Aleksandër Vuçiç

vucicthaci.jpg
nev ila20:45 | 20/01/2020

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaci dhe Aleksander Vuçiç do të jenë të martën në Davos ku do të marrin pjesë në një panel diskutimesh. Vuçiç ka thënë se pret shkëmbim argumentesh, por edhe një ton të civilizuar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, udhëtoi për në Zvicër ku do të marrë pjesë në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit.

Thaçi do të jetë pjesëmarrës në panelin “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor” dhe gjatë ditës do të ketë takime bilaterale edhe me liderë të ndryshëm shtetesh që po marrin pjesë në këtë forum.

Thaçi do të jetë i pranishëm edhe në adresimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar liderëve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Në Davos do të jetë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili, sipas mediave serbe, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në një panel në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të martën me Hashim Thaçin.

Vuçiç ka thënë se pret shkëmbim argumentesh, por edhe një ton të civilizuar.

I pyetur se çfarë pret nga ai takim, Vuçiç tha se do të jetë një takim interesant.

“Ne do të shohim atë që thotë ai, dhe unë do të vazhdoj të përfaqësoj interesat e Serbisë,”  tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se ai, me siguri nuk është i entuziazmuar kur e sheh Thaçin, por se detyra e tij është të përfaqësojë Serbinë dhe të luftojë për interesat e saj, dhe se njerëzit nuk e zgjodhën atë president që ai të ishte i bukur, por për të zgjidhur problemet dhe për të luftuar për vendin e tij.

“Unë pres një shkëmbim argumentesh, i cili nuk do të jetë as i lehtë, por besoj se me një ton të civilizuar, ne do të jemi në gjendje ta bëjmë atë,” tha Vuçiç./abcnews.al

vucic-kon.jpg
nev ila16:26 | 17/01/2020

Presidenti serb Aleksandër Vucic, i cili u takua në Beograd me anëtarin serb të presidencës tre-krerëshe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, tha pas takimit se kishin diskutuar cështjen e amendimit apo ndryshimit të marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në këtë vend.

“Përveç marrëdhënieve serbo-shqiptare, marrëdhëniet Serbi-Kroaci janë thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon “, tha Vuçiç.

“Marrëveshja e Dejtonit ka një rëndësi të madhe historike, sepse ajo ishte zgjidhja e vetme e mundshme në të cilën të gjithë humbën dhe fituan pak, kështu që vetëm një marrëveshje e tillë mund të ruajë paqen në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës. Serbia do të respektojë atë që populli serb, posaçërisht në Bosnje-Hercegovinë, vendos. Asnjë plan dhe ide e re nuk mund të zbatohet pa pëlqimin e të tre kombeve “, theksoi presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili u takua në Beograd me anëtarin serb të presidencës tre-krerëshe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.

Vuçiç tha pas takimit se kishin diskutuar çështjen e marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në këtë vend.

Kur u pyet nëse Serbia dhe Republika serbe e Bosnjës kanë ndonjë plan nëse intensifikohen bisedimet për rishikimin e marrëveshjes së Dejtonit, dhe nëse Kroacia ka fuqinë të ngrejë çështjen e rishikimit të Marrëveshjes së Dejtonit, Vuçiç tha për dikë që e njeh mirë situatën në rajon, kjo nuk do të ishte  në interesin e Kroacisë.

Vuçiç tha se nuk shihte se çfarë interesi mund të kishin në heqjen e të drejtave të popujve dhe entiteteve, por nuk përjashtoi mundësinë për një interpretim ndryshe nga kroatët.

Presidenti serb tha se çdo ndryshim dhe amendim i marrëveshjes së Dejtonit duhet të marrë pëlqimin e popullit serb dhe të republikës serbe të Bosnjës.

“Nëse nuk ka pëlqim të popullit serb dhe Republikës serbe të Bosnjës, nuk ka asnjë ndryshim“, përfundoi ai.

Vuçiç theksoi gjithashtu rëndësinë që i jep Beogradi marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe marrëdhënieve Serbi-Kroaci, sic u shpreh ai.

“Përveç marrëdhënieve serbo-shqiptare Marrëdhëniet Serbi-Kroaci janë thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon “, tha Vuçiç.

Ndërkohë, përfaqësuesi i republikës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik tha se:

“Serbia është garantuesi i Marrëveshjes së Dejtonit” dhe se “pa Republika Srpska, nuk ka asnjë ndryshim në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit”./abcnews.al

vucic-kisha-1280x738.jpg
nev ila17:49 | 06/01/2020

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaron se Serbia nuk mund të ndikojë tek autoritetet e Malit të Zi lidhur me debatet për ligjin e ri të lirive fetare, që sipas klerit ortodoks, kërkon të marrë pasuritë e Kishës. Duke krahasuar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut me serbët në Malin e Zi, Vuçiç tha se një ligj i ngjashëm mund të miratohet edhe nga Kosova.

Presidenti Aleksandar Vucic tha se Serbia dëshiron të krijojë marrëdhënie të mira me Malin e Zi, por se nuk do të fshihet më për të parë se me cilat probleme përballen populli serb në atë vend.

Vuçiç tha se ai nuk kishte dëgjuar nga Presidenti malazez Milo Djukanoviç për hyrjen në fuqi të Ligjit për Lirinë e Fesë në atë vend, por ishte i përgatitur të fliste me të sa herë që dëshironte dhe tha se ai ka një ftesë të hapur për të vizituar Serbinë. Ai tha se në Mal të Zi ata e interpretojnë çështjen e pasurisë së Kishës Ortodokse Serbe, si një çështje ekskluzivisht të brendshme.

Vuçiç tha se ai ka një pyetje për Malin e Zi, të cilin askush nuk mund t’i përgjigjet sipas tij.

“Si është e mundur që 25 përqind e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore mund të jenë një popull konstituiv, të kenë të drejtën e gjuhës, kryetarin e asamblesë, ministrat, drejtorët e ndërmarrjeve publike, dhe se një numër më i madh i serbëve në Mal të Zi nuk kanë askënd dhe asnjë të drejtë?”

Vuçiç tha gjithashtu se Serbia tani nuk ka asnjë mënyrë, apo të drejtë, për të ndikuar në atë që po ndodh në Malin e Zi.

“Kur ligji erdhi në procedurë, ne biseduam. Unë bëra gjithçka që munda për të mbrojtur njerëzit, duke respektuar integritetin e Malit të Zi. Kur u nënshkrua ligji, unë dola me qëndrimin më të mprehtë të Serbisë për çështjen e deritanishme. Pra, isha i qartë deri në atë pikë saqë unë mendoj se të gjithë e kuptuan”, tha ai.

Presidenti serb tha se ai nuk do të përjashtonte mundësinë që autoritetet e Kosovës të miratojnë një ligj të ngjashëm për liritë fetare si ai në Mal të Zi.

“Unë e shoh atë përmes përgatitjes, përmes studentëve të tyre. Fushata ka qenë për shumë vite, flet për trashëgiminë e Kosovës, e cila duhet të jetë e ndryshme nga ajo serbe, dhe të përfshijë në atë trashëgimi edhe monumentet islamike, edhe kishat katolike dhe ortodokse, dhe të thotë që familja e famshme Gashi ndërtoi kishën e Decanit”.

Vuçiç tha se nuk e përjashtonte mundësinë që Kosova të miratonte një ligj të ngjashëm. /abcnews.al

aleksander-vucic-vizita-1280x712.jpg
nev ila18:26 | 04/01/2020

Presidenti serb Aleksander Vuçiç anuloi vizitën në Mal të Zi, të planifikuar në datën 6 janar. Shkak u bënë përplasjet diplomatike në distancë mes dy vendeve që patën zanafillë miratimin e ligjit për liritë fetare në  parlamentin e Malit të Zi.

Tifozët e Crvena Zvezdës ishin mbledhur për të parë një ndeshje basketbolli. Por, pas saj ata u nisën në drejtim të Beogradit të vjetër tek ambasada e Malit të Zi në protestë kundër ligjit për liritë fetare.

Fillimisht zyrtarët serb u treguan të qetë përkundër incidenteve që ndodhën javët e fundit. Por, tensionet spontane u kthyen në konflikte shtetërore dhe kjo bëri që akuzat mes burrështetasve nuk vonuan shumë.

Këtu tifozët presidentin malazez e quajnë shqiptar dhe mundohen të djegin simbolet e tyre.

Këto ngjarje bën të shkëmbeheshin nota diplomatike dhe iritime. Presidenti serb, Aleksandër Vuçië, vendosi të takoj për herë të dytë Patriarkun Irinej të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai tha se Mali i Zi dëshiron të zvogëloj numrin e serbëve në përqindje në këtë shtet. Vuçiç donte të shkonte për krishtlindjet me 6 janar në vizitë fetare. Por, këtë nuk do ta bëj.

“Serbia është duke u sulmuar në stilin e vjetër. Një peticion është nisur kundër nesh nga regjimi malazez pasi këtë nuk e ka bërë Shën Pjetri, që të firmosen apele kundër pushtetit në Beograd. Si nuk iu vjen turp, gënjeshtarë! Ne nuk kemi organizuar asgjë dhe vetëm kemi parë se çfarë po i ndodh popullit serb”, tha Vuçiç.

Politika serbe dhe malazeze janë ndarë prej dekadash, pavarësisht se konsiderohen vëllezër dhe me origjinë të përbashkët.

Dushan Janjic, i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, thotë se nuk ka rrezik për konflikt, por ka inate.

“Nëse flasim për serbët dhe malazezët më të këqijat janë dallimet e vogla. Nëse e shohim origjinën shumica e malazezëve janë serb etnik, por etnia nuk është njësoj si kombi dhe këtë njerëzit nuk e kuptojnë”, tha Janjic.

Serbia dhe Mali i Zi kanë patur historikisht konflikte politike. Nga Podgorica është besuar se po i kontestohet shtetësia, kurse në Serbi tradhti shumë veprime të këtij shteti- sidomos me Kosovën dhe Kroacinë./abcnews.al

aleksander-vucic-partia-1280x637.jpg
nev ila14:12 | 30/12/2019

Presidenti serb Aleksandër Vucic deklaron se do të heqë dorë nga drejtimi i partisë së tij vitin e ardhshëm, për ta lënë atë në dorën e të rinjve. Zyrtarët e partisë thonë se është shumë i vështirë të ndryshohet vendimi i Vucic, i cili dëshiron të propozojë edhe pasardhësin e tij në krye të parties progresiste serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vucic ka konfirmuar se nuk do të drejtojë më Partinë Progresiste Serbe (SNS) që nga 2020-ta. Vucic tha se njeriu duhet ta dijë kur është koha të largohet. Vuçiç konfirmoi se se nuk ka dyshim se ai nuk do të kandidtojë për kryetar partie në 2020 dhe se ky nuk është më sekret.

Ndërkohë, zyrtarja e Partisë Progresiste Serbe (SNS), Kryetarja e Parlamentit serb, Maja Gojkovic, tha të hënën se do të ishte shumë e vështirë të ndryshohej vendimi i kryetarit të partisë dhe të shtetit, Aleksandar Vucic, për të mos kandiduar për kryetar partie në qershor.

“Lutja ime dhe shumica e anëtarëve të SNS ishte që ai të kandidojë për kryetar të partisë në qershor. Unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë për ne të ndryshojmë vendimin e tij,” tha Gojkovic për TV Happy.

Gojkovic tha se Vuçiç, në një seancë të Bordit Kryesor të SNS (SHP), deklaroi se ai dëshironte që kryetar partie të ishte dikush i ri, të cilin ai personalisht do ta propozonte.

Vuçiç tha se kushdo që dëshiron mund të kandidojë brenda dhe jashtë propozimit të tij,” tha Gojkovic, duke shtuar se Vuçiç personalisht do të propozojë njerëz të rinj për poste udhëheqëse./abcnews.al

ramavucic.jpg
nev ila18:16 | 25/12/2019

Kreu i qeverisë Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me polemikat që janë ngritur brenda dhe matanë kufrit për Mini-Shengenin Ballkanik. Kryeministri ka vënë theksin në reagimin e tij se, Serbisë i intereson më shumë, mos pjesëmarrja në tryezë e Kosovës.

Ja cfarë shkruan Kryeministri:  

“ATYRE QË U BËNË BAJAT duke sharë e mallkuar pa hesap këtu këto ditë, në emër të Kosovës sipas tyre, dy fjalë po u them:

Më së pari, sinqerisht uroj edhe për ju gëzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri!

Ju kam ndjekur me keqardhje në rrekjen tuaj, për të më kryqëzuar si “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, madje “qen i keq” e bile edhe “djall” dhe çfarëdo tjetër gjuhës suaj, lëshuar pa fre i ka ardhur për mbarë. Faleminderit!

Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë:

Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?

Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare!

Sepse duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat Tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës.

Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhëtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë!

Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhëtar jo e jo!

Lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh më hyjnë e nga tjetri më dalin të them të drejtën. Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme.

Deri dje, pa u hapur ky proces që sharjet, mallkimet e fabrikimet harrojeni se e ndalin, Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Zero! Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju Presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe”.

Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju.

Sot e lemë me kaq, se është ditë Krishtlindjesh dhe po e mbyll me një përqafim për të gjithë ju nga unë, që vëllazërisht ju uroj çdo të mirë me këdo ju do zemra, e sa më shumë dritë në shpirt e në mendje secilit prej jush, për veten e për Kosovën dhe krejt kombin tonë natyrisht🤗🇽🇰🇦🇱”./abcnews.al

ramavucicic.jpg
Autor E12:22 | 24/12/2019

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka reaguar ndaj qendrimeve të kryeministrit Rama ndaj mini-Shengenit Ballkanik si edhe deklaratat ndaj liderëve të politikës së Kosovës.

Reagimi vjen pasi kryeministri Rama tha se liderët e Kosovës po e çonin vendin në rrugë qorre.

Akademia e Shkjencave të Kosovës i konsideron si një hakmarrje të paarsyeshme që ka konotacion shqetësues për të ardhmen e raporteve Kosovë-Shqipëri deklaratat e tij gjatë Samitit.

“Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës “pyetje patetike”; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës”, theksoin Akademia e Shkencave të Kosovës.

Reagimi i plotë:

Të përballur me kriza të brendshme dhe me dështime të njëpasnjëshme në çështje të reformave dhe të integrimeve evropiane; me rritjen e vazhdueshme të autoritarizmit dhe të pushtetit të pakontrolluar të oligarkëve; me cenimin e pashembullt të lirisë së shprehjes dhe të veprimit opozitar; me përfshirjen e pandalur të të gjithë pushteteve në një paqëndrueshmëri institucionale, tre shtete fqinjë të Kosovës (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) së fundi bënë një depërtim medial në opinionin tonë me një marrëveshje që duhej të imitonte punët e rëndësishme të Europës, me të ashtuquajturin “mini-Shengen ballkanik”, duke prodhuar të vetmin efekt të dukshëm dhe të prekshëm: çrregullimin serioz të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe lëndimin e krejt ndjeshmërisë sonë rreth këtyre marrëdhënieve.

Duke e parë këtë rrethanë dhe duke vërejtur dëmin e konsiderueshëm që shkaktoi kjo nismë në politikëbërjen shqiptare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është e shtrënguar të reagojë, duke konsideruar se nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë të qartë subversive dhe synon rrënimit e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, duke krijuar alternativa minuese dhe defaktorizim të potencialit politik shqiptar në këtë proces.

Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës “pyetje patetike”; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës.

Po kaq i pakuptueshëm dhe thellësisht i parëndësishëm, madje i zmbrapsur dhe i pavlerë ishte qëndrimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili nuk gjeti mënyrë të artikulojë një qëndrim që do të shkonte një hap më larg se interesat e ngushta të politikës provinciale.

ASHAK fuqimisht mbështet qëndrimin se “mini-Shengeni ballkanik” nuk është i mundur në një asimetri të këtillë politike në Ballkan, me dominim të theksuar të Serbisë, duke qenë se ajo nuk njeh Kosovën dhe që çdo ditë minon dhe shantazhon progresin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë sulme të vazhdueshme diplomatike për të zvogëluar numrin e njohjeve. Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të përfshihet në një proces të udhëhequr nga Serbia, përderisa ajo vazhdon ta mbajë Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë e këtij shteti dhe aq më pak të përfshihet në aleanca që shkojnë kundër interesave tona kombëtare dhe krijojnë alternativa të kundërvënies ndaj integrimeve europiane dhe euro-atlantike. Kosova nuk mund të bëhet pjesë e aleancave që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë zhbërjen e saj. Historia më e re e Kosovës është histori e vlerave të civilizimit perëndimor dhe e parimeve të lirisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje. Më anë tjetër, Kosova është shtet sovran, ka subjektivitetin e saj politik, ka organet e saj legjitime dhe në asnjë rrethanë nuk mund të pranojë vendimmarrje të imponuar dhe sjellje paternaliste.

Duke u mbështetur në këto parime, ASHAK gjithnjë do të punojë dhe do të mbështesë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në të gjitha fushat, do të bëhet pjesë e të gjitha proceseve të përbashkëta integruese dhe do të përpiqet të minimizojë dëmet që shkaktohen në këto marrëdhënie nga politikat e pamatura dhe kundërvënëse ndaj procesit normal të integrimit të ndërvetshëm.

ramavucic.jpg
Autor E23:38 | 22/12/2019

Pritja e presidentit të Serbisë në Shqipëri, marrëveshja e minis-shengenit dhe më tepër, deklaratat e kryeministrit Rama ndaj liderëve të Kosovës kanë shkaktuar mjaft reagime aty.

Përmes një letre publike, tenori i njohur nga Kosova Ramë Laha shkruan se “Kosova nuk mund të ulet me Serbinë në një tavolinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë pa kërkuar fillimisht falje për krimet e kryera” dhe se “ulja do të bëhej me negociimin amerikan dhe jo të Ramës”.

Ndër të tjera, tenori shkruan se ende janë mijëra të humbur dhe nëna me prehrin bosh për fajin e “miqve të kryeministrit Rama”.

Leta e plotë

Ti ‘kryeministri im’
Marrë parasysh që jam artist, e nuk kuptoj shumë nga politika jote, ‘të më falësh’ se mund të gaboj, sepse unë gjykoj nga dhimbja, rrjedhimisht mund të sjellë këtë përfundim, ndoshta të nxituar për mendjen tënde të ndritur, sepse ti i di të gjitha.

S’ka shumë kohë që si 15 vjeçar, kam ecur mbi njerëz të vrarë e të masakruar, kam lënë shtratin e djepin e fëmijërisë për ta gjetur atë krejtësisht të djegur nga miqtë e tu të sotëm. E shoh se ti nuk e kupton këtë, nuk e ke parë as ne CNN apo ndoshta edhe nëse e ke parë ishe në gjendje tjetër, e gjithçka të është duk si film. Për këtë ndoshta nuk bashkëndjenë me dhimbjen tonë.

Ti, që sot i paske ‘zhveshur trenerkat’ dhe dole në kostum për të respektuar mikun tënd, e vrasësin tim, na ftoje t’i ulemi përballë sikur asgjë të mos kishte ndodhur kurrë. Përveç kësaj më fajëson mua përse nuk darkojë e bëj pazare me të, ti që përveç injorancës dhe ofendimit për secilin që mendon ndryshe nga ti, nuk di tjetër! Ti edhe po deshe,s’të lejojmë që me thundrën tënde të pistë të shkelesh mbi gjakun e fëmijëve dhe dëshmorëve tanë që Kosovën e kanë larë me gjak, në çdo pëllëmbë të saj. Jo ty!

Rri andej kufirit dhe traut që na gjobite, edhe atëkohë kur të sollëm bukën e gojës, sepse ti as shqiptar s’je. S’je asgjë tjetër pos një psikopat që injoron dhimbjen e çdo nëne kosovare që sot prehrin e ka bosh mu shkaku i miqve tuaj.

Andaj duhet ta dish, që me Serbinë ulemi kur ajo të kërkojë falje për fëmijët e pleqtë e masakruar, për të zhdukurit tanë që sot as varrë për të vajtur për ta nuk kemi, për përdhunimet e motrave e nënave tona.
Vetëm atëherë ulemi dhe prapë jo me ndërmjetësimin tënd për Mini Schengen por me praninë e SHBA-së për një Euro-Schengen.

Zoti e ruajtë Shqipërinë, nga shqiptarët si ti!

klevis-bvalliu-vucic.jpg
nev ila18:02 | 21/12/2019

Akt tradhti ndaj kombit e ka quajtur ish deputeti i PD Klevis Balliu takimin e mini-shengenit Ballkanik në Tiranë ditën e djeshme.

I ftuar në studio me Juli Xhokaxhi, Klevis Balliu tha se Vuçiç në 2017 ka dhënë një intervistë ku ka shprehur dëshirën për të krijuar përsëri Jugosllavinë, por kësaj here me Shqipërinë.

Balliu bëri publike edhe revistën ku në krye të titull të saj shkruante: “Serbia planifikon të risjellë përsëri Jugosllavinë”. Ndërkohë ABC News verifikoi të thënat e Balliut, dhe gjeti intervisten e Aleksander Vuçiç për të përditshmen amerikane “Politiko” e cila mban datën 4 tetor 2017.

Lexo këtu: https://www.politico.eu/article/for-serbias-vucic-road-to-eu-runs-through-balkans/

Ja çfarë denoncoi Balliu:

Klevis Balliu: Fjala mini-shengen nuk ekziston bëhet fjalë për krijimin e Jugosllavisë por tashmë me Shqipërinë. Këtë gjë nuk e them unë por e ka thënë vetë Vuçiç në një nga intervistat e tij në një të përditshme amerikane “Politiko”. Në këtë intervistë Aleksandër Vuçiç tregon edhe se si ja ka parashtruar këtë ide edhe liderëve të Ballkanit që sipas Vuçiç këta kanë rënë dakord. Flitet që kjo bisedë është bërë diku rreth vitit 2016. Pra ky është një plan i parapërgatitur i Vuçiç dhe i tradhtarit të Shqipërisë Edi Rama. Këtu thuhet që po krijohet Jugosllavia por tanimë me Shqipërinë. Pra Vuçiç ka thënë për Politiko se e ka mision dhe ëndërr krijimin edhe një herë të Jugosllavisë por tanimë me Shqipërinë për të krijuar një treg unik me Jugosllavinë e tij. Kështu që fjala mini-shengen është një fjalë e shpikur, një justifikim i Serbisë, një justifikim i Vuçiç, ky është një plan i krijuar nga Vuçiç me një tradhtar si Edi Rama. Kjo është edhe arsyeja që njerëz që kanë luftuar , kanë lënë familjarët e tyre  nëpër varre, si Haradinaj, sulmojnë këtë njeri dhe i thonë që ka bërë një akt tradhtari të pashembullt ndonjëherë në histori.

Juli Xhokaxhi: Pse do ti interesonte Edi Ramës të ishte pjesë e një platforme të tillë për ta shndërruar Shqipërinë në një provincë  të Jugosllavisë?

Klevis Balliu: Sepse Edi Rama merr diçka mbrapsh, lobimet serbe dhe ruse, të cilat janë shumë të forta. Vuçiç vjen në Shqipëri dhe jep leksione për demokraci, ja ku jemi pra. A e ka parë Edi Rama këtë intervistë të Vuçiç? Sigurisht që e ka parë që në 2016. Vuçiç në këtë intervistë thotë se ja ka parashtruar vendeve të Ballkanit nga të cilët ka marrë garancinë. /abcnews.al

 

linda-1.jpg
Autor E16:32 | 21/12/2019

Gazetarja e Abc News Linda Karadaku ishte e vetmja gazetare shqiptare që mundi të marrë pjesë në konferencën e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç me gazetarët serb.

Në një intervistë përballë Juli Xhokaxhi ajo tregoi detaje se çfarë i tha Vuçiç gazetarëve serbë në atë konferencë, ndërsa zbardh detaje të rendësishme nga samiti i mini-shengenit duke i bërë edhe një pyetje publike Kryeministrit Rama.

“Pyetja që nuk arrta t’ia bëj kryeministrit Rama sot dhe po ia bëj publikisht është: A e di ai që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një seri marrëveshjes me ndërmjetësimin e BE, dhe njëra prej to është lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, por ajo nuk po zbatohet. Nëse ai ka ndikim tek Vuçiçi, ti kërkojë që të zbatohen marrëveshjet që kanë lidhur deri më tani Kosova dhe Serbia dhe pastaj të ftohej Kosova?”, tha gazetarja duke kërkuar gjithashtu që të jepen edhe emra në rastet kur bëhen akuza ndaj klasës politike të Kosovës.

“Nëse kryeministri Rama mendon se ka hyrë në rrugë qorre duhet të japë emra dhe të thotë se kush nga politikanët e ka futur në rrugë qorrë. E ka futur Hashim Thaçi, Albin Kurti apo Ramush Haradinaj”, tha ajo.

Gazetarja e Abc Neës tregoi se Vuçiç u kishte thënë veçmas gazetarëve serb se ai i kishte llogaritur mirë interesat e Serbisë duke e theksuar disa herë këtë.

“Ne ishim e vetmja media shqiptare tek konferenca e Vuçiçit me gazetarët serbë. Vuçiç thotë në fjalën e fundit të tij se i kishte përllogaritur mirë gjërat dhe po mbronte interesat e Serbisë. Madje këtë e përsëriti dy herë”, shpjegoi gazetarja.

“Këtë duam edhe nnga Rama, të thotë që ka llogaritur shumë mirë interesat e Shqipërisë”, vijoi ajo.

Gazetarja e Abc Neës tregoi gjithashtu se ardhja e Milo Gjukanoviç sot në samit e shpëtoi Ramën, Vuiçicin, Zaevin si edhe mini-shengenin.

“Mali i Zi është shumë pranë BE se sa vendet tona. Ndikimi i tij është shumë i madh në këtë marrëveshjes se ishte vendi i fundit që doli nga Jugosllavia. Ka porte të rendësishme dhe raporte shumë të mira me BE-në”, theksoi ajo duke hedhur dyshime edhe mbi pikat e marrëveshjes, njëra prej të cilave është edhe shkëmbimi i i të dhënave.

“Unë mendoj se kjo është e parakohshme. Sa i përket ekonomisë, Beogradi do të ketë pjesën e luanit. Wshtë vendi më i madh, ka ekonominë e zhvilluar, prodhon më tepër. Wshtë një vend që ka mbështetjen nga SHBA, Kina, Rusia dhe kushdo. Me çfarë do ta konkurrosh ti Serbinë?”, pyeti gazetarja.

“Fakti që nukpranohen masakrat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës do të thotë se nuk është bërë kurrë katarsis. Nëse ka ndonjë mendje ngushtë që thotë se kjo është mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo mes nesh dhe Serbisë bën shumë gabim”, përfundoi ajo.  /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono