Ekstradohet nga Kosova atentatori i Lul Berishës

14:30 | 20/07/2018

Interpol Tirana ekstradoi nga Kosova 35-vjeçarin Ahmet Ajeti. Ky i fundit është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi është dënuar me 20 vite heqje lirie për tentativën e vrasjes së Lul Berishës, ish i dënuar për drejtimin e bandës së Durrësit. Ajeti për 80 mijë euro pagesë kishte pranuar të vriste në 2005-n Lul Berishën me antitank.

13 vjet pasi tentoi të vriste Lulzim Berishën, i njohur dhe i gjykuar nga drejtësia shqiptare si njëri prej ish-drejtuesve të së ashtuquajturës Banda e Durrësit, Ahmet Ajeti rikthet në Shqipëri, veçse kësaj here me pranga në duar dhe me një vendim gjykate që i heq lirinë për 20 vite për akuzën e vrasjes me paramendim.

35-vjeçari nga Lipjani u ekstradua prej Interpol Tiranës nga Kosova drejt vendit tonë. Në 30 Gusht të vitit 2005, Ajeti, asaj kohe 22-vjeçar, mori pjesë në një tentativë vrasje të Lulzim Berishës, por mbeti i plagosur vetë sipas materialeve që u patën bërë publike në procesin gjyqësor kundër të ashtuquajturës Banda e Durrësit.

Organizata kriminale e drejtuar nga Endrit Dokle planifikonte të godiste Lulzim Berishën me armë të rënda antitank. Për këtë u krijuan disa lidhje në Kosovë. Pas komunikimeve organizatës i vijnë në Tiranë dy armë zjarri antitank me një përdorim me vlerë 500 euro copa. Këto armë do të përdoreshin për të goditur Lulzim Berishën, por asnjëri prej anëtarëve të organizatës nuk dinte t’i përdorte. E në këto kushte erdhën Ahmet Ajeti e Osman Karpuzi, që të bëjnë të mundur goditjen me antitank të Lulzim Berisha, kundrejt shpërblimit prej 80 mijë eurosh.

Por para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej Lulzim Berisha, shtetasi Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën dhe është vetëplagosur. Ahmet Ajeti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë, 07 Mars të 2016-s, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në 16 Janar të2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje”./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono