alvini

LAJMET-DT-8-NENTOR-ORA-19.mpg_snapshot_07.03-1280x720.jpg
ent ela19:54 | 08/11/2019

Konsulli i nderit i Shqipërisë në Liban Marc Gorayeb ka hedhur dritë mbi operacionin e shpëtimit të Alvinit të vogël nga kampet siriane dhe vështirësitë që kanë hasur.

Në një lidhje të drepërdrejtë me skype në emisionin “Mbrëmje në ABC News” të Mirela Milorit, Gorayeb tregon se situata në Liban ishte e tmerrshme, ndërsa transporti në kufirin Liban- Siri ishte katastrofë.

“Situata në Liban ishte e tmerrshme dhe kishim një lloj revolucioni në vend, të gjitha rrugët ishin të zëna dhe transporti dhe kufiri Liban- Siri ishte një lloj katastrofe.

Kishim momente të komplikuara dhe operacione shumë të komplikuara gjatë situatës, me  ndërprerje rruge, digjeshin goma në rrugë dhe nuk ishte mundur të lëvizje nga një zonë në tjetrën dhe kështu kishte shumë faktorë që luanin rolin e tyre rreth e qark”.

Por Gorayeb thekson se çelësi i këtij suksesi sinkronizimi i të gjithë atyre që u përfshinë në këtë operacion, qën ia dolën të shpëtojnë Alvinin.

“Duke pasur parasysh unitetin e skuadrës ne mundëm me gjithë strukturën dhe sinkronizimin midis kanaleve që u përfshinë ne kishim mundësi ta realizonim këtë dhe të gjithë operacionin.

Ne jemi këtu dhe arritëm ta nxirrnim Alvin Berishën që të takonte babanë  e tij.

Çelësi i këtij sukesei ishte se ishim të bindur që u dorëzuan dokumentet e duhura nga pala tjetër. Në fillim ata nuk mund ta dorëzonin djalin, por pas negociatave me Francesko Rrokon dhe palët ata kërkuan një dokument që Alvin Berisha të na dorëzohej neve.

Pas kësaj unë fola me babain që është në Romë dhe gjatë natës i kërkuam me mbështejen e Ministrit Brendshëm dhe ai foli me amabsadorin e Shqipërisë në Romë dhe i dërguam Afrim Berishës në ambasadën e Shqipërisë në Romë. Nuk i kishim dokumentat e nënshkruara dhe konfirmuam te pala tjetër. Është fotoja ku ai nënshkruan dokumentin. Ne mundëm të dërgonim pasaportën e Afrim Berishës që ky është babai i këtij fëmije dhe ai u kërkoi autoriteteve që ta dorëzonin te kryqi i kuq. Ne mundëm ta shpëtonim jetën e Alvinit dhe të kthenim një faqe”.

Për konsullin shpëtimi i Alvinit është një detyrim si shqiptaro libanez, ndërsa njoftoi se si ai do të shpëtohen edhe të tjerë që kanë mbetur në Siri, por pa dhënë shumë detaje.

”Ky është detyrimi im si shqiptaro-libanez sepse Siria nën juridiksionin e saj nuk ka një konsullatë në Liban dhe ne nuk pranojmë që fëmijët tanë shqiptarë të jetojnë në jetë të tilla.

Diçka të rëndësishme. Është një model operacional e strategjik që Shqipëria e autoritete shqiptare që kishin ekspertizën tani pas shpëtimit të Alvin Berishës, ne do të bëjmë të njëjtin operacion për ata që kanë mbetur, por preferoj ta mbaj diskrete sepse kemi nevojë që të bëjmë veprime dhe jo vetëm të flasim”.

I pyetur se pse nuk ndërhyri ambasadori shqiptar në Turqi për këtë operacion, Gorayeb shprehet se ambasada në Turqi nuk ka juridiksion për të mbuluar Sirinë.

“Nuk e njoh ambasadorin në Turqi, ambasada në Turqi nuk ka juridiksion për të mbuluar Sirinë. Ai nuk mund të ndërhyjë në Siri, është shumë e thjeshtë. Është shumë e vështirë që të njohësh terrenin në Liban e Siri dhe praktika më e mirë që ne përdorim është që unë e njoh terrenin në Liban e Siri dhe kam të gjitha kanalet e duhura për të ndihmuar në këtë rast”.

Gjatë fjalës së tij konsulli falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në operacionin e shpëtimit të Alvinit të vogël.

“Dua të mbani në mendje se dua të falënderoja personalisht autoritetet italiane, Interpolin italian, forcat e sigurisë në Liban, shërbimin e sigurisë së shtetit në Liban, forcat e brendshme kryqin e kuq ndërkombëtar dhe gjysmëhënën e kuqe siriane, se ato kanë bërë një sinkronizim të mirë dhe më lejuan që të kishim një komunikim të mirë bashkë”.

Me rrënjë shqiptare nga Shkodra Gorayeb tha se do të mbështesë çdo shqiptar me gjithë fuqitë e tij.

“Jam nga Shkodra nga nëna dhe falë zot kam gjak shqiptar dhe falënderoj çdo shqiptar, vendi ynë është këtu dhe jam këtu për të mbështetur çdo shqiptar me gjithë fuqitë dhe lidhjet tona dhe falënderoj autoritetet shqiptare që më kanë dhënë këtë autorizim për të bërë këtë punë”. /abcnews.al

 

126e3143-c1e6-40ef-a208-c895cfd50bd3.jpg
ent ela19:22 | 07/11/2019

“Kthimi i Alvinit në shtëpi është një nga ato histori që të mbush zemrën”. E nis kështu reagimin e tij për lirimin e fëmijës shqiptar nga kampi sirian “Al Hol”, kryeministri italian Giuseppe Konte.

“Fëmija shqiptar, për vite me radhë në një kamp refugjatësh në Siri, në orët e ardhshme më në fund mund të ripërqafohet nga babai i tij i cili po e pret atë në Itali”– shprehet Conte.

Për kryeministrin italian, Alvini në pak orë do të jetë i lirë për të jetuar fëmijërinë dhe për të ndërtuar të ardhmen larg luftrave dhe bombave.

“E keqja për Alvinin tashmë është lënë pas shpatullave të, në pak orë ai do të jetë i lirë. I lirë për të jetuar fëmijërinë e tij, të luajë përsëri, të imagjinojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij. Pa kufizime dhe larg bombave, luftërave, fanatizmit”.

Kreu i qeverisë italiane shpreh falënderimet për të gjithë ata që ndihmuan në lirimin e vogëlushit. Ai thekson se e ka ndjekur personalisht këtë çështje, duke u informuar vazhdimisht dhe duke qenë në kontakt me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Kjo është arsyeja pse unë shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë autoritetet italiane dhe shqiptare, për organizatat humanitare, për ata që kanë bashkëpunuar për këtë operacion kompleks, në një teatër aq të vështirë sa ai sirian. Faleminderit edhe për ato media që kthyen në qendër të vëmendjes historinë e Alvinit të vogël.

Qeveria italiane ka bërë gjithçka që është e mundur për lirim e tij. Unë personalisht ndoqa vijimësinë e kësaj çështjeje, duke u informuar vazhdimisht dhe duke qenë në kontakt me kryeministrin shqiptar Edi Rama”.

Një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm i diplomacisë por mbi të gjitha i bashkëpunimit ndërkombëtar, falë rolit të çmuar të luajtur nga Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe italiane dhe ndërhyrja vendimtare e policisë speciale dhe departamenteve të karabinierisë”. /abcnews.al

alvin-berisha-1-1-1024x768.jpg
Autor E17:37 | 05/11/2019

11 vjeçari me origjinë shqiptare Alvin Berisha sipas burimeve te besueshme është shpetuar nga kampi -burg, “Al Hol”, në verilindje të Sirisë. Mësohet se ai tashmë ndodhet në një vend të sigurt, por ende nuk ka dalë nga Siria.

Burimet i thane “Abc News” se shpetimi i vogelushit u be i mundur nga “Kryqi i Kuq nderkombetar” dhe “Gjysmehena Siriane”.

Ndërkohë, përmes disa komenteve të bëra në profilin e tij të Facebook-ut, babai i Alvnit, Afrim Berisha thekson se ende janë në negociata me forcat kurde për ta nxjerrë djalin nga zona e kontrolluar prej tyre.

Ndërkohë që të afërmit dhe miqtë e përgëzojnë në Facebook për shpëtimin e djalit ai shprehet se nuk ka mbaruar ende çdo gjë, pasi po presin disa dokumente që ushtria kurde ta lejojë Alvinin të dalë prej zonës së kontrolluar prej tyre.

alvin-berisha-1-1-1024x768.jpg
ent ela10:12 | 30/10/2019

Rajoni i Ligurias në Itali merr përsipër të mundësojë rikthimin e Alvin në Itali. Asambleja e përgjithshme miratoi krijimin e një këshilli që do të nisë procedurat në ministrinë e jashtme italiane. Do të mundësohet dhe krijimi i një dialogu mes ambasadës italiane dhe asaj shqiptare në Turqi, si vendi më i afërt me Sirinë ku mbahet i bllokuar Alvin.

Asambleja e përgjithshme e Ligurias në Itali miratoi në mënyrë unanime propozimin e zëvendës kryetarit Paolo Ardenti dhe të këshilltarit Alesandro Puxhioni të Legës për të risjellë në Itali, Alvin, fëmijën shqiptar që mbahet në një kamp burg në Siri.

Të dy iniciatorët shpjeguan se në dhjetor të 2014-ës, Alvin, i lindur në Itali dhe banues në provincën e Lekos, u rrëmbye nga nëna e tij në moshën 6 vjeçare dhe u çua në Siri për t’u bërë pjesë e ISIS.

Në fund të muajit qershor Kryqi i kuq i dorëzoi letrën e Alvin babait të tij, i cili jeton në Itali, ku ai kërkon të rikthehet në Itali.

Disa ditë më parë çështja ishte dhe në qendër të një reportazhi të Le Iene të Mediaset, të cilët e gjetën Alvin në një kamp burg për terroristë të lidhur me Isis dhe që kontrollohej nga kurdët.

Pavarësisht se fëmija u gjet, ka shumë problematika burokratike dhe diplomatike që e ndalojnë babain e tij ta marrë me vete djalin.

Alvin është shtetas shqiptar, por ka lindur dhe është rritur në Lombardi ku jetojnë babai dhe motrat e tij

Jetim nga nëna ai jeton i vetëm në kampin në Siri, me një luftë tjetër për t’u përballur dhe pasoja rënda psiko – fizike për të ardhmen.

Për këtë arsye me miratimin e kësaj iniciative, Rajoni i Ligurias do të jetë përfaqësuese në ministrinë e jashtme italiane për të bërë të mundur që të bëhet gjithçka që kjo situatë dramatike të zgjidhet. Kjo duke mundësuar dialogun diplomatik mes ambasadës italiane dhe shqiptare në Turqi, si vendi më i afërt me Sirinë ku mbahet fëmija. /abcnews.al

edi-ramaa.jpg
ad min16:29 | 22/10/2019

7 deputetë të opozitës i kanë kërkuar një interpelancë urgjente Edi Ramës si ministër i Jashtëm, për të dhënë shpjegime për rastin e 11 vjeçarit Alvin Berisha që ka ngecur në kampet kurdë në Siri. Iniciatori Andi Përmeti thotë se mjafton vetëm vullneti i qeverisë, për ta kthyer vogëlushin në shtëpi.

Alvini do të zbresë në parlament. Historia e 11-vjeçarit të ngecur në kampet kurde në Siri, ka nxitur deputetin e opozitës së re Andi Përmeti, të kërkojë një interpelacë me Ministrin e Jashtëm për këtë çështje.

Deputeti që ka marrë edhe mbështetjen e 6 deputetëve të tjerë, kërkon shpjegime për rastin e Alvin Berishës, që ndodhet i vetëm në kampet e Sirisë.

Deputeti thotë se rasti i bërë publik nga emisioni italian “Le Iene”, tregonte  qartazi qe mjaftonte vetëm vullneti i shtetit shqiptar për të rikthyer Alvinin pranë familjes.

“Një rast i cili nuk mund të lihet në heshtje. çdo prind duhet të vendosë veten në vendin e Afrimit dhe duhet t’i kërkojë llogari qeverisëse çfarë masash po merr në rastin konkret dhe sa kohë do t’i duhet Alvinit të bashkohet me familjen”.

Në deklarimet e tij pas emisionit, kryeministri Rama është shprehur se rasti i Alvinit apo të ngjashme me të, janë komplekse dhe jo të thjeshta, por qeveria po punon me partnerët për të gjetur zgjidhje.

Teksa detyrat e Ministrit të Jashtëm i kryen Gent Cakaj, interpelacën në parlament si Ministër duhet ta mbajë vetë Edi Rama, pasi ën mungesë të dekretit presidencial, Cakaj nuk ka hyrë kurrë në sallën plenare./ABC News Albania

alvin.jpg
Autor E14:24 | 19/10/2019

Babai i Alvin Berishës, 11-vjeçarit të zhdukur në Siri ka bërë një letër publike, ku i kërkon shtetit dhe çdokujt që ta ndihmojë në gjetjen dhe kthimin e tij në shtëpi.

Ai shprehet se koha kalon dhe nëse i ndodh diçka të birit do të kërkojë llogari.

“Institucionet kompetente shqiptare janë në dijeni të kësaj situate dhe po punojnë për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri. Kemi besim të plotë tek puna që po bëjnë si për Alvinin, si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Siri. Kemi besim dhe shpresë që nëse të gjithë bëjnë punën e tyre, Alvini do kthehet së shpejti. Por jemi edhe të shqetësuar, sepse lufta në Siri po ashpërsohet dhe koha nuk premton.”, shkruan babai në letër.

Letra e plotë

Alvin Berisha është një fëmijë shqiptar i cili aktualisht ndodhet në Siri pranë kampit Al Haël.

Në vitin 2014, kur ishte vetëm 5 vjeç, Alvini është çuar në Siri nga e ëma, pa dijeninë e babait. I ati, Afrim Berisha, nuk ka kaluar ditë pa e kërkuar. As lufta, as frika, as largësia, as pengesa ekonomike e as ISIS nuk e kanë ndaluar, me bindjen e me dashurinë që vetëm një baba mund të ketë. Pas pesë vitesh, në 25 shtator 2019, e ka gjetur Alvinin në kamp, e ka përqafuar fort dhe i ka premtuar që tani nuk do ndaheshin më. Por forcat kurde që ruajnë kampin nuk e kanë lejuar që ta marrë me vete, sepse për këtë duhet që aprovimi të kërkohet dhe të merret nga Shteti shqiptar.

Alvini është vetëm 11 vjeç, Alvini është i plagosur e ka nevojë për mjekim urgjent, Alvini është i vetmuar, Alvini është i trembur, Alvini duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.

Institucionet kompetente shqiptare janë në dijeni të kësaj situate dhe po punojnë për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri. Kemi besim të plotë tek puna që po bëjnë si për Alvinin, si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Siri. Kemi besim dhe shpresë që nëse të gjithë bëjnë punën e tyre, Alvini do kthehet së shpejti. Por jemi edhe të shqetësuar, sepse lufta në Siri po ashpërsohet dhe koha nuk premton. Në Al Haël ndodhen plot 73.000 veta që jetojnë në një situatë të tmerrshme, e kjo na tremb. Nëse sot e bëjmë dhimbjen tonë publike, e bëjmë këtë vetëm për t’ju lutur kujtdo mund të na ndihmojë, që të na ndihmojë: duke punuar më shpejt, duke na dhënë informacione mbi gjendjen e Alvinit, duke na mbështetur qoftë edhe me një fjalë të mirë.

Sot lutemi e kërkojmë ndihmë. Nesër, larg qoftë i ndodh diçka Alvinit, do kërkojmë llogari.

Me respekt
Afrim Berisha
Avv. Darien Levani

Celulari shqiptar: 00355 06933447510
Celulari italian: 0039 3295327386
Mail: info@darienlevani.com

Alvin Berisha u bë i njohur nga emisioni “Le Iene” pasi nëna e kishtë marrë kur ishte vetëm gjashtë vjeç për ta çuar në Siri.

Afrim Berisha, babai i tij ka pesë vite që e kërkon dhe nëpërmjet emisionit “Le Iene”, e gjeti të birin në Siri.

Por Alvini ka mbetur sërish në kampet e ISIS për shkak të procedurave.

alvini.jpg
ad min16:18 | 18/10/2019

Autoritetet shqiptare i përgjigjen me heshtje, interesimit të Abc News lidhur me këtë rast. As ambasadori shqiptar në Turqi, e as drejtues të Ministrisë së Jashtme nuk dhanë asnjë reagim. Ndërkaq, pak ditë më parë Ministria e Jashtme turke u shpreh e gatshme për të bashkëpunuar me vendet e origjinës për kthimin e grave dhe fëmijëve në atdhe.

Pas transmetimit të historisë së 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha që po mbahet në kampet – burg në Siri nga emisioni investigativ “Le Iene” Abc Neës kërkoi një pergjigje për ngjarjen nga institucionet shqiptare.

I pari me të cilin tentuam të flisnim ishte ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli. Pavarësisht insistimit tonë përfaqesusi i Tiranës zyrtare në Ankara nuk iu përgjigj telefonatave. Në mungesë të një reagimi kërkuam një shpjegim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Zyra e shtypit nuk na komunikoi një përgjigje zyrtare. Drejtori për Çështjet e Rajonit Ilir Melo na drejtoi tek Drejtoria e Çështjeve Konsullore. Ndërsa drejtoresha e kësaj drejtorie, Venera Domi na tha të flisnim me drejtuesin e Drejtorisë së Çështjeve Diplomatike.

Në kushtet kur drejtuesit kryesorë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme ia kalonin përgjegjësinë njëri-tjetrit ABC News kontaktoi drejtpërdrejt ministrin në detyrë, Gent Cakaj.

Heshtja ishte përgjigja që morëm edhe prej tij. Një shpjegim për mungesën e një përgjigje nga autoritet shqiptare duket se e jep gazetari i emisionit investigativ “Le Iene”.

Ndërkohë që institucionet shqiptare refuzojnë të shpjegojnë se çfarë po bëjnë për të kthyer në Shqipëri personat që mbahen në kampet – burg në Siri, ministria e Punëve të Jashtme turke ka reaguar zyrtarisht për këtë çështje gjashtë ditë më parë.

I pyetur për fatin e të arrestuarve të DAESH dhe familjeve të tyre në kuadër të operacionit “Pranvera e Paqes” zëdhënësi Hami Aksoy në dekaratën që mban datën 12 Tetor; nder të tjera theksoi se;

“Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku me vendet e origjinës dhe organizatat ndërkombëtare për rehabilitimin e bashkëshortëve dhe fëmijëve që nuk kanë qenë të përfshirë në krime të kryera nga luftëtarë të huaj terroristë të lidhur me DEASH. Nga ana tjetër, duhet pranuar se zgjidhja e qëndrueshme për këtë çështje është riatdhesimi, ndjekja penale dhe rehabilitimi nga vendet e origjinës së të gjithë luftëtarëve të huaj terroristë dhe familjeve të tyre të arrestuar në Siri”.

73 janë shqiptarët që sipas Tiranës zyrtare jetojnë brenda rrethimit të kampit të të burgosurve “Al Hol” të Sirisë. Shumica prej tyre gra dhe fëmijë./ABC News Albania


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono