abuzime

aplikacioni.jpg
G. P.14:53 | 20/08/2019

Një muaj pasi nisi aksionin e saj anti-informalitet, qeveria shqiptare i ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi të bizneseve që nuk lëshojnë kupon tatimor.

Kryeministri Rama ka prezantuar në rrjetet sociale, aplikacionin “STOP INFORMALITETIT” ku ka ftuar qytetarët të denoncojnë këdo që i shmanget detyrimeve në shtet.

“Mos ia përto hiç atij që refuzon të të japë kuponin; atij që të paguan në të zezë apo refuzon të të paguajë sigurimet e shëndetit e të pensionit; atij që të bën konkurencë të pandershme; atij që të vjen për kontroll në biznesin tënd dhe sillet keq apo kërkon ryshfet”, ka deklaruar Rama duke garantuar të gjithë qytetarët se denoncimi i tyre do të jetë i fshehtë dhe konfidencialiteti do të jetë 100% i garantuar.

Pak orë pas krijimit të aplikacionit, kryeministri ka njoftuar se janë mbledhur 59 denoncime, duke paralajmëruar se toleranca për abuzuesit do të jetë zero./ABC News Albania 24/7

paluka.jpg
G. P.20:15 | 06/05/2019

Valbona Paluka, drejtoreshë në Ministrinë e Bujqësisë, deklaroi se fermerët po përdorin bletë për të pllenuar lulet në sera.  E ftuar në “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, ajo theksoi se kjo lloj teknologjie e re bën punën e 10 punëtorëve në një serë.  Sipas saj, janë 320 preparate të lejuara në Europë që lejohen edhe në vendin tonë.

“Ministria e Bujqësisë ka strukturat e kontrollit që janë nën AKU dhe njëkohësisht dhe agjencitë rajonale për shërbimin veterinar dhe mbrojtjen e bimëve. Ata janë nën kontroll të të gjithë operatorëve të biznesit. Unë dua të marr shkak nga disa pamje që kam parë për sa i përket trajtimit të perimeve në sera. Të bardhën nuk e bëjmë dot të zezë. 320 preparate të lejuara në Europë, janë të lejuara edhe në Shqipëri, përdoren, kontrollohen. Deri këtu nuk kemi asgjë ndryshe nga BE. Duhet të kemi parasysh që preparatet nga BE janë të shtrenjta. Cili nga ne që jetojmë në qytet nuk e dimë se në sa gjendje është fermeri që të shpenzojë pa masë në preparate të shtrenjta. Fermerët janë të rrahur padrejtësisht nga kjo gjë. Abuzime ka gjithkund, por kjo nuk është e përgjithshmja.

U tha shembull që përdoren preparate që rrisin cilësinë. Fito-rregullatorët po zëvendësohen suksesshëm në 80 përqind të rasteve me bletët. Është një bletë që vjen nga kutia dhe një kuti bletë bën punën e 10 punëtorëve në një serë, për të bërë punën që bëjnë fito-rregullatorët. Që janë ndihmues në fazën e lulëzimit, që lulja të pllenohet. Është një gjë që e njoh përveç kësaj që bëj kontroll. Është një gjë që po e përdorin në 80 përqind sepse pak mendon fermeri për sigurinë ushqimore, sepse kush bën biznes mendon të çojë para te shtëpia e vet, por përdorimi i kësaj teknologjie dhe nxjerr auksinën jashtë lojë. Është e gabuar mënyra si është pasqyruar në media. Është e lejuar. Janë 6 fito-rregullatorë që na vijnë nga BE. Vijnë me skeda përdorimi, me skeda kadence. Përdoren më pak se sa duhen sepse kushtojnë”, tha Paluka.

Ajo nënvizoi se mund të ketë raste të pakta shkeljesh, por kjo nuk është e përgjithshme. Paluka solli në vëmendje rastin e djalit të saj student në Gjermani, ku produktet atje mbanin erë.

“Nuk ka gjë më të dëmshme. Mund të ketë 1, 2, 3 raste shkeljesh. Këto preparate nuk subvencionohen nga shteti. Do bënte sens nëse këto subvencionohen. Këto paguhen të gjitha nga fermeri. Për mua kjo nuk është e përgjithshme. Do ketë raste të veçanta. E them me bindje të plotë duke njohur tregun shqiptar.

Më lejoni të nxjerr. Kam djalin student dhe i kam dërguar domate dhe kastraveca nga Shqipëria sepse mbajnë erë. Nuk shijonë. Nëse je në vendet e BE mbajnë erë që mund të jetë erë e mbetjeve në normën e lejuar”, tha Paluka./abcnews.al

ministria-e-drejtesise.jpg
G. P.21:23 | 09/02/2019

ABC News ka siguruar një kopje të dosjes së prokurorisë ndaj 12 zyrtarëve të Ministrisë të Drejtësisë, të akuzuar për abuzime me 5 procedura tenderuese.  

Dosja penale ndaj 12 zyrtarëve e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, të akuzuar për abuzime me pesë tendera në periudhën 2016-2017 nxjerr në dritë shkeljet flagrante të kryera në një nga institucionet më të rëndësishme të vendit. ABC News zbardh shkeljet e konstatuara në një prej këtyre praktikave, tenderin për “Sistemin e monitorimit me kamera të burgut të Lezhës dhe Fushë-Krujës”.

Kontrata e këtij prokurimi është nënshkruar në Maj 2017 me një vlerë prej gati prej gati 100 milionë lekë. Sipas dokumentacionit të administruara, prokuroria pretendon se operatori ekonomik fitues i tij, i përbërë nga një bashkim  operatorësh nuk i plotëson kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të kualifikimit.

Një nga operatorët që ka marrë përsipër 27.5 për qind të shërbimeve, nuk plotëson kriterin për kapacitetin e gjendjes financiare sepse nuk ka paraqitur asnjë document për të vërtetuar këtë kriter.

Ndërkohë, operatori tjetër nuk ka paraqitur deklaratën e origjinës së mallit. Për të njëjtën kontratë ka rezultuar se procedura zyrtare e prokurimit ka nisur pa marrë më parë një miratim nga Dega e Thesarit në Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me fondin buxhetor në dispozicion, duke bërë që shuma e hartuara në urdhrin e prokurimit të jetë më e madhe se buxheti.

Prokuroria ka administruar edhe një shkresë të kreut të Burgjeve të Gushtit 2018, ku informon se sistemi i monitorimit me kamera nuk mund të merret në dorëzim, pasi nuk ka mbaruar instalimi i tyre dhe konfigurimi dhe se monitorimi vijohet me sistemet e vjetra.

Pas gjetjes së shkeljeve në 5 procedura tenderimi, prokuroria ngriti dyshime për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera” për 12 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, mes të cilëve edhe ish-Sekretarja e Përgjithshme, Juliana Hoxha./abcnews.al

OSMANI-MBULIM.mpg_snapshot_00.00-1280x717.jpg
G. P.22:37 | 11/10/2018

Zëvendës kryeministri shqiptar i Maqedonisë, Bujar Osmani ka mohuar zërat për abuzim me detyrën, të ngritura në kuadër të hetimit të Prokurorisë Speciale, të koduar “Pacienti”. Në reagimin e tij, Osmani ka deklaruar se gjatë kohës që ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë ka punuar gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me interesat e qytetarëve. Ai është shprehur se shpreson që dyshimet e ngritura ndaj tij të sqarohen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Prej vitesh ka patur spekulime për abuzime në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë kohës që unë isha ministër dhe kam qenë unë një nga ata që kanë këmbëngulur për nisjen e një hetimi”, ka thënë Osmani. Ai ka shtuar se, pret që prokurori të verifikojë sa më parë faktet. Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se askush nuk mund të shpallet fajtor pa u provuar dyshimet. Ai ka thënë se do ta ndjekë procesin hetimor me vëmendje dhe do të veprojë në kohën e duhur nëse do të verifikohet diçka që ka të bëjë me dinjitetin e qeverisë./abcnews.al

gruevski.png
G. P.13:06 | 11/10/2018

Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka ngritur 6 çështje të reja për anëtarë të shumë të ish qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Ndër të akuzuarit ka përfundur dhe vetë ish kryeministri, si dhe eksponenti i BDI-së, Bujar Osmani.

Në mesin e të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani. Sipas Prokurorisë Speciale Publike, për ta dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro. Siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale Publike, bëhet fjalë për dyshime të bazuara në shpërdorimin e detyrës zyrtare.

Nga 6 rastet e reja të hapur, Gruevski rezulton i përfshirë në 3 prej tyre. Përkatësisht në rastin e quajtur “Propaganda”, “Harmonia” dhe “Pacienti”. Ish kryeministri maqedonas akuzohet për shpërdorim fondesh publike dhe aktivitet kriminal.

Në rastin “Pacienti” ekzistojnë dyshime të bazuara për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve në procedura për furnizime publike për realizimin e rikonstruksioneve të shumë institucioneve shëndetësore të Maqedonisë.

Përveç Gruevskit, në këtë hetim janë të përfshirë 15 persona mes të cilëve edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani. Ky i fundit, në një reagim me shkrim, tha se ishte i befasuar nga informacioni mbi hetimet.

Osmani thotë se gjithmonë ka punuar sipas ligjeve dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ndërkohë, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela kërkoi që kryeministri Zoran Zaev të shkarkojë Osmanin për shkak të akuzave të ngritura për shpërdorim të buxhetit të shtetit, në kohën kur ishte ministër i Shëndetësisë./abcnews.al

POLICIA-PER-TE-SEMURET-MENDOR.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
G. P.09:42 | 24/09/2018

Është kapur dhe arrestuar një nga gjashtë shtetasit e shpallur në kërkim në vijim të operacionit policor të koduar “TVSH”. Nga operacioni i forcave policore ka mbetur i arrestuar shtetasi Elton Zoto, 36 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit Gëzim Çela, Flamur Zoto, Xhemal Kushova, Ylber Molla (të arrestuar më datë 21.09.2018 në kuadër të operacionit TVSH), kishin krijuar një skemë mashtrimi duke krijuar 6 firma fiktive me nipte shëtitës, me seli në qytetin e Tiranës, me qëllim shmangien e pagesave të TVSH dhe tatimfitimin, duke i shkaktuar shtetit dëm në vlerë TVSH-je dhe tatimfitimi në vlerën e 350 milionë lekë të reja.

Vijon puna intesive për kapjen e pesë shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim. Materialet proceduriale ju kaluan Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasit E. Z., për veprat penale të “Fshehje të ardhurash”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Falsifikimi i vulave stampave dhe formularëve”./abcnews.al

PRIFTERINJTE-SHBA_ABC-1280x720.jpg
G. P.16:30 | 15/09/2018

24 priftërinj të tjerë janë akuzuar për abuzime seksuale ndaj të miturve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga kishat ndërsa të tjerët kanë dalë në pension.

Pas skandalit të shpërthyer në Pensilvani, peshkopi i Salt Lejk Siti në Juta, bëri publike një sesi akuzash të besueshme për pedofili ndaj 16 priftërinjve të Dioqezës. Abuzimet kanë nisur që nga 1990. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në San Diego, Kaliforni ku janë tetë priftërinjtë të tjerë që akuzohen për pedofili.

Dioqeza në Salt Lejk Siti ka marrë denoncime nga 34 viktima, dhe faktet përfshijnë 16 priftërinj dhe dy zyrtarë fetarë që kanë abuzuar seksualisht me të mitur. Ndërkohë në vitin 2007 dioqeza ka marrë dhe 144 denoncime për të njëjtën akuzë kundrejt 48 priftërinjve. Por për ta nuk është dhënë asnjë detaj më shumë.

Të gjitha viktimave do iu ofrohet asistencë dhe terapi psikologjike, ndërsa të gjithë priftërinjtë e akuzuar janë larguar, kanë dalë në pension ose kanë ndërruar jetë./abcnews.al

rruget-1.jpg
G. P.13:59 | 29/08/2018

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda refuzoi kërkesën për lirim nga qelia të Albens Alites, ish-zyrtarit të ARRSH-së. Alite akuzohet për abuzime me tenderat gjatë ndërtimit të segmentit rrugor “Tiranë-Elbasan”, dosje në të cilën po hetohen edhe ish-drejtuesi i ARRSH-së, Dashamir Xhika dhe ish-zyrtari, Aksel Qurduka.

Në seancën e së mërkurës një Kolegj Penal nuk pranoi kërkesën e paraqitur nga avokati i Alites, për zbutje të masës për shkak të kalimit të afatit 6-mujor. Në të njëjtën seancë, Alite kërkoi shfuqizimiun e vendimit të Shkallës së Parë për zgjatje të hetimeve me tre muaj të tjerë.

Për këtë kërkesë gjykata do të shprehet në një seancë tjetër. Prokuroria për Krimet e Rënda prentendon se ish-zyrtarët e ARRSH kanë konsumuar veprën penale të “korrupsionit” dhe “shpërdorimit të detyrës” gjatë procedurave tenderuese të rrugës “Tiranë-Elbasan”.

Ata u kallëzuan nga KLSH e më pas nga Ministria e Infrastrukturës, pas një auditi që konstatoi një dëm prej gati 54 milionë dollar në buxhetin e shtetit./abcnews.al

femije-1.jpg
G. P.12:15 | 30/07/2018

Në qendrat e pritjes së emigrantëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kryer abuzime mbi dhjetëra fëmijë. Denoncimi është bërë nga shoqata e gazetarisë investigative “Propublica” që flet për 125 denoncime që nga viti 2014.

Abuzime seksuale ndaj fëmijëvenë qendrat e pritjes së emigrantëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Denoncimi është bërë nga shoqata amerikane ProPulbica, e cila merret me gazetari investigative.

Duke cituar burime të policisë kjo shoqatë konfirmon se janë 125 denoncime për abuzime seksuale ndaj fëmijëve emigrantë në këto qendra duke nisur që nga viti 2014.

Lajmi është publikuar nga CNN. Shoqata e gazetarisë investigative jo fitimprurëse konfirmon se ka prova të dokumentuara për keqtrajtime, por dhe për fëmijë të zhdukur në 70 nga 100 qendrat për emigrantët që menaxhohen nga një agjenci e qeverisë amerikane./abcnews.al

dashamir-xhika-1-933x445.jpg
G. P.14:08 | 21/07/2018

Dashamir Xhika, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar kërkon të lirohet nga masa e sigurisë “arrest në burg”. Ish-zyrtari i lartë mbahet në qeli nga 7 Shkurti pas dyshimeve  për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre” gjatë procedurave për ndërtimin e segmentit rrugor Tiranë-Elbasan, duke i sjellë dëm miliona dollarë buxhetit të shtetit.

Kërkesa për shfuqizim të masës së sigurisë është depozituar në Gjykatën për Krimet e Rënda, ku pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi. Në kërkesë Xhika pretendon se kanë ndryshuar kushtet dhe se masa duhet të zbutet.

Për të njëjtën çështje, në hetim nga Krimet e Rënda janë edhe ish-vartësit e tij Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Në vijimësi të hetimit Xhika ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën. Ai ka pretenduar se në funksionin e titullarit ishte personi i fundit që firmoste dhe se të gjitha aktet e nënshkruara prej tij, kishin pasur dakordësinë e strukturave përkatëse./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono