Ekskluzive | Superiorja, gjuha shqipe dhe kritikat e Idrizit: rrëfehet “gojëmjalti” Sarris

09:16 | 23/10/201909:160

Nuk është menduar shumë për të pranuar një sfidë të re, edhe pse vetëm në fund ka nënshkruar për Flamurtarin. Giorgos Sarris, mbrojtësi grek i vlonjatëve, është ndalur të flasë gjatë për futbollin shqiptar në një prononcim për ABC News. E thotë hapur, është mësuar të ndryshojë vende dhe nuk e ka aspak problem. Për vite të tëra ka luajtur në Greqi, për të kaluar në Turqi dhe më pas në Skoci e Rumani. Karriera e tij është e pasur, teksa ka luajtur për ekipe si Ergotelis, AEK, Kayseri Erciyes Spor, Hamilton dhe Petrolul 52.

“Nuk jam ai tip lojtari që e ka problem të largohet nga vendi i vet, ky është i pesti vend për mua ku luaj futboll. Kështu që nuk ishte e vështirë. Miku im, Albi Alla, më ka thënë fjalët më të mira për kampionatin këtu dhe unë e besoj atë, pasi e kam si vëlla. Ndaj edhe e mora këtë shans”, tregon Sarris, i cili thekson më tej se është përshtatur shpejt dhe se Vlora është si një shtëpi për të.

Sarris, me fanellën e Hamilton në Skoci

“Nuk ka qenë aspak e vështirë të përshtatshem. Grekët dhe shqiptarët janë të ngjashëm dhe këtu në Vlorë ka shumë njerëz që flasin greqisht. Ndihem si në shtëpi këtu”, shton mbrojtësi 30-vjeçar. Superiorja merr vlerësime pozitive dhe Sarris e ka ndjekur më parë shkak të mikut të tij, Albi Alla.

“Niveli është shumë i mirë. Kampionati ka shumë lojtarë të mirë, sikurse edhe ekipe të tilla. Bëhet fjalë për një kampionat që çdo vit synohet të bëhet më e mirë. E them këtë pasi e kam ndjekur kampionatin shqiptar edhe vite më parë, për shkak të Albit”, thotë shtatlarti, i cili nuk dëshiron të bëjë krahasime të Superiores me kampionatet e tjera ku ka luajtur.

“Nuk mund t’i krahasoj kampionatet, sepse në çdo ligë ku kam luajtur ka qenë ndryshe. Nëse më duhet me çdo kusht ta krahasoj me një kampionat, mund të them që është e ngjashme me të Greqisë”, shprehet futbollisti i vlonjatëve. Ai flet edhe për faktin që në Vlorë i duhet të luajë me shumë të rinj dhe nuk e shikon si një problem.

Mbrojtësi Sarris gjatë prezantimit në Rumani

“Nuk është e vështirë të luash me të rinj. Kam luajtur gjatë gjithë karrierës time më lojtare të rinj. Lojtarët  me eksperiencë mundohen t’i ndihmojnë të rinjtë dhe ata mund të mësojnë nga ata me përvojë. Kohërat kanë ndryshuar tani”, shprehet Sarris. Gjuha është një tjetër element i rëndësishëm, por që nuk e pengon atë të shprehet në fushë.

“Nuk kam pasur asnjë problem me gjuhën. Sa herë që ndryshon shtet duhet që fillimisht të mësosh disa fjalë që mund të ndihmojnë në fushë. Për mua ka qenë e lehtë, pasi shumë lojtarë flasin anglisht dhe një prej shokëve të skuadrës flet edhe greqisht”, vijon mbrojtësi, i cili flet edhe për gjuhën shqiqe dhe fjalët e para që ka mësuar”.

“Gjithçka e re është më e vështirë. Dija disa fjalë jo të mira para se të vija këtu, kështu që është më mirë të mos përgjigjem cilën fjalë kam mësuar të parën (qesh)”, shton Sarris duke qeshur. Analiza për Superioren vazhdon dhe mbrojtësi tregon çfarë i ka bërë përshtypje në kampionatin tonë.

Foto nga takimi i Superiores. Flamurtari-Laçi

“Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje është që kushdo mund të fitoje ndaj kujtdo. Diferencat mes ekipeve nuk janë shumë të mëdha”, deklaron greku i Flamurtarit, i cili nuk fshihet më pas kur thotë se në Shqipëri ka ardhur me shpresën që do të rikthehet sërish të luajë në nivele të larta. Edhe pse 30 vjeç, Superiorja mund të jetë një trampolinë.

“Ai është qëllimi im. Çdo moment jam në kërkim të më së mirës. Zoti ka një plan për këdo dhe ai më solli këtu për një arsye. Kështu që do të jap më të mirën çdo ditë dhe të pres për planin e  tij”, thotë Sarris. Pas humbjes me Bylisin, me rezultatin 5-0, u raportua për kritika të administratorit Sinan Idrizi ndaj qendërmbrojtësit.

Adiministratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi

Sarris thotë se as ka pasur ndonjë komunikim me kreun e klubit vlonjat: “Të gjithë e dinë që ajo nuk është e vërtetë. Nuk e di kush e ka shkruar. Unë kurrë nuk kam folur me presidentin dhe kurrë nuk kemi pasur një takim. Është mirë që nëse dikush thotë diçka, të jetë i sigurt për atë që shkruan ose thotë. E gjitha ka të bëjë me respektin reciprok”.

I pyetur për të veçuar ndonjë futbollist nga Superiorja, Sarris nuk përmend emra: “Nuk mund të them emra, por çdo ekip ka lojtarë shumë të mirë, të rinj dhe me eksperiencë. Futbolli shqiptar ka shumë kualitete”. Mbrojtësi, në fund, i ngacmuar për të dhënë ndonjë këshillë që Superiorja të përmirësohet, thotë: “Unë nuk jam dikush që mund dhe duhet të them diçka. Është fakt që futbolli shqiptar po përmirësohet dhe çdokush mund ta shohë diçka të tillë duke nisur nga kombëtarja”. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono