaj të drejtës së lirisë së shprehjes, e se raste të tilla pranohen nga standardet ndërkombëtare vetëm kur ka shkelje shumë serioze të të drejtave të njeriut apo të parimeve demokratike, ose kur nuk mund të zbatohen masa të tjera.

Tre janë rastet, vëren OSBE, kur sipas ligjit mund të ndodhë nga AMA bllokimi i përkohshëm apo kufizimi i aksesit në internet.

“Pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt”.

OSBE vëren se duhet të krijohet mekanizmi i duhur i apelimit dhe rishikimit të masës para gjykatës, si mbrojtje për botuesit e vetë qytetarët. Në rastet e tjera, masa të tilla duhet të trajtohen nga gjykatat.

“Kompetencat e AMA-s, thotë OSBE nuk mund të shtrihen në trajtimin e çështjeve si shpifja.

Përfaqësuesi për lirinë e medias në OSBE shpreh gatishmërinë për të dhënë asistencë për këtë ligj të rëndësishëm e nënvizon rëndësinë që amendamentet mbi median duhet t’i nënshtrohen një kujton se është procesi publik e gjithëpërfshirës konsultimi me të gjithë profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe aktorët e tjerë relevantë vendas e ndërkombëtarë./ABC News Albania 24/7

ama.jpg
G. P.18:32 | 11/01/2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive njoftoi se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës shtyhet për në datën 1 Shtator 2019.

Në këto dy qarqe, ekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike. AMA sqaron se për familjet tashmë të pajisura me dekoder, vijojnë transmetimet dixhitale tokësore të cilat sigurojnë cilësi të lartë në 36 kanale televizive pa pagesë.

Ndërsa argumenton se kjo shtyrje afati erdhi për shkak se në qarqet Tiranë dhe Durrës është përqëndruar numri më i madh i banorëve dhe bazuar në të dhënat e deritanishme nga operatorët ekonomikë tregtarë, evidentohet se ende nuk është siguruar sasia e mjaftueshme e dekoderave të tipit DVB-T2.

AMA vijon të nxisë operatorët e tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve. Ndërkohë, AMA po finalizon zbatimin e procesit të dixhitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019./abcnews.al

Capture-3.jpg
G. P.19:38 | 12/09/2018

I ftuar në “Mbrëmje në ABC News” kreu i Autoritetit të Medias Audovizive Gentian Sala. Një diskutim mbi polemikat e ditëve të fundit në lidhje me ndërprerjen e transmetimeve analoge për zonën e Tiranës dhe Durrësit.

 

Sala u shpreh se do të bëhet një analizë problemesh, të cilat kërkojnë zgjidhje për rastin në fjalë. Sugjerohet që familjet të marrin dekodin përkatës dhe jo çdo dekoder pas disa prej tyre nuk e kryejnë shërbimin e nevojshëm. I pyetur nëse e gjithë gjullurdia e krijuar është një lojë për të krijuar fitim tek biznese ai tha:

“Patjetër dhe kompanitë duhet të fitojnë, por interesi i publikut duhet të jetë i pari. Publiku ka përfituar sasinë dhe cilësinë e kanaleve. Nuk ka patur monopol. E rëndësishme është të mos manipulohet me çmimet”.

Ndërsa për faktin se shumë prej njerëzve ankohen për pagesën prej 2500 mijë lekësh të vjetra të dekoderit, Sala rikujtoi se qytatarët duhet të kenë parasysh se me të njëjtin çmim që kanë paguar një kanal për TVSH-në me atë do të shohin 12 kanale.

“Mund ta adresojmë si problem, por nuk do e zgjidhim të vetëm”.

Tjetër pikë e diskutimit ishte dhe cilësia e dekoderave që gjithësecili do të ketë në familjen e tyre ku, sipas kreut të AMA-s, çmimet e dekoderave krahasuar me shtetet e tjera janë më të lira dhe dekoderat janë cilësorë.

“Nuk e drejtojmë qytetarin tek një platformë, duhet të jenë të lirë të zgjedhin”.

Se fundmi Sala shprehet optimist për situatën: “Me 15 janar të gjithë përmes dekoderit. Do shohim në qasje tjetër të informimit. Ky vendim është në konform me aktet ligjore të miratuara”./abcnews.al

vlcsnap-2018-09-11-15h56m39s820-1280x570.png
G. P.15:58 | 11/09/2018

Vendimin e ka përshëndetur edhe kryeministri Edi Rama.
“Përshëndes vendimin e autoritetit të pavarur për rindezjen e sistemit të vjetër të transmetimit televiziv. Zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri.”, shkruan kryeministri në Tuiter./abcnews.al

AMA-NDEZ-ANALOGET-1280x720.jpg
ent ela14:11 | 11/09/2018

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur që të shtyjë dixhitalizimin me katër muaj pas ankesave të shumta të qytetarëve prej ditës së djeshme, kur u fik sinjali në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit. Kreu i AMA-s, Gentian Sala deklaroi  se sinjali analog do të jetë aktiv deri në datë 15 Janar të vitit 2019.

Një ditë pas fikjes së sinjalit televiziv analog, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur ta rindezë atë. Transmetimet televizive në teknologjinë analoge do të vazhdojnë edhe për 4 muaj të tjerë, krahas atyre dixhitale. Kreu i AMA-s Gentian Sala, sqaroi se ky vendim u mor pas shumë ankesash nga qindra qytetarë që janë gjendur të papërgatitur për këtë ndryshim.

“Duke patur parasysh një interesim të pazakontë  të qytetarëve, gjë e cila ka sjellë një konfuzion për pajisjen me dekodera dixhitalë. Për të mos krijuar pakënaqësi kemi vendosur rindezjen e operatorëve për transmetime analoge. Kjo do të thotë që do vazhdojë bashkëoperimi i të dyve teknologjike njëkohësisht, si ajo dixhitale dhe ajo analoge”, tha Sala.

Fushata e informimit do të vazhdojë, theksoi kreu i AMA-s, pasi ka shumë kategori njerëzish që nuk janë të qartë në këtë drejtim.

“Ne mendojmë që gjëja më e mirë është që të shtyhet ky proces. Nuk ka të humbur nga ky proces, si nga qytetarët që e kanë blerë dekoderin mund të shohin më shumë kanale dhe qytetarëve që e kanë lënë në momentin e fundit këtë proces u lihet më shumë kohë për të blerë dekoderat”, u shpreh kreu i AMA-s.

Megjithatë Sala sqaroi se nuk do rindizen sinjale analoge të paautorizuara, por vetëm ato që janë të licencuara nga AMA.

“Nuk do të thotë rindezje e transmetimeve dixhitale të paautorizuara. Do të thotë vetëm rindezje e transmetimeve analoge të licensuara më parë nga AMA”, u shpreh Sala.

AMA u kujton qytetarëve në Tiranë dhe Durrës të pajisen me dekodera DVB-T2 deri më 15 Janar. Ndërkohë qytetarët që kanë blerë këtë dekoder dy ditët e fundit mund të vijojnë të shohin përmes tij transmetimet dixhitale në televizorët e tyre./abcnews.al

g-sala.jpg
G. P.20:11 | 10/09/2018

E hëna ishte dita e fundit për transmetimet analoge për zonën e Tiranës dhe Durrësit, që ka 1/3 e popullsisë së vendit. Kreu i AMA-s, Gentian Sala, tregoi gjatë një konference për mediat epersite e kësaj teknologjie transmetimi televiziv që mbulon aktualisht 70 % të popullsisë së vendit.

“Nga sot do të ketë të paktën 34 kanale pa pagesë për publikun shqiptar. Normalisht, këta persona që kanë mundësi ekonomike mund të zgjedhin mes platformave të ndryshme numerike. Kjo është arsyeja pse them që është një ditë e rëndësishme pasi ka më shumë larmi, më shumë cilësi, më shumë programe dhe më shumë larmishmëri për qytetarët shqiptarë. E rëndësishme është që nga sot të mos kemi më subjekte audio-vizive qofshin lokal, rajonal, kombëtar, që me mendjen e tyre vendosin antena ku të duan edhe si të duan, por kjo gjë të marrë fund si çdo vend europian”, tha Sala.

Për marrjen e sinjalit, çdo televizor që nuk ka marrësin tokësor DVB-T2, duhet të lidhet me dekoderin përkatës, të cilët tashmë gjenden në shitje në shumë pika në Tiranë dhe Durrës.

“Duhet të shkojnë nëpër pika të ndryshme për të blerë dekoderat. Pikat nuk janë pak. Të paktën ne kemi pesë pika të njohura që shesin dekodera DVB-T2. Mos të harrojmë që këto janë pesë si numër subjektesh, por secili ka një rrjet të tërë që ndan në Tiranë dhe Durrës. Pra është një numër i madh dyqanesh ku shërbehet për personat. Është normale që për një ditë, dy ditë, tre të ketë probleme të kësaj natyre”, u shpreh kreu i AMA-s.

Por 88 mijë familje me ndihmë ekonomike këto dekodera do t’i përfitojnë falas.

Ndihmë ekonomike është dhënë për të paktën 88 mijë qytetarë që është një numër jo i vogël krahasuar edhe me eksperiencat e vendeve të tjera të rajonit. Në çdo vend të Bashkimit Europian ndihmën ekonomike e ka mbuluar shteti siç ka ndodhur edhe në Shqipëri. Për personat e tjerë që janë jashtë kësaj kategorie, të kësaj skeme normalisht qytetarët duhet të paguajnë,” tha Gentian Sala.

Lidhur me shqetësimet e qytetarëve të cilët pretendojnë se nuk janë informuar për këtë ndryshim, Sala tha se prej një viti e gjysmë AMA ka njoftuar për kalimin nga transmetimi analog në ato dixhital.

“Qytetarët kanë mbi 10 vite që kjo procedurë do të vazhdojë, por informimi real i qytetarëve ka mbi një vit e gjysmë. Kjo është ajo që mund të bëjmë ne si Autoritet. Sigurisht ka një përqindje të vogël që mund të ketë paqartësi”, tha Sala.

Kreu i AMA-s, pohoi se dixhitalizimi pritet të kryhet brenda vitit 2018 në të gjithë vendin./abcnews.al

amama.jpg
G. P.15:29 | 07/09/2018

Autoriteti i Mediave Audiovizive rikujton se data përfundimtare e mbylljes së transmetimeve analoge në qarkun Tiranë dhe qarkun Durrës është data 10 Shtator 2018.

AMA i bën thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në këto qarqe të respektojnë afatin e përcaktuar.

Gjithashtu, të gjithë teleshikuesit që ndjekin transmetime televizive përmes teknologjisë analoge, duhet të pajisen me dekoder dixhital tokësor të tipit DVB-T2- Universal ose të jenë të pajisur me aparat televizori që ka të inkorporuar dekoderin e këtij tipi.

Në kushte të tjera, mbas datës 10 Shtator 2018 nuk do të mund të shihen më transmetime televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës./abcnews.al

Untitled-1-730x410.jpg
G. P.18:58 | 30/08/2018

Solidaritet ndaj gazetares Klodiana Lala ka shprehur edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Autoriteti i Mediave Audiovizive dënon me forcë sulmin me armë dhe i bën thirrje organeve kompetente të hetojnë dhe të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë.
Në radhë të parë si qytetare dhe në radhë të dytë si gazetare Klodiana Lala dhe familja e saj nuk duhet të ndihen të kërcënuar- nënvizohet në deklaratën e AMA-s./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono