EDHE 6 DITË: Problemet e fundit, situata aktuale e “Arenës Kombëtare”

21:54 | 11/11/201921:540

Fusha e Arenës Kombëtare rrezikon të mos jetë në gjendjen më të mirë për Shqipëri-Francë. Tapeti i barit po përpunohet vazhdimisht, por koha mund të mos jetë e mjaftueshme për t’ia dalë, edhe pse ndeshja do të luhet në këtë stadium.

U mendua se do të ishte gjëja e parë që do t’i përgjigjej pozitivisht apelit. Një stadium ka fushën si gjënë e tij kryesore dhe tek Arena Kombëtare kjo gjë kryesore ka shkaktuar alarmin më të madh. Edhe pse impianti e mori lejen zyrtare nga UEFA, pas inspektimit të së dielës, sërish tapeti i barit nuk do t’ia dijë as për organizmat europiane dhe as për ato shqiptare, pasi ka afatet e veta.

Në rastin më të mirë, fusha do të jetë në 100 për qind vetëm në ditën kur do të luhet ndeshja, në 17 nëntor, pra të dielën që vjen. Shqetësimi është i madh për pjesën pranë portës jugore, qw pësoi dëmtim gjatë ndeshjes së femrave, Vllaznia-Apolonia.

Për shkak të vendosjes, ajo nuk ka marrë sasinë e ndriçimit dhe ngrohtësisë nga dielli, si 70-përqindëshi tjetër, ndaj edhe ka mbetur prapa. Burime në kompaninë që bën punimet, thonë për Abc News se vazhdon plehërimi, por edhe mbjellja e një sasie bari të re.

Nga Greqia, specialistët sjellin llamba nxehtësie që do të vendosen në tribunën krah pjesës jugore të fushës. Ato llamba do të bëjnë ngrohjen artificiale për ta rritur barin, në mënyrë që ai të ketë thellësinë e duhur të rrënjëve.

Tapeti nisi vendosjen në 10 shtator, përfundoi vendosja në 17 shtator. Në bazë të rregullave, duhen 2 muaj të plotë, që ai të mund të përballojë ndeshje, pra data i bie pikërisht 17 nëntori. Federata Shqiptare e Futbollit nuk deshi ta zhvillonte ndeshjen e provës, duke e shtyrë nga 3 në 10 nëntor, por u detyrua nga UEFA.

Shpresohet që gjithçka të jetë gati, por është në limitet e fundit të mundshme. UEFA pati dy të dërguar mbrëmjen e së dielës në Arenë, Fernando Mese dhe Keith Daiton, dhe ata vëzhguan me shumë vëmendje kohën e zbrazjes së stadiumit, po ashtu mënyrën e kontrollimit dhe të hyrjes së spektatorëve.

Përfundimi ishte i kënaqshëm, edhe pse sasia e tifozëve në ndeshjen e kontrollit nuk ishte e madhe. Frikë më të madhe, edhe sesa UEFA, duket se kanë punonjësit privatë të sigurisë që janë pajtuar për në ndeshjet e kombëtares, apo në sfidat kryesore të Superligës. Arena Kombëtare u duket tepër e madhe, me shumë hyrje e dalje, diçka që ata nuk e kanë provuar më parë.

Edhe 350 forca sigurie që do të jenë për Francën, kompanisë private i duken pak. Europianët lanë detyrë edhe zëvendësimin e disa barrierave të qelqit të imprenjuar, që ishin dëmtuar gjatë punimeve. Në stadium të garantojnë se po vijnë 2 apo 3 barriera të reja xhami të blinduar dhe se ato do të vendosen shumë shpejt në vend.

Me sy të lirë kupton se një pjesë e madhe e punimeve kanë përfunduar. Kjo ka bërë që të ulet edhe numri i forcave punëtore, që sot janë rreth 300. Ata vazhdojnë të punojnë 24 orë në 24, 7 ditë në 7, por gjithsesi ka zbritje nga numri 500 që ishte në kulmin e punimeve.

Ulëset, tashmë janë të vëna në dispozicion të publikut, siç u pa edhe në ndeshjen e femrave. Po ashtu, fusha është e vijëzuar plotësisht. Ende përpunohet bari artificial anash saj, që do të përdoret për nxehjen e lojtarëve të stolit, përpara sesa ata të aktivizohen, ose për të qenë gati për çdo moment kur t’i duhen trajnerit.

Nëpër tribuna ende vazhdojnë gjërat e vogla të fundit. Diku bëhen saldime, por sidomos kudo ka punime më të imëta, stukime apo izolime. Në barin dhe restorantin e VIP-it, ende nuk janë përfunduar banakët, madje nuk janë mbuluar plotësisht lidhjet e vendosura në dysheme.

Nëse gjërat janë vënë nëpër vende, ende estetika nuk është aty ku duhet, sidomos për t’iu përgjigjur një stadiumi të kategorisë me 4 yje, sipas standardeve të UEFA-s. Pas testimit të së dielës, u krijua përshtypja se zona miks, pra ajo e intervistave në katin e parë nëntokë të stadiumit, ishte pak e ngushtë që gazetarët të punonin lirisht.

Muzeumi po nis të marrë pamje në hapësirën pas fasadës historike, tek ish-lokali “Kampionët”. Me gjasë, në 14 apo 15 nëntor do të jetë gati. Sheshi pedonal para stadiumit po merr përpunimet e fundit, pasi kanë mbetur pak pllaka për t’u vënë. Më shumë po shtrohen, betonohen dhe zbukurohen pjesët anësore, që do të jenë me ngjyrë të kaltër.

Me ritëm të shpejtë po bëhet shtrimi i asfaltit në rrugët rreth e rrotull dhe punonjës të kompanisë të thonë se deri ditën e mërkurë gjithçka do të jetë e përfunduar, në dispozicion për t’u vijëzuar. Një rrugë e re do të vihet në dispozicion të qytetarëve ngjitur me Pallatin e Kongreseve. Me gjasë, gjithçka do të jetë e përfunduar deri të premten, ndonëse fusha do ta presë ndeshjen jo në gjendjen e saj më të mirë. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono