EDHE 5 DITË: Reshjet pengojnë punimet në Arenën Kombëtare

18:30 | 12/11/201918:300

Reshjet e shiut sjellin vonesa në punimet e Arenës Kombëtare. Ritëm i ulët në sheshet dhe rrugët jashtë stadiumit, ndërsa ka ende shqetësim për pjesën jugore të fushës.

Ndoshta kanë nisur të luten.

Kjo statujë e vogël e Papës së dikurshëm Gjon Pali II, sikur të kujton gjendjen në të cilën ndodhen ndërtuesit e Arenës Kombëtare dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sikur të mos mungonin shqetësimet, ja ku nisën përsëri reshjet e shiut për të vonuar edhe më shumë.

Ndikimi i tyre duket menjëherë sapo shikon sheshin për këmbësorët përpara tribunës kryesore, ku punimet sikur i ka ndalur në vend një dorë misterioze.

Ka shumë pak lëvizje të punonjësve, ndërsa një ditë më parë shtrohej me vrull betoni, sprucohej substanca kimike për lëmimin, forcimin dhe ngjyrosjen, si dhe punoje për asfaltin.

Togje me pllaka të bëra gati qendrojnë nën shi, në pritje të një kohe më të mirë për t’u vendosur aty ku duhet.

Natyrisht, duhet pak për të plotësuar mozaikun e sheshit, por e mërkura që mendohej si dita D, afati i përfundimit të punimeve, nuk pritet të jetë e tillë.

Me gjasë, do të ketë punë të sforcuar deri të premten.

Po ashtu, do të punohet me nxitim për mbylljen e çdo veprimi nga jashtë, në mënyrë që të largohen skelat, makineritë e gjithçka tjetër që pengon deklarimin “gati” të stadiumit.

Një nga detyrat kryesore të lëna nga UEFA që ditën e diel ishte pikërisht spastrimi i sheshit kryesor, dhe i shesheve pranë tribunave anësore, pasi ishin ende shumë të ngarkuara nga punimet që vazhdonin.

Një tjetër porosi ishte përfundimi i sistemit të ndriçimit të jashtëm të stadiumit, pasi dihet se një ndriçim i mirë krijon më shumë rregull e siguri edhe sesa një sistem i kamerave.

Shqetësim nga UEFA ka edhe për sinjalistikën që do të orientonte tifozët për të hyrë në tribunën e duhur dhe pa humbur kohë.

A mund të thuhet se reshjet do të rrezikojnë dhe se ndeshja ndaj Francës do të luhet në një impiant që do të cilësohet i përfunduar, por që do të ketë ende gjëra jo në 100 për qind?

Nëse forcat punëtore kanë bërë maksimumin këto javë, ditë dhe tanë, padyshim ato nuk po ndihmohen nga moti.

Për fat, reshjet nuk mund të pengojnë punimet në brendësi.

Llozhat e VIP-it, baret dhe restorantet në të dy katet e tribunës kryesore, muzeumi, stukimet dhe rifiniturat e fundit janë duke u bërë shpejt, dhe nuk besohet se këto do të ketë vonesa.

Po ashtu, punimet në pjesën e parkimit, të hyrjes kryesore nën tokë, të sallës së konferencave apo të zonës Miks, mund të vazhdojnë pa ndërprerje.

Një shqetësim më vete është fusha.

Edhe pse UEFA e dha lejën zyrtare, pas inspetimit të së dielës, sërish terreni do ende kohë që të jetë në gjendjen e duhur.

Në rastin më të mirë, fusha do të jetë në 100 për qind vetëm në ditën kur do të luhet ndeshja, në 17 nëntor, pra të dielën që vjen.

Pjesa jugore e saj vazhdon të përpunohet, me plehërim e mbjellje.

Shpresohet shumë që ngrohja artificiale me llampa të sjella nga Greqia do të ndikojë siç duhet, edhe pse shiu pengon edhe në këtë rast.

Në Federatë janë optimistë që terreni do të jetë gjithashtu gati në kohën e duhur, dhe ndaj Francës nuk do të ndodhë dëmtimi i zonës pranë portës jugore, ashtu siç ngjau në ndeshjen e femrave Vllaznia-Apolonia.

E detyrueshme është që stadiumi të jetë gati të premten, pasi të shtunën Franca do të stërvitet aty.

Edhe më shumë e detyrueshme është që të mos zhgënjejë tifozët shqiptarë, ndërsa thuhet se tashmë janë shitur të 22 000 biletat./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono