EKSKLUZIVE/ “Askush nuk e ka pritur!”, aventura polake dhe rilindja e Sahitit

14:05 | 30/10/201914:050

Wisla Plock kryeson kampionatin në Poloni kur janë luajtur 13 ndeshje, duke i surprizuar të gjithë. Pjesë e polakëve është edhe një futbollist shqiptar, Suad Sahiti. Sulmuesi anësor i është bashkuar me vonesë ekipit të Wisla Plock dhe deri më tani gjërat për të po shkojnë mirë.

“Deri tani po më shkon mirë. Kam ardhur me vonesë në Poloni, kur ishin zhvilluar 2-3 javë kampionat. Normalisht më duhej kohë që të përgatitesha, të njihja ekipin e ri dhe gjithçka tjetër këtu. Për mua është një sfidë e re”, tha fillimisht Sahiti për ABC News.

Anësori ka provuar edhe Superioren, për të kaluar më pas në Greqi dhe Bullgari. Gjithsesi futbolli në Poloni është i një tjetër niveli, sikurse edhe Sahiti shprehet:  “Më ka ndihmuar aktivizimi në Bullgari. Atje shkova i dëmtuar pas eksperiencës në Greqi. Luajta 11-12 ndeshje dhe sadopak më kanë ndihmuar të kap formën dhe të kem minuta në këmbë. Mirëpo futbolli këtu në Poloni ndryshon”.

Sahiti para një ndeshjeje me Wisla Plock

Sahiti vijon rrëfimin e tij, duke folur për futbollin polak dhe kryesimin e skuadrës së tij në kampionat. “Këtu të gjitha ekipet janë të organizuara mirë, kanë një nivel shumë të lartë dhe punohet shumë taktikisht. Deri tani jam përshtatur shumë mirë me ekipin tim. Ndodhemi në vendin e parë dhe nuk e kishte pritur ndokush diçka të tillë. Mirëpo jemi duke bërë një punë shumë të mirë në javët e fundit. Edhe trajneri aktual ka ardhur pas javës së tretë dhe po bëjmë paraqitje të mira”, shton 24-vjeçari.

Nuk është se ka ndonjë sekret të madh për ecurinë e mirë të Wisla Plock, që objektiv kryesor ka renditjen në tetë vendet e para.  “Kemi një grup të mirë lojtarësh, stërvitemi mirë dhe normalisht angazhohemi shumë në seanca dhe në ndeshje që të marrim rezultate pozitive. Jemi një ekip që nuk e ka pritur askush të jemi këtu ku jemi sot. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ecuri dhe pastaj të shohim se ku do të arrijmë në fund të sezonit.

Sahiti në një ndeshje në kampionatin polak

Gara është interesante dhe shikohemi si jo favorit. Gjithsesi në futboll asnjëherë nuk i dihet. Ne dëshirojmë të jemi në tetë vendet e para dhe më pas të luajmë në ‘play-off”. Shpresoj t’ia dalim. Titulli? Në fillim nuk përmendej titulli te ne, mirëpo e kemi patë që gjithçka është e mundur. Pse jo? Gjithsesi duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një.

Edhe vjet u shpall kampion Piast, që nuk e priste askush. Shpresojmë të vazhdojmë kështu, me këtë ecuri të mirë dhe të marrim pjesë në ‘play-off. Pastaj aty gjithçka është e mundur. Kampionati është i gjatë dhe normalisht ka ekipe që janë shumë të fuqishme”, deklaron Sahiti, i cili flet edhe për luhatjet në vitet e fundit. Kur ishte te Rabotnicki flitej shumë për të dhe Skënderbeu u pa si trampolina për të ardhmen.

Sahiti (21) kur ishte pjesë e Skënderbeut

“Kam pasur luhatje në karrierë. Kohët e fundit edhe dëmtimet i kam pasur të shumta, sikurse ka edhe gjëra të tjera që nuk dua t’u përmend. Mirëpo jam duke punuar shumë që të kap maksimumin tim dhe të kthehem aty ku dua. Jam në rrugë të mirë dhe shpresoj të mos kem dëmtime e të vazhdoj kështu. Mora vendim të gabuar kur shkova te Skënderbeu. Gjithsesi tanimë ajo i përket së shkuarës dhe dua të mendoj për të tashmen, të jem sa më mirë. Çfarë nuk shkoi? (qesh) Shumë gjëra, por nuk dua të flas për atë periudhë. Mirëpo kam edhe momente të mira nga ajo eksperiencë”.

Sahiti, normalisht do të donte që në të ardhmen të merrte një ftesë sërish nga Kosova. Ai e pranon se nuk do të jetë e lehtë, por do të mundohet t’ia arrijë qëllimit. “Normalisht, pse jo, do e doja një ftesë nga Kosova. Kampionati polak është në nivel të lartë. Nëse vazhdoj me ecuri të mirë, do ishte diçka pozitive. Normalisht është e vështirë, pasi ka lojtarë me shumë cilësi në përfaqësuese. Gjithsesi asnjëherë nuk i dihet dhe unë do jem gati në çdo moment për çdo sfidë që më pret”, ka përfunduar Sahiti. /abcnews.al

Sahiti dhe Rrahmani në një grumbullim me Kosovën

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono