aeroport

pllakata-per-admir-muratajn.jpg
ad min16:03 | 30/04/2019

Në fshatrat rreth Rinasit, banorët ende diskutojnë për grabitjen e bujshme të 9 Prillit. Ndërsa në aeroport vazhdojnë të mbërrijnë blinda me para bankash që transferohen jashtë Shqipërisë.

Grabitja e 9 Prillit në aeroportin e Rinasit vijon të jetë temë e diskutimeve për banorët e zonës së Tapizës. Hashimi, banor autokton pohon se në fshatin e tij po ndodh një fenomen i çuditshëm. Shumë banorë dyshojnë se thasët me para që u grabitën brenda pistës së Rinasit, mund të jenë fshehur ndërmjet, fshatit Tapizë dhe Niklës.

“Nuk dilsha se për ato para, ata kanë lënë jetën. Unë thosha shyqyr se shpëtuan njerëzit, kjo zonë me gjithë ata armë vetëm një i vrarë. Ku t’i linin paret? Ne këtu jemi sikur me qenë në pus. Në radhë të parë shtet s’ka, disiplinë s’ka, rregull s’ka”, tha ai.

Zhurma e armëve të zjarrit vazhdon ta shoqërojë Hashimin dhe sot e kësaj dite.

“Ishalla po qetësohet gjendja se edhe ne me thënë të drejtën atë ditë janë torturuar gratë dhe kalamajtë. Gati 200 fishekë… se kush a grabitësit, a policia? Ka plas lufta, duke u tall me njerëzit e mi. Unë i dëgjoja armët, por bëja sikur nuk dëgjoja gjë për t’i fiksuar ato”, tha ai.

Kurse Endri nuk beson shume tek fjalët se paratë e grabitura janë fshehur në zonën e tyre.

“Ka qenë policia afërt atyre derisa ndodhi dhe shkëmbimi i zjarrit. Normalisht që s’ka lidhje me zonën tonë. Janë larguar dhe janë fjalë”, tha ai.

Grupi i xhirimit i ABC News u  rikthye përsëri në vendin ku  humbi jetën Admir Murataj. Në mes së pllakatës së mermertë, të vendosur aty në përkujtim të tij, qëndron një shkronjë A, që nënkupton emrin e të ndjerit.

Ky është momenti ku shoqëritë private transportojnë paratë e bankave të nivelit të dytë për në aeroportin e Rinasit. Si masë e shtuar për sigurinë, pas autoblindave me para, tashmë qëndron një makine policie me dy efektivë.

Pas grabitjes së dytë brenda pistës së Rinasit, forcat e Policisë Ushtarake janë pozicionuar në të gjitha pikat e nxehta, nga ku ishte thyer siguria e objektit të rëndësisë së veçantë./ABC News Albania 24/7

tia.jpg
ad min15:49 | 17/04/2019

Dy zyrtarë të Aeroportit të Tiranës kanë deklaruar para grupit hetimor për grabitjen në Rinas se kanë zbatuar rregullat e sigurisë. Por grabitësit, sipas tyre, kanë përdorur dyert që janë në dispozicion të zjarrfikësve, të cilat nuk janë të fortifikuara.

Zyrtarë të sigurisë së aeroportit të Rinasit, të marrë në pyetje pas grabitjes së parave në 9 Prill, u kanë sqaruar hetuesve se kanë zbatuar rregullat e sigurisë dhe se grabitësit përdorën ato që quhen “crash doors”.

Sipas deklarimeve të këtyre zyrtarëve, këto dyer, të cilat u përdorën edhe nga grabitësit për të hyrë në aeroport, nuk janë të fortifikuara, pasi në raste avarie të rrëzimit të një avioni, makina e zjarrfikëses duhet të depërtojë në pistë, duke i shkatërruar këto dyer.

Nisur nga ky sqarim i zyrtarëve të TIA-s gjatë marrjes në pyetje, ngrihen dyshime të forta së grupi kriminal që realizoi grabitjen e dispononte një informacion të tillë. Admir Murataj së bashku me grupin e tij kanë shfrytëzuar pikërisht këtë mënyre për të realizuar grabitjen.

Prokurorët e Krimeve të Rënda Arenc Çela, Besnik Miçi dhe Klodian Braho kanë sekuestruar të gjitha konventat apo marrëveshjet pranë zyrave të këtij institucioni, atij të Autoritetit të Acionit Civil apo kompanisë “ICTS”, të cilat do të analizohen në përputhje me faktet e rrethanat konkrete të ngjarjes.

Zyrtarët e aeroportit pretendojnë se kanë njoftuar policinë, sapo konstatuan çarjen e derës dhe panë furgonin t’i afrohej avionit të linjës Tiranë-Vjenë. Ndërse policia nga ana tjetër ka deklaruar se informacionin e ka marrë nga burime të tjera dhe jo nga punonjësit e TIA-s.

Organi i akuzës po heton edhe mbi origjinën e jelekëve antiplumb dhe veshjeve ushtarake të përdorura nga grabitësit. Sipas burimeve në Tiranë janë vetëm 3 dyqane që mund të tregtojnë pajisje të tilla.

Në bazë të verifikimeve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar që të kenë blerë persona të dyshimtë. Pavarësisht hetimeve intensive, prokuroria ende nuk ka mundur të identifikojë bashkëpunëtorët e tjerë të Admir Muratajt./abcnews.al

policia-ushtarake.jpg
ad min22:05 | 11/04/2019

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, baza ligjore për vendosjen e forcave të Policisë Ushtarake jashtë aeroportit të Rinasit, gjendet në ligjin për Policinë Ushtarake si dhe në një marrëveshje të Shqipërisë me NATO-n, ratifikuar me ligj në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendosja e Policisë Ushtarake në perimetrin e jashtëm të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, pas grabitjes së ndodhur të martën, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes bazohet në dy ligje.

I pari është ligji nr 13/2015 për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe i dyti është ligji Nr. 8543, datë 4.11.1999 “për ratifikimin e marrëveshjes dhe të shtesës së saj, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe NATO-s për statusin e NATO-s dhe të personelit të saj”.

Konkretisht në nenin 2 të ligjit për Policinë Ushtarake thuhet:

“Misioni i Policisë Ushtarake është ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundërligjshme në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse e humanitare”.

Pikërisht aeroporti i Rinasit, gati gjysma e të cilit është infrastruktura ushtarake e një vendi anëtar të NATO-s, ku ulen dhe ngrihen avionë ushtarake dhe shumë pranë të cilit është Komanda e Forcave Ajrore, konsiderohet si pronë shtetërore në përdorim nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Ndaj ruajtja e sigurisë në këtë territor është në misionin e parashikuar me ligj të Policisë Ushtarake.

Po ashtu, në nenin 7 të të njëjtit ligj të vitit 2015 për Policinë Ushtarake, që përcakton fushën e veprimit të Policisë Ushtarake, saktësohet:

“Veprimtaria e Policisë Ushtarake ushtrohet mbi të gjitha subjektet ushtarake e civile, vendase dhe të huaja, me ose pa shtetësi, të cilat, me veprimet e tyre, cenojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë brenda e jashtë vendit dhe mbështetet në dispozitat e këtij ligji dhe në legjislacionin në fuqi”.

Vendosja  e Policisë Ushtarake për garantimin e sigurisë në perimetrin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, sipas të njëjtave burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, bazohet edhe në piken 11 të marrëveshjes mes NATO-s dhe Shqipërisë si vend anëtar, ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në 4 Nëntor 1999.

“NATO-s i garantohet përdorimi i aeroporteve, rrugëve, hekurudhave dhe porteve”.

Rasti i përsëritur i hyrjes së personave të armatosur dhe grabitjes brenda pistës së avionëve në Rinas, sipas të njëjtave burime, bëri të domosdoshëm vendimin për patrullimin e rrethimit të aeroportit nga forca dhe mjete të Policisë Ushtarake, pikërisht për të garantuar sigurinë e këtij objekti të rëndësisë së veçantë, në një vend anëtar të Aleancës Ushtarake të Atlantikut të Veriut./abcnews.al

edi-rama-dhe-lleshaj.jpg
ad min17:04 | 11/04/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kërkuar zyrtarisht informacion mbi bazën ligjore të vendosjes së ushtrisë në aeroportin “Nënë Tereza”. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kanë sqaruar se vendimi për ndërhyrjen ushtarake është i ligjshëm.

Janë dy qëndrime të kundërta për vendosjen e ushtrisë në aeroportin e Rinasit. Për mazhorancën është legjitime e për opozitën është shkelur ligji. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka pranuar të shprehet ende pa patur të gjithë informacionin në tavolinë.

Nëpërmjet zëdhënësit të tij bën me dije se i ka kërkuar zyrtarisht Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral, Bardhyl Kollçakut, informacion mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”.

Kryeministri Edi Rama është treguar më konkret duke e ilustruar me disa foto në rrjetin social Instagram.

Këto janë forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, që janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato.

“Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike”.

Me zë e figurë e sqaron edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mision kushtetues sigurinë kombëtare, nëse konstatojmë se kjo siguri është cënuar apo thjesht kërcënuar, FA ka detyrë kushtetuese të japin kontributin e tyre. Ata kanë hyrë aty si mbështetje ndaj strukturave të Policisë së Shtetit. Siguria fizike e aeroportit ishte në një pikë të papranueshme. Jua them miqësisht nuk ka asgjë për t’u alarmuar”, tha ai.

Ligjshmëria e ndërhyrjes së ushtrisë në aeroportin “Nënë Tereza” vazhdon të jetë debat i hapur. Sipas ligjit të pushteteve të drejtimit të Forcave të Armatosura, kryeministri vendos përdorimin e tyre gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Nëse vendoset gjendja e jashtëzakonshme duhet të jetë Kuvendi që e merr vendimin./abcnews.al

ardi-veliu.jpg
ad min19:39 | 10/04/2019

Forcat speciale të ushtrisë dhe Policia Ushtarake do të garantojnë sigurinë në perimetrin e jashtëm të aeroportit. Dislokimin e tyre aty e njoftoi ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Ndërsa komisariati i policisë së Rinasit do të marrë në kontroll sigurinë e brendshme në aeroport.

Grabitja në të vetmin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë nuk mfafton të përfundojë duke drejtuar gishtin ndaj fajtorit. Koncesionari dështoi ndaj është koha që shtetit shiptar të marrë në dorë sigurinë e e qytetarëve. Vendimi u bë publik nga Ministrja e Mbrojtjes.

“Kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cënohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit. Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, tha Xhaçka.

Sipas ministres, Olta Xhaçka, kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet evropian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve.

“Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke iu bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit”, tha ajo.

Një tjetër ndërhyrje ka paralajmëruar Policia e Shtetit.

“Grupi hetimor është duke punuar intensivisht. Policia është duke punuar 24 orë dhe do të bëjë të mundur ta zbardhë këtë ngjarje. Jemi në rritje të parametrave të sigurisë. Në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania që është përgjegjëse për sigurinë në Rinas. Nisur nga kjo, me urdhër të kryeministrit, shefi i komisariatit të policisë së Rinasit merr përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë në aeroport për të mundur kthimin e sigurisë në aeroport. Ne do të kërkojmë çdo ditë rritjen e parametrave të sigurisë”, tha Ardi Veliu.

Zv/ministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli, u shpreh se janë dhënë rekomandime për të rritur nivelin e sigurisë në aeroport, por deri më tani koncesionari nuk ka reflektuar.

“Ne patëm një bisedë me përfaqësuesin e TIA-së që ka të bëjë me ndryshimin e procedurave për rritjen e sigurisë. Kemi dhënë rekomandime për ndryshime në kontratat që janë bërë në pranverë të 2013, do të ndryshojnë. Do të jetë policia e Shtetit e cila që do të marrë përgjegjësinë, duke ndryshuar praktikën e deri më tanishme. Kemi menduar se koncesionari do të reflektonte”, tha ai.

Për zyrtarët e qeverisë ka ndodhur e keqja më e vogël, humbje financiare. Dhe për këtë zëvendësministri nënvizon që të mos harrohet që falenderimet i shkojnë uniformave blu./abcnews.al

british-airlines-1280x667.jpg
ad min23:02 | 21/12/2018

Prania e disa dronëve në perimetrin e aeroportit Gatwick, në Londër, futi në kaos për të paktën tre ditë trafikun ajror. Qindra fluturime u pezulluan dhe 120 mijë pasagjerë  mbeten. Për zgjidhjen e situatës, autoritetet angazhuan edhe forcat speciale ushtarake.

Një tjetër dron në horizont çakordoi për të tretën ditë rresht fluturimet në aeroportin e dytë më të madh të Londrës, Gatwick, ku shumë pasagjerë u detyruan të presin disa orë me radhë deri në rikthimin e normalitetit. Situata u zhbllokua rreth orës 19 të së premtes, kur një zëdhënëse e aeroportit deklaroi se fluturimet mund të rifillonin dhe se pezullimi i tyre ishte vetëm një masë paraprake. Problemet për Gatwick filluan që të mërkurën, kur në 21 e 30 me orën lokale u konstatua droni i parë që fluturonte në perimetrin e aeroportit.

Që prej atëherë, policia londineze u angazhua në një operacion kërkimi për operatorët e dronit që vijoi deri të premten, por pa sukses. Për zgjidhjen e situatës u angazhua edhe ushtria, snajperët e të cilës u vendosën në majat e godinës dhe u autorizuan të qëllonin mjetet fluturuese të komanduara në distancë.

Pas pezullimit të së mërkurës, i njëjti episod u përsërit disa herë të enjten e po ashtu edhe të premten, kur fluturimet u ndërprenë dy herë brenda ditës, një herë në mëngjes dhe më pas pasdite. Policia beson se në hapësirën ajrore të aeroportit kanë fluturuar më shumë se një dron dhe dyshon për angazhimin e shumë personave, por përjashtojnë që ngjarja të ketë lidhje me terrorizmin.

Problemet më të mëdha me trafikun ajror u verifikuan të enjten kur ishte planifikuar që 760 fluturime të niseshin dhe të mbërinin në Gatwick, por që qëndruan në tokë. Ndërsa të premten fluturimet e anuluara ishin 155. Shefi i operacioneve të aeroportit deklaroi se në tre ditë kaosi i krijuar la në tokë 120 mijë pasagjerë./abcnews.al

edi-raamaaaa.png
ad min22:14 | 10/11/2018

Investimet në infrastukturë për vitin e ardhshëm kreu i qeverisë zgjodhi t’i artikulojë nga Vlora, qytet në të cilin priten nisjet e punimeve për aeroportin vitin e ardhshëm si dhe një sërë investimesh.

Kryeministri Rama zhvilloi një takim me qytetarët për buxhetin e vitit të ardhshëm sa i përket infrastrkuturës, në qytetin bregdetar të Vlorës, përzgjedhjen e të cilit e argumentoi ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.

Metoda e përdorur, ajo e Partneritetit Publik Privat, nuk ka asgjë të keqe tha Gjiknuri, i cili i parapriu një shpjegimi të kryeminsitrit për procedurën. Këtë, nuk e konsideron si borxh lënë brezave të ardhshëm kreu i qeverisë Rama.

“Deri në vitin 2013, buxheti i shtetit mbështetej tek borxhi i jashtëm. Ndërkohë që sot, ne kemi një buxhet, i cili nuk bazohet mbi asnjë qindarkë borxh, që do të thotë se gjithçka që ne do të vazhdojmë të ndërtojmë nuk do të ndodhë duke ia lënë si barrë fëmijëve tanë”.

I parashikuar përmes një kontrate të tillë është aeroporti i Vlorës.

“Kemi pasur një negociatë të vështirë për të finalizuar kontratën për aeroportin e Vlorës, por, siç u tha këtu, unë e përsëris, në të gjitha rastet, vitin e ardhshëm do të fillojmë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës”.

Buxheti 2019 parashikon edhe rrugën Orikum-Llogara, ku i mbetet ministrit mbajtja e një zotimi të premtuar prej vitesh sipas Ramës.

“Tuneli i Llogarasë ka të paktën 30 vjet, në mos gabohem, që premtohet dhe është koha që tunelin ta bëjmë realitet”!

Buxheti 2019 gjeti hapësirë edhe për çka prej 30 vitesh ishte e pamendueshme për kreun e qeverisë. 

Kemi për herë të parë, mbas 30 vitesh buxhet për hekurudhat, jo për të mbajtur në punë njerëz që thonë punoj në hekurudhë dhe hekurudhë nuk ka, por për të ndërtuar hekurudhë. Hekurudhën e re të shpejtësisë së lartë, Tiranë – Rinas – Durrës do ta fillojmë vitin e ardhshëm dhe do të rindërtojmë plotësisht linjën Fier – Vlorë të hekurudhës, që do të lehtësojë shumë edhe bizneset në portin e Vlorës.

Ka përfunduar edhe rilidhja e kontratës për by-passin e Fierit thekson Rama, duke premtuar se traseja do të jetë e hapur deri në sezonin e ardhshëm. E gjithçka lidhet ngushtësisht me situatën ku e gjeti vendin pesë vjet më parë, sipas kryeministrit, i cili më herët gjatë ditës inspektoi ecurinë e punimeve në rrugën Kardhiq – Delvinë./abcnews.al

shishtavec.png
ad min15:26 | 31/10/2018

Ndërtimi i aeroportit të Kukësit do të nis në fillim të vitit të ardhshëm njoftoi kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë të Shishtavecit. Sipas një studimi  në të do të kalojnë mesatarisht në vit rreth 300 mijë njerëz.

“Unë besoj shumë që në këtë zonë, ne do të shohim modelet e para të zhvillimit të turizmit malor edhe për një arsye tjetër, sepse këtu në Kukës, besoj në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë ndërtimi i aeroportit. Aeroporti ekzistues do të transformohet tërësisht në një aeroport të standardeve ndërkombëtare, për fluturimet me çmime të ulëta. Studimi që ne kemi bërë me ekspertë të huaj na ka inkurajuar shumë dhe mua më ka entuziazmuar shumë, sepse të gjitha analizat e bëra sipas metodave profesionale të parashikimit për suksesin e një biznesi, tregojnë se aeroporti i Kukësit do të lëvizë në një mesatare prej 300 000 udhëtarësh në vit”, tha Rama./abcnews.al

ilir-meta-1.png
ad min12:42 | 29/10/2018

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mbërriti sot në Stamboll, me ftesë të veçantë nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ai është ftuar për të marrë pjesë në përurimin e aeroportit të madh të këtij qyteti “Istanbul Ataturk Airport”. Simbolika e këtij përurimi përkon me 95-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë./abcnews.al

drame.jpg
ad min13:54 | 12/09/2018

Ka përfunduar drama në “Aeroportin Nikolla Tesla” të Beogradit pasi një avion që ateroi me detyrim kishte ngelur në pistë ku duhej të ateronin avion të tjerë. Kjo bllokoi për orë të tëra këtë aeroport në të cilin ishte nisur edhe një avion me pasagjerë nga Tirana.

Aeroporti i Beogradit “Nikolla Teslla” është hapur për trafikun ajror pas bllokadës që nga mëngjesi kur një avion nga Egjipti kishte ngelur në pistë për shkak të një avarie. Autoritetet serbe thanë se avionit të kompanisë egjiptiane nuk i punonte asnjë rrotë pasi frenat kishin dështuar. Pista nuk është dëmtuar dhe është arritur që të riparohet në kohë rekorde.

Sasha Vlaisavljeviç: “Për ne ka qenë më e rëndësishmja siguria për të gjithë. Kemi të planifikuar për sot 180 fluturime, prej të cilave 5 janë anuluar, shumë të tjerë janë vonuar dhe të tjerët kanë ateruar në qytetin e Nishit. Linja nga Nju Jorku ka ateruar në Zagreb dhe jemi falëndërues që asgjë e rrezikshme nuk ka ndodhur”.

Kjo bllokoi edhe linjën nga Tirana të kompanisë AirSerbia, por edhe shumë linja të tjera të avionit që ishin nisur në drejtim të kryeqytetit serb dhe rajonit.
Zyrtarët e aeroportit thanë se bëhet fjalë për një problem teknik, por që duhej të merreshin masa për të eliminuar mundësinë e aksidenteve. Hetimet kanë filluar pasi avioni ishte i zbrazët dhe ka ateruar me detyrim në aeroportin kryesor serb./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono