akademia suedeze

akademia-suedeze-nobeli-1280x713.jpg
nev ila22:39 | 17/10/2019

Akademia Suedeze që i dha çmimin Nobel për Letërsinë shkrimtarit austriak ka mbrojtur zgjedhjen e saj për vitin 2019. Përmes një reagimi, Akademia ka deklaruar se pavarësisht pjesëmarrjes në ceremoninë mortore të Sllobodan Millosheviç, shkrimtari Peter Handke nuk ka mbështetur kurrë gjakderdhjen e viteve ’90 në Ballkan.

Akademia Suedeze ka mbrojtur vendimin e saj për dhënien e çmimit Nobel për Letërsinë shkrimtarit austriak Peter Handke, duke deklaruar se ai vërtet ka bërë komente provokuese, por nuk ka mbështetur gjakderdhjen.

Çmimi për Handke shkaktoi kritika të shumta, përfshirë nga të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës në Bosnje, por edhe nga të mbijetuarit e luftës në Kosovë, që i kanë kërkuar Akademisë të tërheqë çmimin prej 930 mijë dollarësh që caktoi për shkrimtarin austriak javën e kaluar.

Në vitin 2006, Handke foli në ceremoninë mortore të ish-liderit serb Sllobodan Millosheviç, që vdiq në gjendje burgimi teksa priste gjykimin në Hagë për rolin e tij në luftërat e viteve ’90 në Ballkan.

Handke ishte gjithashtu një mbështetës i zëshëm i liderëve serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të cilët u dënuan për genocid për vrasjen e mbi 8 mijë myslimanëve të Bosnjës.

Në një artikull të publikuar në një të përditshme, kreu i Akademisë Suedeze, Mats Malm pranoi se Handke kishte bërë deklarata provokuese për çështjet në fjalë, por shtoi se ai nuk kishte glorifikuar gjakderdhjen dhe se e kishte dënuar hapur masakrën e Srebrenicës.

“Akademia nuk ka gjetur asgjë në shkrimet e tij që të përbëjë një sulm ndaj shoqërisë civile, apo ndaj barazisë së njerëzve”, shkroi Malm.

Akademia citoi një artikull të vitit 2006 në një gazetë gjermane, ku Handke thoshte se masakra e Srebrenicës ishte krimi më i rëndë ndaj njerëzimit që prej Luftës së Dytë Botërore./abcnews.al

suedeze.jpg
Autor E12:58 | 12/10/2019

Pas vendimit të Akademisë suedeze për t’i dhënë çmimin “Nobel” për letërsi, austriakut Peter Handke kudo shpërthyen indinjatat dhe me të drejtë.

Handke është njohur ndryshe edhe si përkrahës i flaktë i regjimit të Slobodan Milloshevicit dhe madje ka arritur deri aty sa të mohojë masakrat serbe.

Pikërisht për këtë indinjatë, ka ardhur reagimi i pare nga Akademia suedeze.

Ne nje prononcim per The Neë York Times, sekretari i Akademisë Suedeze, Mats Malm, ka theksuar se “nuk është në mandatin e akademisë që të balancojë kualitetin letrar në raport me qëndrimet politike”.

Nderkohe qe per CNN ai ka deklaruar prere se “asnjëherë nuk i komentojnë përzgjedhjet e pavaruara të cilat jepen nga institucionet të cilat zgjedhin laureatët për Çmime Nobel”.

Akademia-e-shekncave-1280x720.jpg
nev ila11:36 | 11/10/2019

Akademia e shkencave të shqipërisë i është drejtuar me një letër akademisë suedeze ku shprehet e indinjuar në lidhje me çmimin Nobel për letërsinë të akorduar  këtë vit. “Prej kohësh janë paraqitur dyshime për moralin e Nobelit në Letërsi.

Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës.

Siç ka ndodhur që talente të jashtëzakonshëm në letërsi të rezultojnë, shumë kohë pas shpalljes fitues, që kanë pasur implikime okulte në jetën shoqërore” shkruan në letrën e saj akademia e shkencave.

Letra e Akademisë së Shkencave:

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u njoh me shqetësim e zhgënjim të thellë me vendimin e jurisë së çmimit Nobel në letërsi, i cili për këtë vit iu rezervua shkrimtarit Peter Handke.

Duke qenë prej shumë vitesh propozuese ngulmuese e kandidaturës së shkrimtarit shqiptar me reputacion të gjithëvlerësuar botëror Ismail Kadare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u është shmangur, edhe pse me mundim, interpretimeve të kësaj jurie, duke mos dashur të gjykohet si palë e cenuar

Por laureimi i sivjetmë, që me të drejtë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Europë e në Botë, na detyron të largohemi nga mirësjellja formale dhe të shprehemi me këtë kontestim publik, që u bashkohet shumë kontestimeve të tjera.

Kjo sepse Akademia motër Suedeze e Shkencave, në raste të mëparshme të vendimeve të diskutueshme të jurive të saj, me të drejtë ka lënë të kuptohet se është në parimet e saj që Nobeli i letërsisë është çmim talenti dhe qytetarie. Dhënia e një çmimi të tillë mund të arsyetohet me faktin se ai i referohet vetëm kontributit të shkrimtarit në letërsinë botërore, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm edhe për peshën politike që mbart çmimi Nobel.

Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të duksme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë  urrejtjen dhe konfliktin.

Ne nuk gjykojmë vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të sivjetëm.

Ne na dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër  Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Pyetja jonë është: A mund të besohet më kjo “parimësi”? 

Prej kohësh janë paraqitur dyshime për moralin e Nobelit në Letërsi.

Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës.

Siç ka ndodhur që talente të jashtëzakonshëm në letërsi të rezultojnë, shumë kohë pas shpalljes fitues, që kanë pasur implikime okulte në jetën shoqërore.

Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht.

Sa më sipër, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin  dhe  indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore.

Tiranë më 11 tetor 2019″


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono