Adriatik Llalla

hetime.jpg
gra moz15:36 | 16/04/2018

Adriatik Lalla nuk është vënë në dijeni zyrtarisht për ndonjë hetim të nisur ndaj tij, ndonëse Prokuroria e Durrësit ka regjistruar prej një muaji një procedim penal ndaj tij dhe ka ngritur 4 akuza. Eshte avokati i Llallës, Sokol Hazizaj, që deklaron për mediat se mosvënia e tij në dijeni për nisjen e procedimit mund ta çojë procesin në parregullsi.

Prokuroria e Durrësit ka plot një muaj që po heton dyshimet për kryerjen e disa veprave penale nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Por avokati i tij mbrojtës, Sokol Hazizaj, pretendon se klienti i tij nuk ka asnjë dijeni për këtë hetim.

“I jam drejtuar prokurorisë së Durrësit. Nuk më kanë njoftiuar për ndonjë procedim, apo fillim hetimi në disfavor të të mbrojturit prej meje”.

Sipas Hazizajt, mosvënia e tij në dijeni për nisjen e procedimit mund ta çojë procesin në parregullsi.

“Sa kohë që në cilësinë e mbrojtësit ligjor nuk kam marrë informacion për nisjen e një procedimi penal, apo hetimi ndaj shtetasit Adriatik Llalla nuk mund të them që ka nisur procedim penal. Kjo është rruga ligjore. Çdo dyshim mbi këtë e çon procesin në parregullsi”.

Nga ana tjetër Prokuroria e Durrësit ka konfirmuar zyrtarisht për ABC neës regjistrimin e procedimit penal të Prokurorisë së Durrësit ndaj ish-kryeprokurorit Llalla. Burime zyrtare të këtij institucioni saktësuan se procedimi penal ndaj Llallës mban numrin 447 dhe është regjistruar në 15 Mars 2018.

Ish-kryeprokurori po hetohet për katër vepra penale, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë”, “mosdeklarim të shumave të të hollave në kufi”, “pastrim të produktee të veprës penale” dhe “shpërdorim të detyrës”./abcnews.al

lulu.jpg
gra moz22:45 | 11/04/2018

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cilëson gënjeshtra absurde të zotit Adriatik Lalla pretendimet e tij se i kishte kërkuar arrestimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Në një prononcim për News 24 ambasadori Lu thotë se ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara.

Sipas ambasadorit Lu, nuk është për t’u habitur që Llalla vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi, sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij.

“Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”, shprehet Lu.

Reagimi i ambasadorit Donald Lu erdhi pasi në portalin online të një të përditshmeje u publikua një letër e ish-Prokurorit të Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, dërguar Kongresit amerikan në maj 2017.

Llalla pretendon në letër se diplomati amerikan i ka kërkuar në vitin 2015 të arrestonte Ilir Metën, asokohe kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.

Sipas Llallës, Donald Lu, ia bëri këtë kërkesë gjatë një takimi të posaçëm të kërkuar prej ambasadorit për këtë qëllim.Ish-prokurori i Përgjithshëm shkruan se në këtë pikë, ai e ndërpreu takimin pasi kërkesa e ambasadorit iu duk e palogjikshme dhe e pabazuar në prova./abcnews.al

lu-llalla-845x445.jpg
ent ela21:47 | 05/04/2018

Adriatik Llalla është zyrtari i parë në botë që SHBA i ndalon hyrjen në territorin e saj. Kështu është shprehur ambasadori amerikan Donald Lu gjatë intervistës në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Lu deklaroi se qeveria dhe ambasada amerikane ka prova të besueshme që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është i përfshirë në raste korrupsioni.

Fevziu: Zoti Ambasador, doja t’ju pyesja për historinë tuaj me ish Prokurorin e Përgjithshëm Z. Llalla. Përse Departamenti i Shtetit ia ndaloi hyrjen Z. Llalla dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara?

Lu: Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë…

Fevziu: I pari person në botë?

Lu: …në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër.

Fevziu: Sipas informacioneve të kujt?

Lu: Më lejoni të mbaroj. Pra, mbështetej në korrupsion të konsiderueshëm. Prandaj ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se Z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë.

Fevziu: Po nga erdhi ky informacion? Nga Ambasada Amerikane në Tiranë apo nga institucionet ligjzbatuese në Shtetet e Bashkuara, të cilat e ofruan këtë informacion?

Lu: Blendi, ju e dini se ne kemi shumë burime informacioni.

Fevziu: Shumë njerëz besojnë se ishit ju që personalisht e dëbuat Llallën për shkak të problemeve që keni pasur më parë.

Lu: Asnjë President i Shteteve të Bashkuara apo Sekretar Shtetit nuk do mjaftohej vetëm me të dhënat e Ambasadorit Amerikan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij.

Fevziu: A ka një hetim zyrtar për Llallën në Shtetet e Bashkuara? Nuk po flas për hetimin në Shqipëri.

Lu: Unë nuk jam agjent i FBI-së, unë nuk jam agjent i DEA-s. Nuk mund të them nëse ata kanë nisur hetimet. Unë mund të flas vetëm në emër të Ambasadës tonë dhe ne po bashkëpunojmë me autoritetet shqiptare.

Fevziu: Përse keni pasur një marrëdhënie kaq të fortë dhe të keqe me Z. Llalla?

Lu: Jo, unë kam pasur një marrëdhënie personale mjaft të arsyeshme me Z. Llalla, kemi pasur disa takime, kemi qëndruar në komunikim edhe pas konfliktit që patëm. Janarin e kaluar unë thashë se Z. Llalla kishte vepruar kundër reformës në drejtësi. Unë nuk kam asgjë personale me Z. Llalla. Unë dhe qeveria ime kemi investuar shumë përpjekje në reformën në drejtësi dhe nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojnë këtë reform.

Fevziu: Z. Ambasador, doja t’ju pyesja sepse kanë qarkulluar komente, nëse deklaratat që ju keni bërë gjatë këtyre 3 viteve kanë qënë të miratuara nga Departamenti i Shtetit, nga politikat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Lu: 100%.

Fevziu: 100%?

Lu: 100%! Unë jam një burokrat shumë besnik. Unë nuk bëj asgjë pa marrë miratimin e Uashingtonit, komunikoj me Uashingtonin çdo ditë, dhe ata e dinë shumë mirë se çfarë bëjmë ne.

Fevziu: Cili ishte problem më i madh i Z. Llalla?

Ambasadori Lu: Prokurori i Përgjithshëm Llalla nuk ndoqi penalisht njerëzit. Ai ishte Prokurori më i lartë në vend, e megjithatë askush nuk u fut në burg gjatë mandatit të tij. Ju keni nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krimet e rënda në një vend me probleme serioze me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Prandajs hpresoj që të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm të ardhshëm, përfshirë edhe Znj. Marku, ta marrin më seriozisht përgjegjësinë e tyre për të ndjekur penalisht njerëzit që shkelin ligjin.

Fevziu: A e ka mbështetjen tuaj Arta Marku, Prokurorja e Përgjithshëm e përkohshme? Mbështetjen e SHBA, jo tuajën personalisht.

Ambasadori Lu: Askush nuk e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara përveç zyrtarëve tanë. Por unë jam takuar disa herë me Znj. Marku dhe mendoj se ajo është një profesioniste serioze dhe e kualifikuar, e cila po përpiqet të bëjë një punë të mirë përgjatë muajve të saj si Prokurore e Përgjithshme e përkohshme. Kam parë gjithashtu se gjatë kësaj kohe, prokurorët kanë nisur disa ndjekje penale ndaj figurave të opozitës, e kam parë edhe këtë. Znj. Marku më ka thënë mua por e ka thënë edhe publikisht se ajo është shumë e zotuar dhe mbështet hetimin ndaj Saimir Tahirit. Ky është një çast i rëndësishëm kur Znj. Marku dhe sistemi mund të vërtetëtojnë nëse ky hetim mund të ecë përpara pa ndërhyrjen e politikës. Do thoja gjithashtu se po ndjekim nga afër edhe hetimin e Elvis Roshit, një tjetër socialist, për të parë nëse ai do të trajtohet njësoj si njerëzit e opozitës. Jemi të interesuar të shohim më shumë ndjekje penale në rradhët e shumicës, dua të jem shumë i qartë për këtë. Ka njerëz të cilët, unë besoj se meritojnë të ndiqen penalisht dhe qeveria e SHBA është gati të mbështesë Znj. Marku, prokurorët dhe policinë në këto çështje. /tvklan.al

 

 

adriatik-llalla.jpg
ent ela20:40 | 03/04/2018

Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ndërprerjen e vetingut për Adriatik Llallën.

Vendimi për ndërprerjen e vetingut u mor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi Llalla vendosi që të heqë dorë nga e drejta e tij për t’u zgjedhur gjyqtar pranë Gjykatës se Apelit.

Nga ana e Komisionit të Posaçëm të Apelimit është hedhur edhe shorti dhe është caktuar trupa që do shqyrtojë ankimimin.

Tv Klan

resized_f078b-3877773cadriatikllalla.jpg
ent ela11:20 | 30/03/2018

Dosjes hetimore ndaj kryeprokurorit Adriatik Llalla, dosjes i shtohen dhe materialet e mbledhura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ky i fundit ndërpreu verifikimin ndaj ish-kreut të organit të akuzës, pasi ai vendosi të mos jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Llalla po hetohet për pastrim parash.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka referuar dosjen e ish prokurorit Adriatik Llalla Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë prej datës 15 mars. Dorëzimi i dokumentacionit në prokurori ka ardhur pas kërkesës së kësaj të fundit.

Lajmi konfirmohet nga institucioni i rivlerësimit të shkallës së parë,Komisioni i Pavarur i kualifikimit në përgjigje të interesimit të ABC News sa i përket dosjes së papërfunduar të ish-prokurorit Llalla, pas ndërprerjes së procesit të vettingut për të.“Ju vëmë në dijeni se dosja e këtij subjekti, pas përfundimit të procedurave nga ana e KPK-së, i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës më datë 15 mars 2018, pas kërkesës nga ana e këtij organi”– njofton Komisioni i Pavarur i Kualifikimit .

Kjo erdhi si pasojë e tërheqjes së Adriatik Llallës nga përzgjedhja si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, e parashikuar në ligj pas përfundimit të mandatit si prokuror i përgjithshëm.

Lajmi për nisjen e hetimit të ish-prokurorit Adriatik Llalla erdhi nga përtej kufijve kur Deutche Ëelle më 25 mars foli për transparencë dhe fakte, në një shkrim inkurajues për procesin e vettingut ku shpallte edhe hetimin e ish kryeprokurorit. Vetëm një ditë më vonë mediat shqiptare zyrtarizuan lajmin se Adriatik Llalla po hetohej për akuzën e pastrimit të parave.  Këto lëvizje të organit të akuzës në Shqipëri vijnë pas shpalljes së ish-prokurorit Llalla si persona non grata në SHBA, pas firmosjes nga sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit me akuzën e përfshirjes në korrupsion të lartë./abcnews.al

 

Adriatik-Llalla-1280x782.jpg
ent ela15:47 | 26/03/2018

Ish-kryeprokurori Adritakik Llalla po hetohet që sot për “pastrim parash” nga Prokuroria e Durrësit. Hetimi ka nisur në Durrës, ashtu siç e parashikon ligji pasi është qyteti më i afërt ku punoi ish-kryeprokurori.

Pas nuk pranoi t’i nënshtrohet vettingut, kanë nisur hetimet për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Organi i akuzës ka kërkuar informacione nga disa institucione si dhe ka sekuestruar kontratat e shitblerjes së pasurive të Llallës.

Pjesë e hetimit janë dhe disa kontrata noteriale  në lidhje me pasurinë e tij. Për këtë rast hetimi do të bëhet nga prokuroria e Durrësit për të shmangur konfliktin e interesit dhe si prokuroria më e afërt me Tiranën.

Për të nisur hetimet për Llallën janë marrë informacione nga ILDKPI, dhe zyrat notariale. Para emërimit si Kryeprokuror Llalla ka punuar në Prokurorinë e Fierit, në Tiranë dhe kryetar i ILDKP 2007-2012.

Në shkurt, Llalla nuk iu nënshtrua vettingut pasi hoqi dorë nga e drejta për emërim në Gjykatën e Apelit. Nderkohë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ish-sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson, publikuan zyrtarisht, se Adriatik Llalla dhe familja e tij, të mos u lejohet hyrja në SHBA. Sipas njoftimit, Llalla dyshohet se ishte përfshirje në raste të mëdha korrupsioni dhe shkelje të të drejtave të njeriut, gjatë kohës që ka qenë në atë detyrë. Eshtë hera e parë në historinë e Shqipërisë që një ish Prokuror i Përgjithshëm vihet nën hetim për akuzën e rëndë të pastrimit të parave, një akuzë pothuajse e paralajmëruar më herët nga vetë SHBA. /abcnews.al

 

 

Adriatik-Llalla-1280x782.jpg
ent ela14:43 | 25/03/2018

Dalin rezultatet e para të prekshme të procesit të vettingut në Shqipëri. Në këtë mënyrë rritet shpresa për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Transparencë dhe fakte. Me këtë moto Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ( KPK) motori i vettingut, ka filluar këtë javë sesionet e dëgjesave publike të gjykatësve dhe prokurorëve që pretendojnë të jenë pjesë e sistemit të reformuar të drejtësisë. Kush kalon testin nga ky Komision do të vazhdojë të jetë prokuror apo gjykatës në sistemin e reformuar të drejtësisë. Kush nuk e kalon mbetet jashtë sistemit dhe subjekt i mundshëm i ndjekjes penale. Rastësi apo jo, i pari në listën e gjykatësve në këtë proces nuk e kaloi dot testin. Komisioni shkarkoi të premten ( 23.03.2018) anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, që kishte deklaruar një pasuri prej rreth 700 mijë eurosh. Avokati i tij nuk solli dot para komisionit, në seancën e dëgjesës publike, të hapur për mediat, dokumenta zyrtare për burimin e kësaj pasurie. Ky është rasti i parë, kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon një gjykatës të nivelit të lartë dhe hap procesin e ҫrrënjosjes së ryshfetit dhe korrupsionit në drejtësinë e Shqipërisë duke hedhur bazat për një gjyqësor profesional, të pavarur, me gjykatës e prokurorë me integritet moral. Gjithë procesi i verifikimit dhe vendimet e këtij Komisioni po monitorohen nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë.

Çmontim i kulturës së pandëshkueshmërisë

Lista me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve që do kalojnë në sitën e vettingut është e gjatë, plot 800 syresh. Vetëm 2% ose 17 gjykatës dhe prokurorë dhanë dorëheqjen dhe u vetëpërjashtuan nga drejtesia, para se vettingu të fillonte, duke përfituar nga ligji i vettingut që ua jepte këtë mundësi. Por dorëheqja nuk u jep atyre imunitet për t’i shpëtuar drejtësisë pa i hyrë gjemb në këmbë, nëse kane kryer vepra penale, Drejtësia po tregon se po vepron në bazë të provave dhe fakteve. Rasti më domethënës është ai i ish- Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndaj të cilit Prokuroria ka hapur ҫështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha, edhe pse Llalla deklaroi para se të fillonte vettingu largimin vullnetar nga drejtësia. Atë që nuk e bëri dot organi i akuzës i drejtuar nga Llalla, që erdhi në krye të Prokurorisë në vitin 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017, e nisi Departamenti Amerikan i Shtetit. Muajin kaluar ai mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”.

Fakte dhe dokumenta zyrtare, të botuara në media, kanë bërë transparente për publikun shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqje të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë. Dokumentat zyrtare flasin për transaksione financiare me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda. Hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sinjal se për kulturën e pandëshkueshmërisë, të betonizuar në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash, po fillon procesi i ҫmontimit. Burime diplomatike në Tiranë, që ndjekin nga afër këtë process thanë për DW se rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm është vetëm fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj” që do të ndiqet se shpejti edhe nga raste të tjera.


Rama-koha për hapjen e negociatave të anëtarësimit

Asi që ka në dorë Shqipëria 3 javë para publikimit të Progress Raportit 2017 është pikërisht progresi në reformën në Drejtësi. Rezultatet konkrete në procesin e spastrimit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar kanë rritur shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Kjo pasi kryerja e vettingut dhe rezultatet e tij të prekshme janë kushti kryesor i KE. Shqipëria e meriton! Me këtë bindje kryeministri Rama ka nxitur ditët e fundit, Përfaqësuesen e Lartë të BE, Mogherini, Komisionerin Hahn dhe Parlamentin Europian që të kuptojnë se koha për hapjen e negociatave ka ardhur. ” Shqipëria nuk kërkon ndonjë dhuratë, as ndonjë favor që nuk e meriton. Shqipëria po kërkon thjesht të hapen negociatat , sepse e meriton” ka theksuar të premten,(23.03.2018) Rama, në një fjalë të mbajtur në Parlamentin Europian.

Krahas kësaj bindjeje kryeministrin Rama ka risjellë si argument situatën gjeo-politike në rajon, përpjekjet e Rusisë dhe aktorëve të tjerë si Kina apo Turqia për të rritur ndikimin e tyre. Hapja e negociatave si një progres drejt hyrjes në BE do ” të ndalojë shfaqjen e fantazmave të së kaluarës” ka theksuar kryeministri në Parlamentin Europian duke u risjellë në vëmendje euro-parlamentarëve se rajoni i njohur për konfliktet etnike dhe lufterat e pergjakshme pas viteve 1990 po forcon paqen dhe bashkëpunimin, pikërisht sepse ylli i tij polar është hyrja në BE. Por ngadalësimi i ritmeve në procesin e integrimit mund të sjellë pasoja negative ne pro-europianizmin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, kur faktorë të tjerë gjeo-strategjike kërkojnë të rrisin aksionet e tyre në rajon, paralajmëroi në Bruksel përsëri kryemnistri Rama./DW

adriatik-llalla.jpg
gra moz16:34 | 08/03/2018

ABC News mësoi zyrtarisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit se janë vetëm dy subjekte, Adriatik Llalla dhe Besnik Imeraj, ata që kanë paraqitur dorëheqjen tek ky Komision dhe për rrjedhojë për ta është ndërprerë Vettingu.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj, janë deri tani të vetmit anëtarë të sistemit të drejtësisë që kanë paraqitur dorëheqje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit .

Pas publikimit të lajmit për ndërprerjen e procesit të Vettingut për ta ABC News pyeti në rrugë zyrtare Komisionin nëse ka emra të tjerë nga radhët e gjyqësorit që kanë paraqitur dorëheqje.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ju sqaron se, referuar aneksit kushtetues, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast, procesi i rivlerësimit ndërpritet. Dorëheqja depozitohet në organet përkatëse të subjekteve e më pas në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Për dy subjektet të cilët janë dorëhequr, z. Besnik Imeraj dhe z. Adriatik Llalla, Komisioni ka njoftuar publikisht vendimet për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit”.

Pyetjes tjetër të ABC News se për sa subjekte preken nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë ka përfunduar procesi i Vettingut”, Komisioni iu përgjigj:

“Ju informojmë se komisionerët, këshilltarët ligjorë dhe ata ekonomikë po punojnë për të përfunduar listën e subjekteve që kanë përparësi sipas ligjit. Sapo trupat gjykuese të jenë gati, do të nisin seancat dëgjimore me subjektet që po i nënshtrohen rivlerësimit. Procesi i rivlerësimit konsiderohet i përfunduar nga ana e KPK-së, kur trupa gjykuese shpall vendimin dhe vendimi i arsyetuar i njoftohet subjektit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë”.

Gjatë ditëve të fundit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar arsyetimiun e vendimeve për ndërprerjen e procesit të Vettingut për ish-kryeprokurorin Llalla dhe ish-gjyqtarin Imeraj. /abcnews.al

auto_adriatik-llalla1492763275.jpg
ent ela13:50 | 08/03/2018

Komisioni i pavarur i kualifikimit publikoi sot vendimin e datës 16 shkurt për ndërprerjen e procesit të vetingut për prokurorin e përgjithshem Adriatik Lalla. Sipas vendimit të marrë nga treshja e kryesuar nga Roland Ilia, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Pamela Qirkon, ky proces është ndërprerë, pasi zoti Llalla është tërhequr nga sistemi i drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është njohur në datën 12 shkurt me kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës nga zoti Llalla në 10 shkurt për të hequr dorë nga e drejta që i njeh ligji, për të emëruar në një pozicion apeli pas mbarimit të mandatit si prokuror i përgjithshëm. Pas ndërprerjes së vetingut, subjekti humb të drejtën e emërimit për 15 vjet si gjyqtar, apo prokuror në çdo nivel, anëtar i KLG, KLP apo prokuror i përgjithshëm./abcnews.al

lu-dhe-llalla.jpg
gra moz19:54 | 16/02/2018

Në një intervistë për “Wall Street Journal”, ish-prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka mohuar të jetë hetuar për korrupsion nga autoritetet shqiptare, sikurse ishte dhe motivi i ndalimit të hyrjes në territorin amerikan. Duke iu përgjigjur me email pyetjeve të “WSJ”, Llalla ka nënvizuar se gjithçka është produkt i një përplasjeje mes tij dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

“Jam i sigurtë që ky është një vendim i marrë në bazë të keqinformimit të dhënë ndaj personit tim nga ambasadori Donald Lu në Departamentin e Shtetit”, ka thënë Llalla.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara njoftuan vendimin e tyre ndaj zotit Llalla ditën e enjte, përmes një mesazhi, ku nuk saktësoheshin aktet e korrupsionit për të cilat ai akuzohet. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka deklaruar të premten përmes postës elektronike se, qeveria amerikane ka informacione të besueshme se zoti Llalla është përfshirë në afera të mëdha korrupsioni gjatë qëndrimit në detyrë.

Por zëdhënësi nuk ka dhënë detaje të tjera. Llalla dhe Lu janë përballur për reformën në drejtësi, shkruan “WSJ”, një proces kyç për përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësëuar në Bashkimin Europian. Lu e ka akuzuar ish-kryeprokurorin në fillim të vitit 2017 se ishte shprehur kundër reformës, ndërkohë që vetë Llalla i cilësoi komentet e tij një përpjekje për të manipuluar opinionin publik.

Përplasja u thellua kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë asokohe i mohoi vizat një grupi gjyqtarësh e prokurorësh shqiptarë, pa publikuar emrat e tyre, por duke denoncuar “abuzimin flagrant me vizën zyrtare” të një prokurori të hershëm dhe familjes së tij. Llalla ka thënë se vizat e tij dhe bashkëshortes u anuluan vitin e kaluar pasi ajo udhëtoi në Shtetet e Bashkuara me një pasaportë diplomatike për shkak të disa problemeve shëndetësore.

Sipas Llallës, aëherë ajo ishte shtatëzënë dhe e solli në jetë fëmijën në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që atij iu komunikua më vonë nga zoti Lu se autoritetet nuk mund t’i përdornin vizat për vizita private. Në vijim të përgjigjeve për gazetën prestigjoze amerikane, Llalla ka thënë se nuk e di se çfarë provash kanë Shtetet e Bashkuara ndaj tij, por ka fajësuar ambasadorin Lu kur ka theksuar se ka keqinformuar vazhdimisht Departamentin e Shtetit mbi figurën e tij.

“Ai më ka fyer mua, familjen time dhe gjithashtu të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke na trajtuar si kriminelë e duke na denigruar publikisht dhe personalisht”, ka shtuar ish-prokurori i pergjithshëm, Adriatik Llalla./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono