Edi Rama mes medias dhe Ilir Metës

16:44 | 14/12/201916:440

Paralajmërimi i kryeministrit Rama për të kaluar në kuvend më 19 dhjetor atë që e quan paketë “antishpifje” për mediat online dhe ato vizive ka sjellë reagimin e shoqatave, por edhe të aktorëve ndërkombëtarë. Politika në Abc News na sjell këtë betejë personale të kryeministrit ndër vite, të cilën e nisi për të heshtuar akuzat e rivalëve politikë, e po tenton ta finalizojë me ndëshkime të mediave nga organe administrative, të zgjedhura nga parlamenti.

Nga Mimoza Koçiu

Pas ditësh anatemim të mediave për pasqyrimin e situatës së pas tërmetit në vend, Kryeministri bëri këtë paralajmërim nga mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë të premten e 6 dhjetorit.

Ky vendim i gjeti të papërgatitur edhe vetë deputetët, sepse paketa ligjore antishpifje e depozitar nga qeveria në kuvend, nuk kishte kaluar ende në komisionet parlamentare, sipas procedurës që parashikon edhe dëgjesa me grupet e interesit.

Në momente delikate politike për të, Edi Rama i është kthyer vazhdimisht medias me paralajmërime për sanksione ligjore, me disa momente kulmore. I pari i takon nëntorit 2015, kur kishin nisur debatet për dekriminalizimin. Parlamenti ishte kthyer në arenë akuzash e përplasjesh e në fokus ishin të zgjedhurit e Ramës me dënime në të kaluarën. Më 11 nëntor, një ditë para seancës plenare, u zbulua një propozim i KM Rama, për të futur në kodin penal dënimin, deri në 3 vjet burg për shpifje.

Të parët reaguan gazetarët dhe shoqatat e tyre, e të drejtave të njeriut, që e lexuan si kërcënim ndaj mediave. Reagimi ishte i fortë dhe mëngjesin e seancës plenare, më 12 nëntor, përmes tre postimeve në tuiter, KM kërkoi ndjesë që ishte keqkuptuar.

Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet te jete veper penale per çdo politikan qe paguhet me taksat e popullit! Eshte koha qe kjo shoqeri te perballet hapur me kulturen e shpifjes! Populli nuk na zgjedh dhe nuk na paguan me taksat e tij per te shpifur! Edhe neni perkates duhet te reflektoje kete qellim, qe e kam shprehur publikisht me kohe. Ndjese qe ka hapur shteg per nje keqkuptim te madh!

Në fakt dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes, si vepër penale kishte ndodhur 3 vite më herët në 1 mars 2012. Një premtim elektoral i Sali Berishës i materializuar në propozim për dekriminalizimin e shpifjes, u mbështet nga socialistët atëherë në opozitë, duke hequr vetëm dënimin me burg, por duke rritur nivelin e gjobës. Mbi 30 nene të propozuara nga qeveria dhe të riformuluara nga opozita u miratuan me konsensus mes demokratëve në pushtet dhe socialistëve në opozitë. Por ajo që mbeti në Kodin Penal, me këmbënguljen e opozitës së kohës, është se shpifja dhe fyerja, akuza me të cilën përballen zakonisht gazetarët, do të trajtohen penalisht.

Një fitore e pjesshme e organizatave e shoqatave të medias të cilat prej 7 vitesh kërkonin heqjen e shpifjes, si vepër penale.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.

Ajo që socialistët atëherë në opozitë pranuan, ishte heqja nga Kodi Penal i mbrojtjes ligjore që gëzonin zyrtarët, ndaj shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës. Kështu PD e PS bashkuan votat në 2012, duke shfuqizuar nenin e fyerjes për shkak të detyrës, nenin e shpifjes për shkak të detyrës, si dhe nenin e shpifjes ndaj presidentit të Republikës. 3 vjet më vonë Edi Rama dukej se ishte penduar që i kishte dhënë mbështetje heqjes së dënimit me burg për veprën e shpifjes.

Mungesa e një specifikimi që përjashtonte gazetarët, ishte në bazë të skepticizmit të organizatave të medias që reaguan fort, duke adresuar shqetësimin e tyre edhe tek homologët ndërkombëtarë e institucionet ndërkombëtare. “Një nen i tillë, në formën e paraqitur nga kryeministri është një kërcënim serioz në punën tonë të përditshme si gazetarë”, thuhej në deklaratën e tyre. Përfaqësuesja e asaj kohe për Lirinë e Medias të OSBE, zyra në Vjenë, u bëri thirrje deputetëve të rrëzonin propozimin e qeverisë, pasi sipas saj institucionet e zyrtarët publikë, nuk duhet të gëzojnë mbrojtje shtesë ndaj kritikave.

Me të gjithë kundër, Rama u detyrua të tërhiqej.

Ai neni nuk u formulua kurrë e as nuk u përmend më. Por një tjetër situatë delikate u paraqit 3 vjet më vonë, kur një vajzë nga fushë Kruja denoncoi për dhunë djalin e deputetit socialist të zonës Rrahman Rraja. Akuzat e opozitës ndaj mazhorancës si e përfshirë në mbrojtjen e djalit të deputetit socialist u ndezën më keq, kur një komisar policie Emiljano Nuhu denoncoi presione politike nga eksponentë të PS, për të mos e cuar më tej cështjen. Eshtë momenti kur Edi Rama përmes një statusi në rrjetet sociale paralajmëron një paketë antishpifje. Paralajmërimi i dt 2 tetor 2018 ka si shënjestër jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe mediat.

“Më vjen mirë që s’jam më i vetmi që them se vajzën e morën peng dhe e kthyen në mish për topat e kazanit politik e mediatik! Më mirë vonë se kurrë. Ndërkohë duhet çmontuar me fakte pjesa tjetër e këtij horrori mendjesh e gojësh të përdala. Dhe shumë shpejt një paketë antishpifje”.

8 ditë më vonë (10 tetor) tashmë Rama e ka qartësuar shënjestrën e tij. Nuk është më opozita, por media, e para ajo online. Përmes Twitterit, KM thotë se vijon diskutimi për paketën antishpifje, me konkludimin se urbanizimi i asaj që quan xhungël online, nis nga legalizimi portaleve. Ndërsa për mediat nis përgatitjen e një pakete ligjore, nuk e ndërmerr një hap të tillë për kundërshtarët politikë. Ata do t’i padisë në Gjykatë për shpifje, si vepër penale. Nuk mund të mungonte edhe paketimi i imazhit, krijimi i asaj që e quan Fondi i Edukimit. Paratë që do fitohen, sipas KM nga paditë për shpifje, do të shërbejnë për të mbështetur kopshtet e shkollat me libra e materiale mësimore.

Ka kaluar një vit, por ende nuk ka një bilanc gjyqesh apo fondesh në përfituara, nga paditë ndaj shumë eksponentëve të PD, e vetë kryetarit Lulzim Basha, apo nëse ka një shumë të mbledhur në fondin e edukimit. Rama nuk u mor më me denoncime të opozitës, por u përqëndrua plotësisht tek media.

Në 17 dhjetor 2018 kishte gati ndryshimet në ligjin për mediat audiovizive dhe në ligjin funksional të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP. Amendimet parashikonin një rol kontrollues e ndëshkues përmes një institucioni që do ngrihej pranë AMAs, i quajtur Këshilli i Ankesave, si dhe AKEP. Gjobitja deri në mbyllje të medias, bazohet sipas amendamenteve ligjore në shkaqe të gjëra, të cilat përfshijnë gjykimin nëse një lajm i publikuar në një media të caktuar është apo jo “i paanshëm” apo cënon apo jo “moralin publik”. (neni 33.1 dhjetor 2018) Konsultimi me organizatat e mediave, i këtyre projekt ligjeve iu la AMA-s, edhe pse kreu i Bordit Gentian Salaj, tha në atë kohë, se projektligji që prek institucionin e tij është hartuar në fakt jashtë këtij institucioni.

Organizatat e gazetarëve i kundërshtuan që në fillim 2 pligjet, duke iu referuar së pari nenit 22 të kushtetutës, që në pikën 2 thotë se “Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.”

Sidoqoftë ishte presioni i aktorëve ndërkombëtarë, ndaj qeverisë së një vendi që kërkonte hapjen e negociatave të antarësimit me BE, ai që e frenoi KM. Nuk u tërhoq nga ideja, por në mbledhjen e qeverisë së 3 korrikut 2019, miratoi paketën ligjore të rishikuar.

Tashmë në ndryshimet e propozuara është qartësuar, se objekt janë edhe mediat elektronike. “AMA mbikëqyr zbatimin e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e mediave elektronike dhe, në rast shkeljesh, vendos sanksione.”, thuhet në pikën 3 të nenit 10.

7 ditë më vonë, më 11 korrik përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, publikoi një analizë ligjore, në vijim të konsultimeve me qeverinë për atë që nëse miratohet, du quhet Ligji për Shërbimet e Medias në Shqipëri. OSBE kritikon kompetencat e shtuara për AMA-n, duke theksuar se ky institucion nuk mund të vihet në rolin e Gjykatës për të gjykuar lajme, e nuk mund të trajtojë njëlloj median online me atë audiovizive.

Tërheqja e rradhës e Kryeministrit nuk zgjati shumë. Pas refuzimit të hapjes së negociatave nga BE në Samitin e 18 Tetorit, ku sërish qeveria u vu në qendër të kritikave, KM iu rikthye sërish asaj që e quan paketë antishpifje. Në nëntor 2 pligjet u përcollën në kuvend, duke sjellë reagimin e organizatave të medias, por edhe interesin e aktorëve ndërkombëtarë, të cilëve qeveria u ishte drejtuar për ekspertizë. Historia e lëvizjeve të këtyre konsulencave zbulohet pikërisht përmes dëgjesave të mbajtura javën politike që lamë pas në komisionet parlamentare. Kështu, në dëgjesën në komsionin përgjegjës, atë të medias me përfaqësues institucionesh e aktorë ndërkombëtarë, u mësua se kishte qenë komisioni i ligjeve, ai që kishte luajtur rol protagonisti. Ky komision i kishte përcjellë p/ligjet AMA-s, sic konfirmoi kreu Gent Salaj në dëgjesën para komisionit të medias. Bordi i AMAs i mbetur me 5 anëtarë nga 7, kishte votuar me shumicë për rrëzimin e p.ligjit, ndërsa vetë Salaj me një anëtar kishin qenë pro…

A mund t’i jepet AMA-s një rol, që zyrtarisht e ka refuzuar? Kryetarit Gent Salaj i ka mbaruar mandati 5 vjecar në 6 Nëntor, njëlloj si anëtarit Gledis Gjepali më 9 tetor, dhe kuvendi përvec tyre, duhet të emërojë edhe dy emra të rinj, pasi vakancat në AMA janë plot 4.
Edhe institucioni tjetër i përfshirë në këtë paketë ligjore, AKEP ka mungesa. Javën politike që lamë pas u mësua se kreu i këtij institucioni Ilir Zela, më 2 Tetor i kishte paraqitur dorëheqjen kuvendit, organit që e kishte zgjedhur dy vite më parë. Në fillim të dhjetorit, Rama i coi Kuvedit propozimin për zëvendësuesin e Zelës. Në krye të AKEP propozohej drejtori i protokollit të Ramës, Tomi Frashëri. E në pritje të miratimit nga Kuvendi, përfaqësuesi i AKEP në dëgjesën në komisionin e medias, shprehu dakordësinë me detyrën që i caktonte ligji i propozuar nga qeveria

Një ditë para kësaj dëgjese, OSBE bënte të ditur se paketa e propozuar, pavarësisht disa ndryshimeve, ende nuk ishte në standardin që garantonte lirinë e medias. Përfaqësuesi për lirinë e medias Harlem Desir publikoi ekspertizën, ku sërish kritikohej roli prej quasi gjykate i AMA-s dhe AKEP.

Qëndrimi u përcoll edhe në dëgjesën në komisionin e medias, përmes përfaqësueses për media të prezencës së osbe në Tiranë, Irina Radu. Interesant është qëndrimi ndryshe i delegacionit të BE në Shqipëri, që duket më praë qasjes së organizatave të medias që e kundërshtojnë prej një viti atë që njihet si paketa antishpifje. Tre muaj më parë, në shtator ambasadori Luigi soreca nënvizonte se parimi që mbështet BE është vetërregullimi i medias.

Komisioni rekomandon qasje që janë më pak të ashpra, bazuar në një qasje të vetërregullimit. Kjo është qasja që Komisioni Evropian propozon në Komunikimin e tij mbi “Trajtimin e dezinformimit në internet “. Ne mendojmë se standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave janë thelbësore për zhvillimin e mediave të forta dhe pluraliste, dhe duhet të merren parasysh plotësisht nga autoritetet shqiptare.

Qendrimi pro vetërregullimit, u përsërit nga zv. Shefja e Delegacionit të BE-së Monika Bylaite në seancat dëgjimore në komisionet parlamentare mbi paketën e propozuar nga qeveria.

“Sic është bërë e ditur në komentet tona të mëparshme, madje edhe në deklaratat publike, ne sigurisht kemi dhe ndajmë të njëjtat shqetësime si autoritetet shqiptare në lidhje me cështjen e dezinformimit, megjithatë Komisioni Europian vazhdon të rekomandojë qartë qasje më pak të ashpra dhe të bazuara në qasjen e vetërregullimit”.

Tek vetërregullimi e bazojnë kundërshtinë e tyre edhe organizatat e medias, e të të drejtave të njeriut. 15 organizata u bënë bashkë javën politike që lamë pas, në seancat dëgjimore, duke i kërkuar së pari qeverisë të tërhiqte projektligjet, të mbështetura nga organizatat ndërkombëtare të medias, e më pas edhe parlamentit që t’i rrëzonte. (efekt shkurt) edhe pedagogët e gazetarisë ishin në një linjë në qëndrimin e tyre në komisionin e medias, edhe pse me tensione me deputetë.

Interesant është se janë të të paktën dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare që sugjerojnë vetërregullimin e mediave. BE ka financuar një ekspertizë të KiE, që i është vënë në dispozicion komisionit të ligjeve.

“Ne kemi mobilizuar me fonde të BE, ekspertizë tjetër të KiE që ata të ofrojnë opinionin e tyre mbi këtë paketë ligjore që I është vënë në dispozicion komisionit të ligjeve para dy javësh dhe për të gjitha këto arsye I bëjmë thirrje paralamentit edhe njëherë që të përfitoni sa më shumë nga kjo ekspertizë”.

Politika në ABC News e ka siguruar atë opinion, që eksperti ka paraqitur në Komisionin e Ligjeve më 25 nëntor, por që nuk është bërë publik. Duke folur për standardet e KiE, eksperti u ka kujtuar deputetëve nenin 10 të Konventës Europiane të të drejtave të Njeriut, që garanton lirinë e shprehjes, dhe sesi ai nën është lexuar përmes një vendimi të GJEDNJ, që i dha të drejtë një gazetari Rus, që paditi shtetin e tij në vitin 2010. GJEDNJ vlerëson se ndërhyrja e shteteve në ushtrimin e lirisë së shprehjes është e mundur vetëm kur i korrespondon një presioni të nevojshëm social, dhe ajo duhet të jetë e legjitimuar, e justifikuar, nga vendime gjyqësore të mirëarsyetuara.

Në ekspertizë i vihet theksi vetërregullimit, si standarti demokratik.

“Amendimet i fusin mediat online, normalisht jashtë qëllimit të rregullimit të medias audiovizive, brenda sistemit rregullator të medias. Ky propozim është kritikuar në vitin 2018 kur Këshilli i Europës, bëri rishikimin e amendimeve të para të këtij ligji, për shkak të standardit bazë Europian të qasjes ndaj medias së shkruar e shtypit, e me shtrirje tek mediat online e ato audiovizive. Ky standard ka qenë gjithnjë, ai i vetërregullimit nga ky komunitet, përmes Këshillave ose Komisioneve të Mediave”.

Edi Rama nuk u përfshi fare në këtë debat javën politike që lamë pas, edhe pse praktikisht i ka të gjithë kundër. I pyetur nga VOA, drejtori i tij i komunikimit Endri Fuga nuk shfaqi shenja tërheqjeje, por tha se kjo cështje është tashmë është në dorë të parlamentit. (efekt pak sot) Teksa organizatat e medias e të të drejtave të njeriut, po përgatisin edhe protestën si formë reagimi kundër dy projektligjeve mbi mediat, heshtja e Ramës duket enigmatike. Paketa antishpifje është bërë objekt i Komisionit të Helsinkit në SHBA, ku këshilltari i këtij komisioni, ka ngritur pikëpyetje nëse me këto ligje shqipëria do ketë autoritetin për të trajtuar rastet e shkeljes së lirisë së medias, kur të marrë pas pak javësh prezencën e OSBE-së.

Kryeministri i ka votat, e nuk ka pasur ndonjëherë pengesa numerike për zbatimin e vullnetit të tij nga institucioni që në fakt duhet ta kontrollojë, parlamenti. Madje km ka luksin, që edhe të kalojë ligje të personalizara, si propozimet për të ndryshuar ligjet për GJK e sistemin gjyqësor në vend, për të cuar patjetër Arta Vorpsin në Gjykatën kushtetuese në vend të Marsida Xhaferllarit. Një nen i propozuar nga socialistët, do i ligjërojë Vorpsit, betimin para noterit, më 14 nëntor.

Kuvendi e konsideron si të shpallur të emëruar, Arta Vorpsin, pasi renditja e KED, ku ajo figuron e para, është botuar në FZ. Një nen i posacëm me një mekanizëm zhbllokues, edhe për betimin tek presidenti.

Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetutese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese.
Pikërisht përplasja për vakancën që i takonte në GJK, mbi të dekretuarën prej tij Marsida Xhaferllari e të shpallurën nga KED Arta Vorpsi, ka përfunduar me një padi nga presidenti për kreun e KED për “Shpërdorim Detyre” dhe “Përvetësim të Titullit” shtetëror. Për herë të parë një president në detyrë ngjiti shkallët e prokurorisë, ku për 60 minuta iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve të Tiranës lidhur me padinë ndaj Ardian Dvoranit.

Pak minuta më vonë erdhi publikimi i videos së premtuar me titull si u përdor Ardian Dvorani nga mazhoranca për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Një ditë më pas, edhe Ardian Dvorani u pyet për tre orë në prokurori.

Do jetë organi i akuzës së Tiranës që me vendimin e vet pas mbylljes së hetimit, do përcaktojë nëse Presidenti kishte të drejtë në dekretimin e Xhaferllarit apo KED, që publikoi në FZ listën ku kishte renditur të parën Arta Vorpsin. Socialistët duken në garë me kohën për të kaluar në kuvend ndryshimet në ligjin për GJK, që do orientonin këtë moment, përmes rikthimit të Arta Vorpsit.

Seanca e fundit për këtë sesion parlamentar do jetë më 19 dhjetor, datë kur vetë Rama, i vetëm kundër të gjithëve, ka paralajmëruar miratimin e paketës antishpifje. Pavarësish kundërshtive, KM do e kalojë atë paketë. Politika në abcnews ka siguruar materialin që u është shpërndarë deputetëve me ndryshimet e bëra që sic shihet që në krye të dokumentit, autorë të ndryshimeve janë relatorët e komisionit të ligjeve e të mediave, që i janë referuar opinioneve të ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, por jo organizatave të mediave. Deputetëve që do duhet të mbrojnë këto ndryshime u është shpërndarë ky dokument informues, duke u lënë detyrën e ngritjes së kartonëve, për një akt që të paktën 4 vite më parë kishte premtuar me zë e figurë se nuk do ta bënte ndonjëherë. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono