akuza

Agron-Tufa-dhe-Spartak-Braho.jpg
nev ila23:44 | 27/12/2019

Ish-kreu i Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa ka publikuar dokumente, sipas të cilit deputeti aktual i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka dënuar në periudhën e diktaturës një minoren, i quajtur Gjergj Hani.

Sipas dokumentit të publikuar nga Tufa, i riu dënohet për tradhti ndaj atdheut.

Në dokument thuhet se Gjergj Hani, më 27 maj 1985, është nisur me tren në drejtim të Pogradecit me qëllim për t’u arratisur në Jugosllavi. Ai është përpjekur të kalojë me not nëpërmjet liqenit të Pogradecit, por është diktuar nga policia kufitare.

Tufa shkruan se Spartak Braho si xhelat i diktaturës nuk mund të japë këshilla dhe as të bëj moral.

“Epo kur të merr nëpër gojë një kriminel e xhelat i diktaturës më genocidiale në botë, si Spartak Braho; kur të merr nëpër gojë, të shpif e të kërcënon, të jep dhe këshilla si të shkruash, ai që të vetmen bukuri njeh shaptilografimin e formulit të vendimeve të tij me vdekje; kur përdor ironinë e të bën moral ai që ka dhënë dënime politike me vdekje; kur të akuzon për korrupsion, ai që sekuestroi serverin e tatimeve sapo erdhi në pushtet; kur të bën moral ai që ka dënuar politikisht minorenë, atëherë shkon idioma “Hapu dhé të futem!”
Sikur vetëm një sekondë ta imagjinoja veten “spartak”, në gjysmën e dytë të sekondës do ia kisha hequr rrufeshëm vetes në sheshin “Skënderbej”!
Njihuni me punët e ra të Spartakiadës: dosja e dënimit të minorenit Gjergj Hani.
Ish i dënuari Gjergj Hani (dhe tok me të dhe ne) e ka (kemi) xhelatin e tij (tonë) deputet në Komisionin e Ligjeve, që dmth, ai edhe sot “bën Ligjin”. Gjithë sa thamë është mirë të shoqërohet me këngën e Dervish Shaqes “O moj Shqypni o mos thuej se mbarova!“, shkruan Tufa.

Agron Tufa, Drejtori i dorëhequr i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, në fillim të dhjetorit kërkoi azil politik në një vend të Europës. Tufa e ka marrë këtë vendim pas kërcënimeve të shumta që ka marrë për shkak të detyrës. Aktualisht Tufa ndodhet në Zvicër së bashku me familjen e tij ndërsa ditët e fundit nuk  i ka kursyer akuzat e drejtpërdrejta ndaj Spartak Brahos.

Përplasja mës Tufës dhe Brahos nisi kur ky i fundit akuzoi Tufën se po nxinte historinë. Braho tha se Tufa, me punën e tij tek Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, po njollos historinë e luftës Nacional-Çlirimtare dhe heronjtë e saj.

Ndërsa Tufa asokohe iu përgjigj deklaratave të deputetit të PS-së, duke i bërë thirrje drejtësisë që të ndërhyjë për të parandaluar ndonjë tragjedi, pasi sipas tij, Spartak Braho ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendinë./abcnews.al

arben-kraja.jpg
R D09:50 | 27/12/2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi pas akuzave të opozitës dhe disa individëve për të shkuarën e kreut të SPAK-ut Arben Kraja. Kujtojmë se ishte Agron Tufa i cili nxori një dokument të vitit 1990, ku Kraja, si hetues i regjimit komunist, ka ndaluar një person për “veprime që bien në kundërshtim me moralin komunist”. Më pas ishte sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i cili deklaroi se e shkuara e Krajës vë në dyshim integritetin e kësaj strukture.

Sakaq, KLP i hedh poshtë këto akuza duke deklaruar se “të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses të gjitha verifikimet. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri”, thuhet në reagim.

Deklarata e plotë e KLP-së

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur reagimet publike që kanë shoqëruar krijimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe zgjedhjen e kreut të saj. Në çdo rast ne priremi t’i konsiderojmë këto reagime si tregues të shqetësimeve të opinionit publik, të cilat meritojnë vëmendjen tonë.

Duam të kujtojmë se procesi i përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK zgjati plot 9 muaj. Në përfundim të atij procesi konkurues e transparent, ne jemi të bindur se kemi bërë më të mirën për të garantuar suksesin thelbësor të SPAK përmes përzgjedhjes të prokurorëve më të mirë.

Nga ana tjetër, në një përpjekje për të krijuar atmosferën e duhur të besimit tek institucioni i ri, ne kemi bërë çmos për ta përfshirë publikun dhe të gjithë faktorët institucionalë në proceset vendimmarrëse të Këshillit për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme.

E kuptojmë se e shkuara personale dhe profesionale e prokurorëve të SPAK është e rëndësishme për suksesin e tyre dhe të institucionit. Po ashtu ne e kuptojmë se suksesi i SPAK nuk do të përcaktohet thjesht dhe vetëm nga avantazhet procedurale dhe organizative të tij në krahasim me strukturat pararendëse. Imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku i gjerë janë gjithashtu thelbësorë.

Pikërisht në funksion të garantimit te këtij besimi, pa të cilin institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë, Shqipëria, ndër vite ka miratuar ligje dhe ka ngritur institucione të specializuara të cilat hedhin dritë mbi të kaluarën e prokurorëve të SPAK. E kaluara e tyre është hetuar imtësisht në 4 rrafshe:

(i) Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991;

(ii) Është verifikuar nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar gjatë periudhës së punës si prokurorë;

(iii) Është verifikuar nëse pasuria e tyre është e ligjshme; dhe

(iv) Është verifikuar nëse aftësitë e tyre profesionale janë të përshtatshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.

Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent.

Të gjithë faktorët që parashikon ligji për kontrollin e figurës së prokurorëve janë kontrolluar në detaje. Pretendimet që ngrihen nuk janë ligjore por mendime të cilat në asnjë rast nuk mungojnë në diskursin publik. Ato janë gjithnjë të mirëpritura por nuk janë kurrsesi shkas për ngritjen e dyshimeve mbi legjitimitetin juridik e moral të prokurorëve të SPAK.

Prokurorët e SPAK meritojnë mbështetjen dhe besimin e të gjithëve deri në provë të kundërt. /abcnews.al

eno-PD.jpg
ger ta13:07 | 21/12/2019

Partia Demokratike ka hedhur sot akuza ndaj qeverinë se ka dështuar me sektorin energjetik për shkak të korrupsionit duke iu referuar një institucioni ndërkombëtar.

Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo përmes një deklarate për mediat u shprej se Shqipëria është klasifikuar prej Sekretariatit të Energjisë në Vjenësi i vetmi vend në rajon, që ka hedhur hapa prapa në këtë sektor strategjik, që prek jetën e çdo shqiptari për një arsye të vetme sipas tij, ‘Edi Rama dhe qeveria e tij janë të korruptuar.

Deklarata e plotë:

Sekretariati i Energjisë në Vjenë, institucioni me i rëndësishëm evropian për politikat energjetike, konfirmoi dështimin e qeverisë së Edi Ramës më sektorin energjetik.

Shqipëria është klasifikuar prej Sekretariatit si i vetmi vend në rajon, që ka hedhur hapa prapa në këtë sektor strategjik, që prek jetën e çdo shqiptari për një arsye të vetme – Edi Rama dhe qeveria e tij janë të korruptuar.

Zvarritja e reformave energjetike apo ndryshimi i tyre sipas interesave financiare të klaneve në qeverinë e Edi Ramës, performanca e keqe e OSHEE-së, pavarësisht çmimit të rritur të energjisë, janë dy nga treguesit kryesorë të dështimit për shkak të korrupsionit.

Kjo është arsyeja pse Ministrja Përgjegjëse Belinda Balluku u përpoq t’ua mbyllte gojën mediave më një seancë të zhvilluar thuajse në terr informativ për një nga shtyllat thelbësore të ekonomisë së vendit, sektorin energjetik.

Kreu i Sekretarit të Energjisë në Vjenë konfirmoi përkeqësimi  në 4 drejtime:

  1. Shqipëria nuk ka bërë progres përsa i përket reformës në sektorin e energjisë elektrike. “Reformat e këtij viti janë vetëm në letër”- theksoi ai;
  2. Reformat strukturore te sektorit duhet të përshpejtohen. Ngecja e tyre po dëmton liberalizimin e sektorit si kusht i nevojshëm për shëndoshjen financiare të tij.
  3. Ka vonesa të mëdha të ndarjes së OSHEE në tre kompanitë e veçanta sipas Direktivave të BE-së dhe angazhimeve të marra nga qeveria shqiptare për liberalizimin e tregut. Kjo reformë mbi të gjitha do të jetë në dobi të konsumatorit familjar.
  4. Shqipëria po vuan mungesën e investitorëve të huaj në energjinë e rinovueshme. Kjo për shkak të politikave qeveritare, klimës së keqe për të bërë biznes dhe mungesës së sigurisë ligjore për kompanitë e huaja në Shqipëri.

Në këtë raport Shqipëria vlerësohet me ecuri shumë të ulët, me vetëm 50% të pikëve të mundshme. Ky rezultat është edhe më i ulët se viti i kaluar.

Qëndrimi i Sekretariatit është gjithashtu kritik kundrejt performacës së OSHEE. “Humbjet në sistemin e shpërndarjes janë të larta dhe kjo gjë po rrezikon financat e OSHEE. Kështu nuk mund të vazhdohet më”, – deklaroi Kopac.

Gjendja e vështirë financiare e OSHEE tashmë nuk është më sekret.

Mjaftoi vetëm një vit thatësirë për të nxjerrë zbuluar keqmenaxhimin financiar të kompanisë. Vetë kompania pohon se është në vështirësi të mëdha likuiditeti.

OSHEE deklaron se është e paaftë të paguajë detyrimet e saj, duke rrëzuar propagandën disa vjeçare të Edi Ramës mbi performancën e OSHEE-së dhe fitimet që ka realizuar ajo.

Për shkak të menaxhimit të keq, që në thelb ka vjedhjen dhe korrupsionin, sot OSHEE është në pamundësi të mbledhë borxhin e saj ndaj të tretëve. Në tetor të këtij viti, borxhi shkoi 590 milionë euro, shumë më e lartë se koha kur Edi Rama erdhi në pushtet.

Një muaj më parë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se “Shqipëria ka nevojë për reforma të thella në sektor sepse sektori është i prekur periodikisht nga humbjet financiare, nga detyrimet e ndërsjellta të ndërmarrjeve dhe entiteteve shtetërore, nga qeverisja e dobët koorporative dhe reforma gjysmake…”

Partia Demokratike është e vendosur dhe ka planin për të kapërcyer këtë krizë të thellë, të reformojë thellësisht sektorin duke synuar mbi të gjitha liberalizimin dhe transparencën e tregut të energjisë.

Kompanitë publike të sektorit do t’i nënshtrohen auditimit të thellë dhe abuzuesit me paratë publike do të përgjigjen përpara drejtësisë.

Reformat tona synojnë, mbi të gjitha, përmirësimin e cilësisë së furnizimit, duke ulur ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset prodhuese./abcnews.al

trumppp.jpg
nev ila22:21 | 19/12/2019

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi dy akuza për shkarkimin e presidentit Trump, hera e tretë në histori që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Mbrëmja në ABC” me Mirela Milorin gazetarja e VOA, Rudina Dervishi është shprehur se ende nuk është e qartë sesi do të ecë plotësisht procesi.

“Votimi historik e vendos Trump në një grup të vogël presidentësh amerikanë që do të kujtohen për përballjen më akuzat e shkarkimit nga ligjvënësit e kongresit. Dhoma e përfaqësuesve votoi në linja partiake për akuzat që synonin shkarkimin e presidentit. Pritet që sipas ligjit këto akuza ti dërgohen senatit i cili zhvillon një proces gjykimi dhe vendos për fajësinë apo pafajësinë e presidentit”, deklaroi Dervishi.

Gjithashtu ajo thekson se ende nuk është e qartë sesi do të ecë plotësisht procesi.

“Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi nuk ka thënë se kur do të dorëzohen në senat akuzat e miratuara në dhomën e përfaqësuesve ndaj presidentit. Në një konferencë shtypi Pelosi tha se nuk do ta diskutojë më tej këtë çështje”, theskoi Dervishi.

Më tej Dervishi theksoi se sondazhet tregojnë se amerikanët janë të ndarë për këtë çështje. “Rreth 43 % e publikut amerikan mbështet presidentin Donald Trump, ndërsa pjesa tjetër mbështet akuzat e tij. Ngritja e akuzave shihet si një mjet politik që të dyja krahët do ta përdorin për të entuziazmuar votuesit. Këto akuza nuk besohet se do të ndryshojnë opinionin e amerikanëve, ata që e kanë mbështetur presidentin do vazhdojnë ta mbështesin. Nga ana tjetër demokratët besojnë se presidenti ka kryer shkelje. Miratimi i akuzave të fajësimit nga demokratët kërkon një gjykim të presidentit Trump në senat me shumicë republikane në fillim të vitit të ardhshëm, ai pothuajse me siguri do të lirohet nga akuzat dhe do të qëndrojë në detyrë”, tha Dervishi./abcnews.al

nancy_pelosi_dsc0483_splash.jpg
So Nila09:45 | 19/12/2019

Historia u shënua kur kryetarja Demokratike e Dhomës Nancy Pelosi bëri zyrtarizimin e akuzës ndaj Presidentit Donald Trump.

Pas disa orëve debat ,dhoma votoi me 231 vota pro dhe 197 kundër nën akuzën për abuzim ndaj detyrës të presidentit Trump.

Akuza e dytë ndaj Donald Trump është pengesa që ai bëri ndaj proçesit të fajësimit .

Trump tashmë është presidenti i tretë në histori i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Ai do të përballet më gjyqin në Senat.

Por, ndërsa anëtarët e partisë së saj filluan të festojnë, zonja Pelosi  i vështroi me një shikim të prerë që të mos festonin më.

Ajo gjithmonë ka pohuar se fajësimi i një presidenti ishte një ushtrim solemn./abcnews.al

 

arben-malaj.jpg
R D17:43 | 18/12/2019

Arben Malaj, ish-deputet, ish-ministër i PS-së për disa vite, sot përballet me kolegët socialistë në Parlament, pasi Edi Rama ka propozuar shkarkimin e tij nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Shqiptare.

Përpara se të bëhet votimi, Arben Malaj ka mbajtur një fjalim “himn”, duke deklaruar se deputetët po vendosen në rresht, gjë që s’ka ndodhur as në 1992. Ai deklaroi se po shkarkohet vetem se ka guxuar të thotë fjalën e lirë. Fjalën e lirë për keqqeverisjen e vendit nga Kryeministri Rama.

Ai e quajti “goditje pas shpine”, atë që po bën Rama. Ndërsa për kreun e Parlamentit, Gramoz Ruçi u shpreh se “me votimin për shkarkimin e tij në parlament po e mbyll karrieren politike me turp”.

“Korrupsioni dhe kapja e shtetit vret më shumë se termeti. Kostot financiare ndihen në jetën e shqiptarëve, në pasigurinë e tyre për të ardhmen. Një aksiomë thotë “pushteti absolut korrupton në mënyrë aboslute”. Asnjë bankë qendrore nuk ia del të mirëmbajë financat kur atmosfera politike është acid.

Nëse institucionet kushtetuese nuk funksionojnë, nëse vendi keqqeveriset atëhere pushtetarët kanë vetëm një qëllim: Pasurimin personal.

Kërkesa për heqje imuniteti kanë ardhur edhe dy herë të tjera në këtë parlament por kanë dështuar. Heqja e imunitetit dështoi në vitin ’92 kur deputetët me integritet refuzuan ti heqin imunitetin Rulit dhe Rukës. Në vitin 2004, PS-ja shpëtoi nga njolla kur vendosi të mos i heqë mandatin e deputetit Nikoll Lesit.

Sot Rilindja po më bën një gjyq politik. Ky është një turp në historinë e parlamentarizmit. Në vitin 2019 deputëtët e PS ndjehen të frikësauar nga Rama i cili po mbjell frikë kudo dhe po rrezikon ta kthejë vendin në neodiktaturë.

Duke shfrytëzuar gjithçka negative ju Shoku Rama arritët të bëheshit kryetari i rilindjes në PS dhe kryeministër i Shqipërisë. Por siç thotë Ezopi krushqia me njerëzit e ligj përfundon gjithmonë keq siç është duke përfunduar në mënyrë dështuese epoka juaj e drejtimit të Rilindjes dhe Shqipërisë.

E majta ka shumë personalitete që mund ta qeverisin Shqipërinë shumë më mirë sesa ju por dehja nga pushteti abuziv ju mban të lidhur siç mban droga të droguarit. Në jetë janë disa gjëra që nuk janë për shitje, integritetin tim nuk e kam ofruar për shitje.

Unë e kam kryer me korrektesë detyrën si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së. Shkarkimi im është vetëm një hakmarrje personale e Edi Ramës”, u shpreh ndër të tjera Arben Malaj.

/abcnews.al

 

sali-berisha-akademia-politike.jpg
nev ila19:00 | 15/12/2019

I pranishëm në Aktivitetin e përvitshëm të Akademisë Politike, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi përsëri akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

Në qendër të fjalës së tij ishte paketa anti-shpifje që pritet të kalojë në Kuvend, ndërsa ish-kryeministri e cilësoi Ramën si xhelat i fjalës së lirë.

“Armiku më i egër i njeriut ai që dhunon fjalën e lirë. Ai është i aftë të  kryejë çdo krim. Ai fillon me fjalën dhe vazhdon me çdo krim me radhë dhe ky në Shqipëri është Edi Rama. Ka sjellë në parlament ligjin, në të cilin sillet si xhelat ndaj fjalës së lirë. Ky është emergjencë kombëtare, aq sa është edhe tërmeti për ta përmbysur sa më parë”, tha Berisha.

Ndërsa u ndal tek pasojat e rëndë të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, Berisha tha se një pjesë e viktimave të tërmetit “janë vrasje shtetërore”.

Sipas ish-kryeministrit, në Thumanë, e cila u godit më shumë nga tërmeti, ku humbën jetën 24 persona, një pjesë e banesave ishin shpallur të pabanueshme që prej tërmetit të 21 shtatorit.

Një pjesë e vrasjeve të tërmetit janë vrasje shtetërore sepse një pjesë e pallateve të Thumanës ishin deklaruar të pabanueshme pas tërmetit të 21 shtatorit dhe nëse ata banorë do ishin strehuar diku tjetër, do ishin gjallë të 24. Kështu janë një pjesë e pallateve në Durrës dhe ky kalon nga 10 orë në ekran, me sulme kundër mediave, vetëm për të fshehur veprat e tij penale. Duhet të bëjmë gjithçka për të lehtësuar dhimbjet e vëllezërve e motrave tona të goditur nga tërmeti. Të ngrihemi fuqishëm se termi ishte një fatkeqësi natyrore, Edi Rama është një fatkeqësi kombëtare, politike e të gjitha llojeve”, tha ish-kryeministri Berisha./abcnews.al

228354_186339448081194_1252884_n.jpg
R D15:53 | 14/12/2019

Kryetari i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj ka reaguar pas arrestimeve të zyrtarëve e ndërtuesve. Ai thotë se Prokuroria duhet të vendosë para ligjit, Vangjush Dakon sepse për më shumë se një dekadë ai ka qenë në krye të piramidës së ndërtimeve dhe masakrës urbane në Durrës. Sipas tij, piramida e krijuar nga Dako, firmoste për ndërtimet, shiste beton për ndërtimet dhe i supervizonte ato.

Deklarata e plotë

Partia Demokratike dega Durres reagon: Për më shumë se një dekadë në krye të piramidës së ndërtimeve dhe masakrës urbane në Durrës ka qenë kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Prokuroria ka investiguar për më shumë se dy javë dhe puna e saj, sa intensive aq edhe profesionale, ka rezultuar në ndalimin e cironkave të përgjegjësisë për dramën që po kalon qyteti.

Dako dhe shpura e tij nuk mund të hetohen nga prokuroria sepse Dako është pranë Ramës dhe me Ramën, që nga Durrësi deri në Stamboll.

Piramida e krijuar nga Dako firmoste për ndërtimet, shiste beton për ndërtimet, supervizonte ndërtimet, firmoste dhe vuloste për të dhënë financimet.

Por Dako është jashtë juridiksionit të prokurorisë, për faktin e thjeshte se është nën juridiksionin e Ramës.

/abcnews.al

tedi-blushi.jpg
R D14:34 | 11/12/2019

Presidenca ka reaguar menjëhere përmes zëdhënësit, Tedi Blushi ndaj deklaratave të kreut të KED, Ardian Dovrani. Ky i fundit, shigjetoi Presidentin Meta duke thënë se “nuk merret me filma me metrazh të shkurtër por vepron në mënyrë institucionale”.

Në reagimin e tij, Blushi thotë se nuk presim reflektim nga Dvorani, duke e cilësuar atë si dhunues të Kushtetutës.

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi

I pyetur nga mediat lidhur me deklaratat e Dvorani, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaron se: Nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk presim asnjë reflektim publik.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend.

Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, për të ndaluar kapjen totale të institucioneve të drejtësisë, përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.

Lexo edhe:  Videot e Metës, Dvorani: Jam gjyqtar, nuk merrem me filma me metrazh të shkurtër

akuza.jpg
in a12:30 | 10/12/2019

Janë dy akuzat që demokratët amerikanë pritet të bëjnë publike në përpjekje për shkarkimin e presidentit Donald Trump. Objektivi është që Brenda javës të votohet për vendosjen e Trump në bankën e të akuzuarve. Lajmi është konfirmuar për mediat nga burime të kongresit amerikan.

Në konferencën për shtyp do të flasin kryetari i komisionit të drejtësisë Xheri Nedler dhe ai i komisionit të inteligjencës Adam Shif. Objektivi ështe ai i votimit në kongres vendosjen në bankën e të akuzuarit të kreut të Shtëpisë së Bardhë Brenda kësaj jave. Të mërkurën ose të enjten pritet votimi në komisionin e drejtësisë dhe javën e ardhshme ai në dhomën e përfaqësuesve.

Sipas mediave amerikane akuzat duhet të jenë dy dhe jo tre: abuzim me pushtetin dhe pengesat ndaj punimeve të kongresit amerikan. Nuk do të ketë akuzë për pengim të drejtësisë.

Nga ana e saj Shtëpia e Bardhë ka rrëzuar akuzat duke thënë se nuk ka asnjë provë për veprime të paligjshme nga ana e presidentit. Sipas deklaratës së shtëpisë së bardhë, Ukraina ka pohuar se nuk ka pasur asnjë presion dhe ndihmat ushtarake për Ukrainën nuk do të ishin dërguar nëse nuk do të ishte për presidentin Trump.

Në fund të deklaratës thuhet se administrata Obama kishte refuzuar ta bënte këtë për vite me rradhë, ndërsa përpjekjet për shkarkimin e Tramp ishin një padrejtësi dhe një mashtrim i paprecedentë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono