aleksis tsipras

tsiprasi.jpg
G. P.20:31 | 06/02/2019

Mediat greke kanë raportuar gjerësisht për takimin e kryeministrit Aleksis Tsipras me presidentin turk Erdogan në Ankara. Pjesa më e madhe e konsiderojnë si një takim jofitimprurës, por gjithsesi si një hap para në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mundet që takimi Erdogan-Tsipras të mos ketë prodhuar rezultate impresionuese. Por ajo që konsiderohet e rëndësishme është se u ra dakord që të rifillojnë negociatat dypalëshe për ndërtimin e masave të besimit, një proces që ishte ndërprerë pas tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, në Korrik 2016.

Këtë element ka veçuar media greke, kryesisht ajo pjesë që konsiderohet si relativisht e pavarur. Ndërsa shtypi opozitar ka përdorur gjerësisht fjalën me origjinë turke “Pazar”, në titujt dhe komentet rreth takimit të djeshëm në Ankara. Kjo pjesë e konsideron takimin Erdogan-Tsipras si “një humbje tjetër të Greqisë” në rivalitetin me Turqinë. Ndërsa mediat pranë qeverisë, konsiderojnë se pati “një dialog të sinqertë”, apo se u vendos një ristartim në marrëdhëniet dypalëshe.

Në kohën që qeveria e konsideron vizitën e kryeministrit Tsipras si një “ristartim të axhendës pozitive midis Greqisë e Turqisë, pas një periudhë përkeqësimi”, bën përshtypje se partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ende nuk është shprehur rreth takimit Erdogan-Tsipras. Kryetari i kësaj partie, Kiriakos Mitsotakis, kishte deklaruar dje, para mbërritjes së zotit Tsipras në Ankara, se “jam i shqetësuar për rezultatet”. /abcnews.al

tr-7.jpg
G. P.17:45 | 05/02/2019

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, takohet pasditen e së martës me Presidentin turk Erdogan në Ankara, në kuadër të vizitës dy ditore në Turqi, por diplomatët grekë nuk kanë pritshmëri  të larta pas këtij takimi

Sipas burimeve, skenari më I mirë do të ishte deklarata e përbashkët për rinisjen e bisedimeve për ndërtimin e besimit mes dy vendeve. Përveç marrëdhënieve dypalëshe, Tsipras dhe Erdoan pritet të bisedojnë dhe për Qipron.

Ka ende shqetësime për sa i përket aktiviteteve turke në Mesdheun lindor, në rritje javët e fundit. Një tjetër çështje diskutimi pritet të jerë dhe ajo e tetë oficerëve turq që u strehuan në Greqi pas dështimit të grushtit të shtetit në vitin 2016./abcnews.al

zaev-and-tsipras.jpg
G. P.13:02 | 26/01/2019

Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës së fundmi dhe në parlamentin grek, duke konfirmuar lindjen e Maqedonisë së Veriut, u përshëndet nga liderë të ndryshëm ndërkombëtarë. Tashmë kryeministrat Tsipras dhe Zaev janë kandidatë për çmimin Nobel për Paqen.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev janë emëruar për çmimin Nobel të Paqes 2019.

Liderët e grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian, grupi i kryesuar nga Udo Bullmann i të Gjelbërve, Aleanca e Lirë Europiane dhe e majta e bashkuar europiane dhe e majta e gjelbër nordike shprehën mbështetjen e tyre pro kësaj kandidature. Lajmi raportohet nga agjencia e lajmeve ANA duke iu referuar burimeve ekskluzive.

Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga tre partitë theksohet se “Marrëveshja e Prespës” mes Greqisë dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) i jep fund një mosmarrëveshje të gjatë dhe sjell qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor./abcnews.al

greqia.jpg
G. P.14:58 | 17/01/2019

Shkupi ka dërguar në Athinë notën verbale ku konfirmohen ndryshimet kushtetuese të miratuara në parlamentine vendit. Tashmë është radha e Athinës që të hedhë në votim Marrëveshjen e Prespës.

Pas marrjes së votëbesimit për qeverinë, të mërkurën në mbrëmje, Aleksis Tsipras tashmë e ka rrugën të hapur për votimin e marrëveshjen me Maqedoninë. Është momenti kur shpallet rezultati i procedurës për dhënien e votëbesimit qeverisë.

151 votat në favor të kabinetit qeveritar të kryeministrit Tsipras ishte një zhvillim i pritshëm. Ndërkaq, ishte tjetër lajmi interesant që doli mbrëmjen e të mërkurës. Në Athinë ka mbërritur nota verbale nga Shkupi, me të cilën informohet qeveria greke mbi finalizimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri grek, Aleksis Tsipras, nga tribuna e parlamentit, duke u fokusuar në dy shënime në fund të notës:

“Çfarë sqarojnë fqinjët tanë? Së pari, nocioni nationalit i referohet ekskluzivisht nënshtetësisë dhe nuk përcakton kombësinë. Dhe e dyta, se gjuha e fqinjëve tanë siç është njohur nga konventa e OKB në 1977, i përket grupit të gjuhëve sllavike të jugut”.

Tsipras iu referua këtyre sqarimeve, në përgjigje të deklaratës së liderit të opozitës, Kyriakos Mitsotakis, që e ndërlidhi votëbesimin e qeverisë me votimin e marrëveshjen e Prespës.

Mitsotakis: “Dua të jem absolutisht i qartë: Kush i jep votëbesimin qeverisë, voton “po” edhe për Marrëveshjen e Prespës, që përbën një lëshim të madh kombëtar”.

Më herët, Tsipras ka thënë që sapo të mbërrinte nota verbale e Shkupit do të niste procedura e votimit edhe në parlamentin grek. Përkundër 151 votave të dhëna të mërkurën për mbijetesën e qeverisë, marrëveshja e Prespës ka shumë gjasë që të votohet edhe nga 3-4 deputetë të tjerë, siç ata kanë lënë të kuptohet, në deklaratat e tyre të deritanishme./abcnews.al

KAMENOS-REAGIMI-1280x594.jpg
G. P.11:17 | 17/01/2019

Lideri i “Grekët e Pavarur” dhe ish-partner në koalicionin qeverisës në Greqi, Panos Kamenos, këmbënguli dhe njëherë në qëndrimin e tij kundër Marrëveshjes ë Prespës.

Gjatë fjalës së tij në parlament, në debatet për para votëbesimit të qeverisë së kryeministrit Aleksis Tsipras, Kamenos përsëriti se nuk është dakord me  emrin e zgjeruar me përcaktim gjeografik me termin Maqedoni.

Ai kërkoi që të mbahet menjëherë një referendum për marrëveshjen e arritur mes Athinës dhe Shkupit./abcnews.al

TSIPRAS-DEKLARATA-1280x609.jpg
G. P.11:34 | 14/01/2019

Kryeminisitri grek, Aleksis Tsipras, ka këmbëngulur se vendi I tij nuk do të tërhiqet nga Marrëveshja e Prespës dhe finalizimi i procesit. Ai u kërkoi qytetarëve grekë që pavarësisht bindjeve politike ta mbështesin atë.

Athina nuk do të tërhiqet nga Marrëveshja e Prespës dhe do t’i shkojë deri në fund procesit të realizimit të saj, njësoj si vendi fqinj. Ka qenë kjo deklarata e Kryeministrit të Greqisë, Aleksis Tsipras, në konferencën për shtyp për marrëveshjen në fjalë, vetëm disa orë pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes Kamenos nga koalicioni qeverisës.

Kreu i ekzekutivit grek dhe njëherë më shumë uroi homologun Zoran Zaev, duke shtuar se me arritjen e kësaj marrëveshjeje Greqia është çliruar nga logjika e nacionalizmit për një çështje kaq delikate kombëtare. E njëjta gjë sipas tij ka ndodhur dhe nga ana e tjetër e kufirit.

Tsipras u tha qytetarëve grekë se ai dhe qeveria e tij nuk do të tërhiqen nga marrëveshja dhe se grekët pavarësisht bindjeve politike duhet ta mbështesin këtë proces./abcnews.al

aleksi-tsipras.jpg
G. P.22:55 | 09/01/2019

Për Marrëveshjen e Prespës ka folur edhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras, gjatë një interviste televizive. Shefi i qeverisë greke tha se Marrëveshja e Prespës do vijë në parlamentin grek brenda muajit Janar, sapo të përfundojë procedura e miratimit nga Shkupi.

Tsipras tha se Marrëveshja është një problem i pazgjidhur, për shkak të inercisë së qeverive. Eshtë një arritje për politikën e jashtme të vendit. Arritja jonë e dytë më e rëndësishme, është pozicioni që Greqia ka fituar në arenën ndërkombëtare, pas daljes së vendit nga programi i shpëtimit, deklaroi Tsipras.

I pyetur se çfarë do bëjë nëse grekët e pavarur largohen nga qeveria, kryeministri Tsipras tha se do të kërkojë votëbesim nga parlamenti. E në rast se nuk do e sigurojë dot atë, ai do të shpallë zgjedhje të parakohshme./abcnews.al

takimi.jpg
G. P.20:54 | 09/01/2019

Angela Merkel nis nesër një vizitë dy ditore në Athinë, ku do të takohet me presidentin e vendit dhe kryeministrin Tsipras. Mediat greke raportojnë se një nga temat kryesore të bisedimeve do të jetë dhe marrëveshja e arritur mes Athinës dhe Shkupit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbërrin të enjten në Athinë, në vizitën e parë të saj në kryeqytetin helen që nga pranvera e 2014-s, në prag të zgjedhjeve për në Parlamentin Europian. Atëherë, kryeministri i sotëm, Aleksis Tsipras, ishte kundërshtari më i vendosur i Merkel dhe ministrit të atëhershëm të Financave, Volfgang Schauble, të cilët i identifikonte me masat shtrënguese që sipas tij Berlini i impononte Greqisë, në betejën për daljen nga kriza.  Në një nga tubimet elektorale, Tsipras kishte thënë frazën që mbeti e paharruar, sidomos për kundërshtarët e tij.

“Kthehu mbrapa, zonja Merkel! Kthehu mbrapa zoti Schauble!… Greqia nuk është kavie për eksperimente…”.

Por pas ardhjes në pushtet, Tsipras gradualisht u shndërrua në një partner të rëndësishëm e të besueshëm për kancelaren gjermane. Në këtë transformim luajti padyshim rol pragmatizmi i kryeministrit majtist radikal, që zbatoi me përpikmëri programin e tretë të shpëtimit, me masa shumë të ashpra. Por po aq i rëndësishëm ishte vendimi i Merkel që t’u hapë dyert refugjatëve sirianë, gjë që shkaktoi zemërimin e populistëve të djathtë në Gjermani. Në betejën e kancelares për mbijetesë politike, Tsipras u dëshmua një aleat plot kredibilitet, duke pranuar marrëveshjen me Turqinë në Maj të 2016-s dhe duke mbështetur iniciativat e Merkel për një zgjidhje europiane në krizën e refugjatëve. Tsipras është pritur disa herë në Berlin, me nderime të mëdha.

E njëjta pritje mendohet se do t’i rezervohet tashmë edhe zonjës Merkel në Athinë. Një pritje që parashikohet të jetë krejt e ndryshme nga sa në vizitat e mëparshme. Atëherë kur prania e kancelares gjermane në kryeqytetin helen i vinte zjarrin zemërimit mbarëpopullor. Angela Merkel mbërrin në Athinë pasditen e të enjtes, kur do të takohet me kryeministrin Tsipras. Të premten, kancelarja gjermane do të pritet nga presidenti i Republikës, Prokopis Pavlopulos dhe pastaj do të takohet me kryetarin e demokracisë së re të opozitës, Kyriakos Mitsotakis.

Burime diplomatike në Athinë thanë se kancelarja Merkel vjen me një synim të dyfishtë. Së pari për të përcjellë një mesazh vlerësimi ndaj përpjekjeve të Greqisë pas finalizimit të programit të shpëtimit. Dhe së dyti, t’i ofrojë mbështetje kryeministrit Aleksis Tsipras, në prag të procedurës parlamentare për votimin e marrëveshjes së Prespës edhe në parlamentin grek. Të njëjtat burime shtuan se jo më kot Merkel vjen në Athinë 24 orë pasi në parlamentin maqedonas fillon faza përfundimtare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese./abcnews.al

servia-dhe-greqia.jpg
G. P.22:27 | 21/12/2018

Gjatë një vizite në Beograd, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka kritikuar lëvizjet e fundit të Prishtinës zyrtare ndaj Serbisë. Megjithatë, në takimin me presidentin Vuçiç, Tsipras e ka ftuar atë që të vijojë të ndjekë kursin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka kritikuar Kosovën në Beograd, duke thënë se veprimet e fundit vetëm nxisin tensionet. Në të njejtën kohë, njeriu që arriti marrëveshjen me Maqedoninë ka thënë se inkurajon Serbinë që të mos heq dorë nga kërkesa për një zgjidhje me Kosovën, pasi kjo do të ndihmonte shumë. Në takimet bilaterale me presidentin serb Aleksandër Vuçiç është vlerësuar se Ballkani ka nevojë për tejkalimin e problemeve.

Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë: “Kemi folur për ngjarjet e fundit aspak të këndshme në Kosovë. Këto nisma nuk e ndihmojnë rajonin, por e destabilizojnë atë. Presidenti Vuçiç dhe qeveria kanë një detyrë të vështirë, por Serbia nuk duhet të dalë nga kursi i nisur dhe të heqë dorë nga zgjidhja. Mund të ketë pakënaqësi tek serbët për shkak të emocioneve, por kjo është perspektiva për stabilitet në rajon. I kritikoj veprimet e Prishtinës”.

Presidenti serb theksoi se zgjidhja duhet gjetur para se ndonjë zgjidhje e gabuar t’i paraprijë problemit të Kosovës. Vuçiç theksoi se është e nevojshme të normalizohet situata.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Kemi patur një qasje të përmbajtur dhe racionale, pasi vetëm kështu mund të sillemi. Shpresoj që BE dhe SHBA të bëjnë presion për taksën dhe që situata të normalizohet, në mënyrë që të kthehemi në bisedime. Nuk kemi shumë shpresë tek shqiptarët e Kosovës pas këtyre veprimeve, por duhet ta provojmë”.

Takimi Vuçiç-Tsipras ndodh një ditë para takimit me liderët e Bullgarisë dhe Rumanisë, një katërshe e shteteve që tashmë duan ta ndihmojnë njëra-tjetrën./abcnews.al

tsiprasss.jpg
G. P.13:10 | 09/11/2018

Aleksis Tsipras, kryeministri i Greqisë u shpreh i bindur se Marrëveshja e Prespës e arritur me Shkupin, do të miratohet në parlamentin grek. Kreu i qeverisë greke theksoi se kjo marrëveshje është në favor të vendit.

Ndërsa në Greqi vijojnë debatet në pritje të votimit të marrveshjes me Maqedoninë në parlamentin e vendit, sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe e opinionit publik e mbështet atë. Ideja e krijuar është se Marrëveshja e Prespës është në favor të vendit pavarësisht nga mosmarrëveshjet që ekzistojnë. Kryemistri i Greqisë Aleksis Tsipras, në një intervistë për mediat në vend u shpreh i bindur se marrëveshja do të marrë shumicën e kërkuar në Parlamentin grek.

“A ekziston mundësia të mos kalojë? Ju ftoj të vëmë bast për këtë.”

Në këtë mënyrë, Tsipras i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ratifikimin e Marrëveshja së Prespës. Tsipras shpjegoi se Marrëveshja është në favor të vendit dhe theksoi se nëse kreu i Demokracisë së Re Kiriakos Mitsotakis do t’i lejonte deputetët të votonin, atëherë shumica do të ishte edhe më e madhe./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono