16:04 | 20/10/2018

Edi Rama duket i vetmuar në këtë periudhë, ku akuzat për të vetët i bëhen edhe duke patur si bazë dokumente të prokurorisë. Amplifikimi i tyre në mediat tradicionale e sociale, duke ushqyer më pas debatin e mbrëmjeve televizive, duket një dimension që nuk e kontrollon dot. Po tund publikisht një ligj antishpifje kundër të gjithëve, e në pritje që ta finalizojë, ka nisur me numrin 2 të partisë së tij, një seri kallëzimesh në prokurori, shumica ndaj eksponentëve të opozitës. Një prej të kallëzuarve, më shumë se një herë, e i thirrur edhe në prokurori, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, paralajmëron se synon ta largojë Ramën nga politika e ta çojë para drejtësisë, për ç’ka e akuzon.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Historia e Babales, jo vetëm që nuk u qartësua, por nga dokumente të prokurorisë duket edhe më e errët pasi personi i vetëdenocuar si aktori që u përdor si zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, në audiopërgjimin e Albert Veliut, ka qenë nën përgjim nga prokuroria. Me ato dokumente të prokurorisë i vijoi denoncimet selia blu, duke publikuar një përgjim të Fredi Alizotit me drejtorin e policisë Fier e një tjetër.

Pjesa tjetër e përgjimit u publikua nga një tjetër deputet i PD, njëlloj i kallëzuar nga kreu i grupit parlamentar socialist për shpifje. Në dokumentin e prokurorisë ishte zbardhur një rrëfim që Fredi Alizoti i bënte dikujt në telefon, tre ditë para se të vetëdenoncohej në polici si zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm.

Demokratët aludojnë se Taulanti nga Librazhdi, të cilit i referohet Alizoti është numri dy i PS. Duhet thënë se Taulant Balla është prej javësh shënjestra politike e opozitës. Pas akuzave të forta të Emiljano Nuhut për çështjen Xhisiela, përgjimeve të Fredi Alizotit për çështjen Babalja, selia blu artikuloi akuza të reja, sipas saj bazuar në të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS të lëvizjeve të përbashkëta të Taulant Ballës me një ish trafikant droge që sipas opozitës ka përfituar tendera publikë në zonën elektorale të Ballës.

Ervin Salianji: “Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega, shpeshherë me të njëjtën makinë, kryesisht me automjetin e Taulant Ballës me targa AA900IN. Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega me të njëjtin avion, ku destinacioni më kryesor ka qënë Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi apo Mali i Zi. Vetëm në Vjenë kanë udhëtuar bashkë plot 14 herë. Ku i gjeti paratë Taulanti për udhëtime me charter plot 18 herë”?  

Tashmë Taulant Balla denoncon çdo akuzë në prokurori si shpifje, siç sugjeron paketa antishpifje që Kryeministri thotë se po përgatit, duke e shpallur si kontribut për atë që Rama ka caktuar si fondi i edukimit, për konstruksion çerdhesh e shkollash. E bëri të ditur edhe për këtë rast përmes Facebook, por duke iu drejtuar kryetarit të PD.

Lulzim mjaft e shpërdorove Sali-anjin me shpifje, për udhëtime 18 herë me chartera. Informacioni është në Albcontrol dhe mund ta merrni. Pse nuk bëni kallzim në Prokurori? Megjithatë faleminderit që po vijon te kontribosh për Fondin e Edukimit. Të hënën padia në gjykatë!”

Organi i akuzës duket i impenjuar me kohë e hetime në çështjet ku përfshihen politikanë e funksionarë publikë. Javën politike që lamë pas, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u mor në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rreth 60 minuta, lidhur me hetimet për dosjen e Babales, e përmendjen e emrit të tij nga Alfred Alizoti.

Në prokurori u thirr edhe deputeti socialist Rrahman Rraja, që u akuzua publikisht nga ish-oficeri Nuhu se kishte ushtruar presion për të birin e denoncuar për dhunë në polici.

Edhe gazetari Basir Çollaku, që intervistoi Emiljano Nuhun po hetohet për shpifje, njëlloj si kolegu i tij Jetmir Olldashi, që intervistoi Albert Veliun. Edhe Taulant Balla u thirr nga Krimet e Rënda për deklarimet e përgjuara të Fredi Alizotit. Por Balla ishte në prokuror për të shtuar padi të reja për Salianjin e Bashën.

Shefi i ekzekutivit nuk impenjohet më publikisht për këtë çështje, ku tashmë lakohen edhe emra të tjerë brenda gardhit të tij. I mblodhi për një fjalim të gjatë drejtues të policisë e zgjodh të tërheqë vemendjen me qasjen për rastin Xhisiela, ndërsa ish oficerin denoncues Emiljano Nuhu, tashmë e lakon vetëm si shpifës.

Që cështja Babalja po i sjell jo pak dhimbje koke Kryeministrit, kjo iu lexua fort, kur përcolli në media të gatshëm këtë material të një inspektimi të punimeve të Unazës së Tiranës. Ai merak ishte nënvizuar dukshëm e zyrtarisht.

Komod me këtë qasje të opozitës që pret reagim nga qytetarët, Kryeministri dukshëm po përpiqet të frenojë amplifikimin në media e rrjetet sociale të akuzave ndaj tij, e të vetëve. Nuk është aspak e lehtë, në kushtet kur akuzat tashmë kanë si bazë dokumente të prokurorisë, për të cilat nuk mund të akuzojë opozitën. Por po tenton të parandalojë efektin e tyre tek qytetarët, duke u fokusuar tek ato që i përcjellin si lajm, vete mediat.

Hartimi i një ligji enkas për veten, ministrat e drejtorët e vet, që i detyron të gjithë të ngrenë padi për cka do konsiderohet shpifje, me një department të posaçëm antishpifje në PS, vjen si një akt i panjohur në vendet demokratike. Eshtë sipërmarrja e re, e një Kryeministër që qeveris i vetëm, me një mazhorancë numerike si askush nga paraardhësit e tij, por që çuditërisht ka nevojë të mbrohet me ligj nga akuzat që i konsideron shpifje./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono