11 shtatori

p07n4dv8.jpg
ent ela19:27 | 13/09/2019

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara do të publikojnë emrin e një tjetër të dyshuari të lidhur me sulmet e 11 shtatorit 2001. Bëhet fjalë për një shtetas saudit që dyshohet se ka luajtur një rol kyç në atentate, por identiteti i të cilit është mbajtur i fshehtë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka deklaruar se do të zbulojë një emër kyç të lidhur me sulmet e 11 shtatorit, të kërkuar nga familjarët e viktimave që kanë paditur Arabinë Saudite për ngjarjet e vitit 2001. Në një njoftim për shtyp thuhet se informacioni do t’u jepet avokatëve që përfaqësojnë familijarët e viktimave dhe nuk dihet nëse identiteti i personit në fjalë do të bëhet publik. 15 nga 19 miliatëntët e Al Kaedës që organizuan sulmet ishin sauditë. Në vitin 2004, komisioni për ngjarjet e 11 shtatorit i ngritur nga Kongresi amerikan nuk gjeti prova se qeveria saudite kishte financuar Al Kaedën. Por një raport i vitit 2012 i Byrosë Federale të Hetimeve thoshte se agjencia po hetonte dy shtetas sauditë që kishin ndihmuar atentatorët. Njëri prej tyre është Fahad al-Thumairi, ish-zyrtar i konsullatës saudite; ndërsa tjetri Ahmed al-Bajumi, ish-oficer i shërbimeve inteligjente të mbretërisë. Raporti i FBI-së, që u publikua në formë të redaktuar, citonte gjithashtu një person të tretë, emri i të cilit nuk u publikua. Familjet e viktimave që kanë paditur qeverinë saudite kanë kërkuar me insistim publikimin e identitetit të personit në fjalë. Më 11 shtator 2001, atentatorët përplasën avionët e marrë peng ndaj Kullave Binjake në Nju Jork dhe Pentagonit në Uashington. Ndërkohë, një avion tjetër i marrë peng u rrëzua në Pensilvani pas rebelimit të pasagjerëve. /ABC News Albania 24/7

 

TRUMP-11-SHTATORI.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela19:30 | 11/09/2019

Me rastin e 18-vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit, presidenti Donald Trump ka paralajmëruar armiqtë e Shteteve të Bashkuara se do të përballen me një forcë të paparë më parë nëse i bëjnë keq Amerikës. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Pentagon, Trump ka mbrojtur edhe vendimin e tij për të anuluar marrëveshjen e paqes me talebanët.

Në fjalimin e mbajtur të mërkurën në Pentagon, me rastin e 18-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, presidenti Donald Trump paralajmëroi armiqtë e Shteteve të Bashkuara se do ta paguajnë shtrenjtë nëse sulmojnë Amerikën.

“Nëse armiqtë tanë kthehen, ne do të shkojmë kudo që ata ndodhen dhe do të përdorim forcën tonë si kurrë më parë. Ata as që e imagjinojnë dot se çfarë do t’u ndodhë nëse prekin Amerikën. Asnjë armik në tokë nuk mund të krahasohet me forcën e ushtrisë amerikane”, tha Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë sqaroi edhe përse anuloi marrëveshjen e paqes me talebanët. “I anulova bisedimet me ta kur mësova se kishin vrarë një ushtar amerikan nga Puerto Riko dhe 11 njerëz të tjerë të pafajshëm. Ata kujtuan se kështu do të tregonin forcën, por u treguan të dobët”, tha Trump para të pranishëmve, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara i kanë goditur armiqtë më fortë se kurrë më parë në 4 ditët e fundit.

Presidenti kujtoi edhe ditën e 18 viteve më parë. Ai tha se, sulmin e parë ndaj Kullave Binjake e kishte mësuar nga televizori, ndërsa të dytin e kishte parë direkt nga një ndërtesë në Manhatan.

“Isha atje kur pash avionin e dytë të përplasej me shpejtësi të lartë. Atëherë e kuptova se bota do të ndryshonte”, tha Trump, duke shtuar se sulmet e 11 shtatorit kanë lënë shenjën e tyre tek shpirti i çdo qytetari amerikan që përjetoi atë ditë të rëndë për Amerikën. Sulmet e 11 Shtatorit ndaj Kullave Binjake në Nju Jork, ndaj Pentagonit në Uashington dhe në Pensilvani u morën jetën mbi 3 mijë personave. /ABC News Albania 24/7

 

 

kosova-1.jpg
G. P.14:24 | 11/09/2019

Në orët e hershme të mëngjesit, çdo gjë ishte gati në sheshin “Bill Clinton” për aktivitet e ditës, në nderim të viktimave të sulmit të 11 Shtatorit 2011. Ndërsa në oborrin e Qeverisë së Kosovës është zbuluar pllaka përkujtimore me mbishkrimin “Kosova kujton”.

Kryeministri Haradinaj tha se para 18 vitesh edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi popullin mik të Amerikës. Ndërsa në një konferencë për mediat, Haradinaj tha se SHBA-ja nuk është për ndarje të Kosovës.

“Në kufirin e Kosovës ndahet edhe kufiri mes influencave të Amerikës dhe Rusisë dhe ne jemi vijë e frontit. Jam i bindur se Amerika çdoherë është me Kosovën”.

Ai foli edhe për shkarkimin e Këshilltarit për Siguri Kombëtare të Presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton.

“Unë kam respekt për John Bolton. Ai ka qenë i përfshirë në plot tema globale. Sa i përket çështjes së Ballkanit dhe Kosovës, mendoj se në Ballkan kanë ndodhur gabimet dhe jo në Washington. Sugjerimet i kanë shkuar të gabuara Washingtonit prej Ballkanit. Kuptohet prej Presidentit Vuçiç, sepse ai e ka interes shtetëror copëtimin e Kosovës, por janë bërë gabime edhe prej tjerëve”.

Ditë më parë në Kosovë kanë qëndruar dy senatorë amerikanë të cilët kanë inkurajuar liderët politikë e institucionalë për vazhdimin e dialogut Kosovës-Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje finale./ABC News Albania 24/7

seven-eleven.jpg
G. P.12:49 | 11/09/2019

18 vjet pas sulmit të rëndë terrorist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkujtojnë 11 Shtatorin dhe rreth 3 mijë viktimat. Të afërmit e viktimave do të mblidhen në Ground Zero, ndërsa presidenti amerikan Trump do të jetë në Pentagon.

Amerika përkujton 11 Shtatorin. Është përvjetori i 18-të i atentatit më vdekjeprurës të ndodhur në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ceremonitë përkujtimore do të shoqërohen me apele për të mos harruar asnjëherë atë që ndodhi.

Të afërmit e rreth 3 mijë viktimave të atentatit të 11 Shtatorit 2001 do të mblidhen në Ground Zero. Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në Pentagon, ku do të jetë i pranishëm dhe George Bush, i cili ishte president në momentin e sulmeve.

Zëvendës presidenti amerikan Mike Pence do të flasë pranë Shanksvill, në Pensilvani ku ndodhi sulmi i tretë terrorist. Në të gjitha shkollat në shtetin e Nju Jork, studentët do të mbajnë një minutë heshtje, gjë që së fundmi është bërë e detyrueshme me ligj.

Avionët që u sekuestruan nga terroristët në 11 Shtator 2001 e që më pas u devijuan kundër kullave binjake në Manhatan dhe kundër Pentagonit, shkaktuan rreth 3 mijë viktima, emrat e të cilëve do të lexohen me zë të lartë gjatë ceremonisë në Ground Zero.

Pasojat e atentateve janë të dukshme kudo: që nga siguria në aeroporte dhe lufta kundër terrorizmit e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët në shumë vende me shumicë myslimane.

Ndërkohë po në kuadër të 11 Shtatorit u hodh një raketë kundër ambasadës amerikane në Afganistan, ku pas atentateve të 2001-shit, dhe nisi një pushtim amerikan që u transformua në luftën më të gjatë të ndërmarrë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Misionet ushtarake në Afganistan dhe në Irak, për shumë analistë janë shkaqet e situatave të paqëndrueshme dhe shkatërrimit në këto vende./ABC News Albania 24/7

frika.jpg
G. P.23:48 | 10/06/2019

Një pilot ka humbur jetën në Shtetet e Bashkuara pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u përplas me majën e një grataçele në Manhatan të Nju Jorkut, teksa tentonte të ulej. Guvernatori i Nju Jorkut, Endriu Kuomo deklaroi se godina 54-vjeçare, e përdorur kryesisht për zyra, u trondit nga impakti. Gjithashtu, përplasja shkaktoi një zjarr në tarracën e ndërtesës, por u vu nën kontroll nga zjarrfikësit.

Për arsye sigurie persona të shumtë u evakuuan nga kulla, por për fat të mirë nuk pati asnjë të lënduar. Guvernatori Kuomo ka shtuar se qytetarët e Nju Jorkut mbetën të trembur nga lajmi për shkak se vuajnë ende nga traumat e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Piloti ishte i vetmi person që po udhëtonte në bordin e helikopterit, që ndodhi rreth orës 20 të së hënës, me orën tonë, në ndërtesën që ndodhet në shëtitoren numër 7 të qytetit./ABC News Albania 24/7

C_2_articolo_3162583_upiImagepp.jpg
ent ela08:47 | 11/09/2018

Kanë kaluar 17 vjet që nga dita që ka ndryshuar përgjithmonë historinë e Shteteve të Bashkuara dhe botës, që nga ajo 11 shtator 2001, në të cilën një sulm i tmerrshëm shkaktoi vdekjen e rreth tre mijë njerëzve në zemër të Nju Jorkut. Ndërsa vendi përgatitet për të kujtuar viktimat e masakrës së Kullave Binjake, Big Apple ka vendosur të rihapë stacionin e metrosë së World Trade Center, që u shkatërrua plotësisht gjatë sulmit.

Stacioni i metrosë u varros nën gërmadhat e kullave binjake dhe rindërtimi i tij shihet si një fazë rilindjeje. Aq sa treni i parë që kaloi në këtë stacion u përshëndet nga qindra persona.

Punimet të cilat filluan në vitin 2015, sipas Nju Jork Tajms kanë kushtuar rreth 182 milion dollarë. Brenda stacionit ndodhet dhe një mozaik në mermer të bardhë ku është gdhendur teksti i deklaratës së pavarësisë dhe i deklaratës universale të të drejtave të njeriut të OKB-së.

Ashtu si çdo vit, me rastin e përvjetorit të masakrës, janë në program ceremoni përkujtimore për viktimat në Nju Jork me leximin e emrave në Qendrën Tregtare Botërore, në Uashington për të kujtuar sulmin në Pentagon, dhe në Pensilvani ku u përplas avioni i “United Airlines”.

Presidenti amerikan Donald Tramp me bashkëshorten e tij Melani kanë vendosur të mos qëndrojnë në Nju Jork, por të shkojnë në memorialin e 11 shtatorit në Shenksvill të Pensilvanisë. Vitin e kaluar Trump nderoi përvjetorin e parë të masakrës si kreu i Shtëpispë së Bardhë, duke marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon.

 

Mbi 3 mijë njerëz humbën jetën kur rrëmbyesit përplasën katër avionë mbi kullat binjake në Qendrën Botërore të Tregtisë në Neë York, mbi ndërtesën e Pentagonit në Washington dhe në një fushë në shtetin Pennsylvania.

Përgjegjës për sulmin ishte organizata terroriste Al Qaeda, e cila vepronte kryesisht në Afganistan.

Pas këtij sulmi, SHBA dhe aleatët e saj, sulmuan trupat terroriste Al Qaedas në Afganistan, për t’i dhënë botës një jetë më të sigurt, ndërsa pas disa viteve, trupat amerikane vranë edhe liderin terrorist Bin Laden, i cili ishte strehuar në Pakistan me familjen e tij. /abcnews.al

 

truri-e1525888829401.jpg
G. P.22:55 | 09/05/2018

Teksa e zgjedhura e Presidentit Trump për drejtimin e CIA-s po has vështirësi për të marrë konfirmimin, personi që njihet si “truri” i sulmeve të 11 Shtatorit ka bërë me dije se ka informacione që kompromentojnë figurën e saj.

Personi i vetëdeklaruar si truri i sulmeve të 11 Shtatorit ka kërkuar leje për të shpërndarë informacionet që zotëron për Gina Haspel, gruaja e zgjedhur nga presidenti Donald Trump për drejtimin e CIA-s.

Khalid Sheikh Mohammed, që aktualisht mbahet në burgun famëkeq të Guantanamos në Kubë, i ka bërë kërkesë gjyqtarit të çështjes së tij nëse mund të publikojë 6 paragrafe me të dhëna mbi Haspel.

Sipas “New York Times”, që ka raportuar lajmin, ende nuk është e qartë nëse kërkesa e tij është pranuar. Mohammed u torturua nga CIA pas arrestimit të tij në vitin 2003.

Emërimi i zonjës Haspel po has kundërshtimin e opozitës për shkak të rolit të saj në menaxhimin e një burgu sekret në Tajlandë ku kryheshin tortura, si ajo që simulon mbytjen me ujë.

Në seancën e parë të konfirmimit, që nisi një ditë më parë, zonja Haspel premtoi se nën lidershipin e saj CIA nuk do të nisë një program të ri torturash dhe qendrash të reja burgimi. Ajo u tha anëtarëve të komisionit të inteligjencës se CIA ka mësuar nga gabimet e së shkuarës.

“Mbështes plotësisht trajtimin e të ndaluarve sipas ligjit dhe premtoj se do ta mbaj CIA-n të fokusuar tek mbledhja e informacionit”, deklaroi Haspel./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono