agron xhafaj

albert-veliu.jpg
G. P.16:11 | 19/06/2018

Dosja e “dëshmitarit X”, Albert Veliu, që turbulloi jo pak politikën në vend, duket se ka mbetur vetëm në fazë verifikimesh.

Organi i akuzës së Krimeve të Rënda, është në prite të përgjigjes së ekspertizës së zërit të dërguar jashtë vendit për të parë nëse personi i pretenduar në atë përgjim është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, apo një montazh.

Në këto kushte, kur dëshmitari kryesor Veliu ka braktisur Shipërinë dhe ka kërkuar azil politik në Kosovë, atëherë edhe marrja e tij në pyetje bëhet e vështirë për të qenë në dispozicion të prokurorisë shqiptare.

Ministria e Brendshme nuk konfirmon nëse ka ardhur kërkesa për azil nga Kosova për “dëshmitarin X” të PD, pasi ky i fundit pretendon se i rrezikohet jeta në vendin tonë.

Një nga pistat që po verifikon prokuroria është ajo e përgjimit të rremë, si edhe inskenimi i historisë për trafikun e drogës nga Vlorë drejt brigjeve italiane.

Ndërkohë, provat tashmë janë në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime, pasi anëtarët e grupit hetimor janë duke analizuar çështjen nga fillimi i saj, ku nuk përjashtohet mundësia të ketë urdhër-arreste për persona të tjerë, që pritet të ndiqen penalisht për akuzën e “Krijimit të provave të rreme”./abcnews.al

cutillo.jpg
G. P.19:50 | 05/06/2018

Ambasadori Italian në Tiranë, Alberto Cutillo, ka deklaruar nga Shkodra se reforma në drejtësi është një reformë e thellë dhe shqetësim për ambasadorin është mos kompletimi i Gjykatës Kushtetuese. I pyetur nga gazetarët për çështjen “Tahiri”, ai tha se në Katania është një proces, por që nuk ka lidhje me ish-ministrin Tahiri.

“Opozita dhe qeveria është normale të mos jenë dakord, por gjithsesi është e rëndësishme që të gjejnë të përbashktën e objektivit që na pret. Reforma në drejtësi është një reformë e thellë dhe duke qenë e tillë ka edhe probleme në fazën e saj fillestare. Ajo që më shqetëson është moskompletimi i Gjykates Kushtetuese, e cila është e paralizuar. Di që në Katania është një proces që po ecën përpara, që nuk është direkt për ish-ministrin Tahiri dhe di aq sa dini ju për çfarë është folur për këtë çështje”./abcnews.al

agron-xhafaj-1.jpg
ent ela16:01 | 25/05/2018

Audiopërgjimi i pretenduar mes Albert Veliut dhe vëllait të Ministrit të Brendshëm është dërguar për ekspertim në Itali. Ndërkohë në vendin fqinj kanë shkuar dhe një nga prokurorët e çështjes, i cili ka marrë në pyetje Agron Xhafajn, i vetëdorëzuar tek autoritetet italiane për llogari të dënimit të pakryer.

Ekspertimi i audiopërgjimit të publikuar nga Partia Demokratike ku pretendohet një bisedë mes Albert Veliut dhe vëllait të ministrit të brendshëm për cështje droge do të realizohet në një laborator kriminalistik në Itali. Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda konfirmuan se materiali origjinal i audios i është përcjellë në rrugë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë së vendit fqinj, e cila më tek ka përcaktuar edhe laboratorin që do të vërtetojë nëse personi që flet me Albert Veliun është Agron Xhafaj. Bashke më audiopërgjimin palës italiane i është vënë në dispozicion për qëllime krahasimore edhe CD-të me zërin e Albert Veliut dhe të Agron Xhafajt.

Ndërkohë mësohet se vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, aktualisht i vënë në dispozicioin të drejtësisë italiane për llogari të një dënimi me burg të pakryer, ka dhënë shpjegim për çështjen e audio-përgjimit. Ai është marrë në pyetje nga anëtarë të grupit të hetimit, të cilët kanë udhëtuar ditët e fundit drejt Italisë. Agron Xhafaj, që aktualisht mban emrin Geron Xhafaj ka dhënë shpjegime pa praninë e avokatit, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e kryerjes së veprës penale.

Të enjten Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi zyrtarisht edhe hetimin pasuror të nisur ndaj Agron Xhafajt, bazuar në ligjin “Antimafia” për të verifikuar nëse pasuritë e tij dhe të rrethit familjar justifikohen në burime të ligjshme financiare. /abcnews.al

edi-paloka22.jpg
G. P.20:32 | 24/05/2018

I ftuar në “Mbrëmje në ABC News” nga Mirela Milori, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, nuk ka treguar shumë detaje rreth protestës që pritet të mbajë opozita më 26 Maj.

Sipas Palokës, kjo do të jetë një nga protestat më të mëdha që ka parë Shqipëria.

“Nga gjithë sinjalet që ne kemi do të jetë një nga protestat më të mëdha që ka parë Tirana. Kaq mund të them. Të gjithë po na shprehin gatishmëri, prandaj them me bindje që do të jetë më e madhja që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Sepse shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës”, theksoi ai.

I pyetur nëse opozita ka marrë masat për të ndaluar çdo lloj incidenti që mund të ndodhë, Paloka shprehet se qytetarët në protestë do shprehin vetveten dhe opozita do jetë vetëm në mbështetje të tyre.

“Qytetarët do dalin në protestë, do shprehin vetveten. Ne siç kemi qenë do të jemi në mbështetje të tyre në çdo formë. Kaq.”

Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit u shpreh gjithashtu edhe ndaj deklaratave të Ramës, i cili të hënën në “Mbrëmje në ABC News” tha se ka dyshime të arsyeshme se disa zyrtarë të PD-së janë të lidhur me drogën në Durrës.

“Me duket se e dha përgjigjen zoti Berisha mbrëmë këtu në studiot tuaja. Janë thjesht tentativa të dala bojë për të mbuluar skandalet”, tha Paloka. /abcnews.al

agron-xhafaj-1.jpg
G. P.15:39 | 24/05/2018

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar për ekspertim në një laborator jashtë vendit audiopërgjimin e pretenduar mes Albert Veliut dhe vëllait të ministrit të Brendshëm. Ndërkohë Krimet e Rënda po kryejnë verifikimin pasuror të Agron Xhafajt, bazuar në ligjin “Antimafia”.

Audiopërgjimi i publikuar nga Partia Demokratike si një denoncim ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm do të ekspertohet në një laborator të huaj.

Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme njoftoi të enjten se materiali është dërguar për ekspertim në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit, por pa saktësuar në cilin vend. Materiali është nisur për ekspertim gati 24 orë pasi Jetmir Olldashi, gazetari që bëri investigimin gjatë të cilit u realizuar përgjimi, dorëzoi në prokurori audiopërgjimin origjinal dhe pajisjen me të cilën ishte realizuar.

Hetimi i rastit nisi pas konferencës për shtyp të bërë nga Partia Demokratike në 14 Maj, ku u pretendua se “Bashkëpuëntori X” i identifikuar më pas si Albert Veliu apo “Babalja”, kishte biseduar me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj, në lidhje me trafikimin e një sasie droge.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda regjistroi procedim penal në 17 Maj për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”. Një ditë më vonë, atij iu bashkua edhe procedimi penal për “kallëzim të rremë”, i nisur në Prokurorinë e Tiranës, bazuar në një kallëzim të bërë nga Agron Xhafaj kundër tre zyrtarëve të PD që bënë denoncimin publik.

Burime zyrtare konfirmuan se janë duke u kryer veprime hetimore të gjithanshme brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur edhe kryerjen e verifikimieve pasurore të Agron Xhafajt, i cili aktualisht mban emrin Geron Xhafaj.

Hetimi pasuror do të bëhet bazuar në ligjin “Antimafia”, për të verifikuar nëse pasuritë e tij apo të familjarëve janë të justifikuara në burime të ligjshme. /abcnews.al

prokuroria-e-krimeve-te-renda.jpg
ent ela14:03 | 24/05/2018

Prokuroria nis verifikimin pasuror për Agron Xhafaj pas denoncimeve të bëra publike nga Partia Demokratike. Prokuroria njofton se hetimet po kryen nga një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, ndërsa janë duke u kryer veprime hetimore të gjithanshme brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkaq Prokuroria bën të ditur se është dërguar për ekspertim materiali i videopërgjimit në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit.

Njoftimi i Plotë i Prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, njofton se më datë 17.05.2018 ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni  283/a i Kodit Penal.

Më datë 18.05.2018 me këtë procedim është bashkuar dhe procedimi penal Nr. 3853 i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë i regjistruar për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305  i Kodit Penal.

Hetimet në këtë procedim penal lidhen me të dhënat e bëra publike më datë 14.05.2018 në një konferencë për shtyp të organizuar në selinë e Partisë Demokratike të Republikës së Shqipërisë ku është publikuar një material video.

Nga biseda e bërë publike midis dy personave, njëri i cilësuar si “Bashkëpunëtori X” dhe një personi tjetër i supozuar si shtetasi Agron Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj) është treguar se bashkëpunëtori është ndihmuar nga shtetasi Agron Xhafaj për të siguruar një sasi kanabisi për ta trafikuar.

Hetimet po kryen nga një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë. Janë duke u kryer veprime hetimore të gjithanshme brenda dhe jashtë vendit.

Po kështu është dërguar për ekspertim materiali i videopërgjimit në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit.

Gjithashtu njoftojmë se ka filluar dhe kryerja e verifikimeve pasurore për shtetasin Geron Xhafaj, i ditëlindjes 08.06.1975, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur dhe banues në Vlorë. /abcnews.al

 

sali-berisha-ne-abc-news-1.jpg
G. P.20:45 | 23/05/2018

Sali Berisha është shprehur në ABC News këtë të mërkurë rreth zhvillimeve më të fundit politike në vend.

Ish-lideri historik i PD-së theksoi në studion e “Byro Politike” të Juli Xhokaxhi se sipas tij, me deklaratat nga Gjirokastra, Rama e shkarkoi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Rama me deklaratat nga Gjirokastra e shkarkoi Xhafën. Në qoftë se tha se do provohet unë do ndryshoj mendimin tha. Ai e dinte që është e vërtetë. Me këtë i tha Xhafajt përgatitu me ik”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri i vendit tha se Rama nuk ka bërë asnjë ekspertizë të audiopërgjimit ndaj Agron Xhafajt.

Sipas Berishës, qëllimi Ramës ishte t’i mbyllte gojën prokurorisë.

“Për të bërë një ekspertizë është kusht të marrësh zërin e dy palëve. Është kusht! Ku e mori zërin e Agronit dhe Veliut Edi Rama? Ku e çoi? Qëllimi i tij ishte t’i thoshte prokurorisë që mbylle gojën, qepe! Është një njeri i papërgjegjshëm që flet në këtë mënyrë. Nuk ka bërë asnjë ekspertizë. Ekspertiza ka rregullat e veta për t’u bërë”, tha Berisha.

Sipas ish-Kryeministrit pranoi se opozita ka regjistrime të tjera, por që ai nuk është interesuar t’u njohë përmbajtjen.

“E vërteta është se regjistrime të tjera ka, por për përmbajtjen e tyre unë nuk jam interesuar. Pse nuk jam unë i interesuar? Sepse kur del mali ose kur del trungu, degët kanë pak rëndësi. Ajo që doli për Fatmir Xhafën është trungu. Ajo vërtetoi katërcipërisht se këtu është instaluar një narkoshtet. Fatmir Xhafaj do ikë. Taulant Balla do jetë ministri i ri i Brendshëm”, u shpreh ish-kryetari i PD-së.

/abcnews.al

lokalii.jpg
G. P.16:45 | 23/05/2018

Hetuesit e Krimeve të Rënda nuk kanë mundur të gjejnë pamje filmike të takimit të pretenduar mes Albert Veliut dhe vëllait të ministrit të Brendshëm në një lokal në Vlorë. Ndërkohë, përgjimi origjinal i publikuar nga PD ndodhet tashme në duart e prokurorisë, e cila pritet ta çojë për ekspertim jashtë vendit. 

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë të lokaleve, ku pretendohet të kenë qëndruar Albert Veliu, “Bashkëpunëtori X” i audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike nuk i kanë ardhur në ndihmë hetimit. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se nga verifikimi paraprak ka rezultuar se nuk ka pamje të ditës kur pretendohet të jetë realizuar përgjimi i bisedës mes “Babales” dhe Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm.

Ndërkohë prej pasdites të së martës, Prokuroria për Krimet e Rënda zotëron materialin origjinal të përgjimit, si edhe mjetin me të cilin është realizuar përgjimi. Ato u dorëzuan në prokurori nga ana e gazetarit, Jetmir Olldashi, autori i investigimit gjatë të cilit u realizua përgjimi.

Burime jozyrtare konfirmuan se ekspertimi i audiopërgjimit për të identifikuar nëse zëri në të i përket Agron Xhafajt do të realizohet  në një laborator jashtë vendit, pa dhënë detaje për emrin. Prokuroria do të vendosë në dispozicion të laboratorin që do të kryejë akt-ekspertimin edhe regjistrimet audio të zërit që i janë bërë për llogari të hetmit Albert Veliut dhe Agron Xhafajt.

Veliu la kampion krahasues zëri pas dëshmisë së tij ditën e premte tek Krimet e Rënda, ndërsa Xhafaj në Prokurorinë e Tiranës, një ditë para se të udhëtonte drejt Italisë ku u vetëdorëzua tek autoritetet e këtij vendi ku kishte një dënim me burg të pakryer. Nga ana tjetër, prokuroria po kryen verifikime për saktësimin e punonjësve të policisë me emrin “Ermal” në organikën e Policisë së Vlorës për kohën, kur pretendohet të jetë bërë audiopërgjimi, e nëse po, në cfarë sektori ka qenë i angazhuar./abcnews.al

shtepia-e-albertit.jpg
G. P.16:40 | 18/05/2018

Ndryshe nga çfarë është folur në media apo gjatë opinioneve për Albert Veliun, të ashtuquajturin nga opozita dëshmitari X, fqinjët mendojnë ndryshe. Ata që kanë shumë vite që jetojnë afër kësaj familjeje tregojnë se kishin marrëdhënie të mira dhe asnjë problem shqetësues nga ta.  

Dëshmitari X siç i thotë opozita apo Albert Veliu ka ditë që nuk hyn mëe në banesën e tij. Gjithashtu gruaja, bashkë me dy fëmijët është larguar të mërkurën pasdite. Fqinjët e panë duke mbyllur portën.

“Asnjë gjë. Pimë kafe të dyja bashkë. Ajo iku në shtëpinë e saj, unë në timen ”

I njohur si Babalja, ai dhe familja e tij për fqinjen më të afërt janë njerëz të mirë, dhe që nuk kanë parë keq prej tyre.

“Familje shumë e mirë për mua. Unë kam hyrë, kam dalë. Familje e rregullt, fëmijë të rregullt”.

Sikurse të gjithë komshinjtë njohin problemet e nj-ri-tjetrit edhe për familjen Veliu e dinë që ndodhej në kushte të këqija ekonomike. Kryefamiljari i papunë, kurse djali 22 vjeç punonte kamarier.

“Ka marrë dhe me listë. Shumë të dobët nga gjendja ekonomike”.

Tre ditë pasi familja Veliu është larguar nga banesa e tyre në lagjen “Partizani” në Vlorë fqinjët tregojnë se askush nuk i ka kërkuar. Aty as policët nuk duken.

Ata braktisën shtëpinë, ku jetonin prej 22 vjetësh menjëherë pasi PD kishte publikuar video-audio dhe një ditë më pas, vete Albert Veliu foli për një bisedë me vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj./abcnews.al

edi-ramaaa-1.jpg
G. P.14:21 | 18/05/2018

Një agjenci e huaj e ka qartësuar në kohë reale kryeministrin Edi Rama se audiopërgjimi që publikoi Partia Demokratike nuk është autentik. Se cila është kjo agjenci, kreu i qeverisë nuk pranon ta thotë.

“Adresën nuk mund t’jua jap dhe ajo që kam bërë ishte urgjente për mua. Për të ditur unë të vërtetën. Nuk ka vlerën e një prove. Provën duhet ta identifikojë dhe ta certifikojë, cilado që të jetë ajo, prokuroria”.

S’ka vlerën e provës, por vetëm bindjen e kryeministrit se është e manipuluar.

“Përgjigja ime është e qartë dhe e prerë. Ajo ç’ka i është servirur publikut shqiptar si një material autentik është vetëm manipulim i shëmtuar.”

Gazetarët e kthyen në kohë kryministrin Rama duke i kujtuar se këto deklarata kanë ngjashmëri me ato për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi, për ish-deputët socialistë, të cilët gjithë sot kanë llogari të hapur para drejtësiëë.

“I jam referuar atyre që unë kam ditur në rastin e parë dhe në rastin e dytë unë nuk i heq dhe presje atyre që kam thënë për Sajmir Tahirin”.

Konferenca për shtyp që u bë në ambientet e aeroportit Nënë Tereza nuk u mbyll me falenderimin e zakontë, por me debate me gazetarët.

“Hajde këtu edhe vazhdo konferencën e shtypit të thuash fjalën e fundit”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono