E ngarkuara e SHBA: Jini të sigurtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë

20:26 | 22/07/2019

Në Tiranë u zhvillua mbrëmjen e kësaj të hëne ceremonia e inaugurimit të pallatit të ri të drejtësisë, “Poli i Drejtësisë”. Në fjalën e saj, e ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones vlerësoi votimin unanim 3 vjet më parë të Reformës në Drejtësi dhe tha se që prej asaj kohe kanë ndodhur shumë gjëra.

Duke u ndaluar tek dalja jashtë funksioni të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, Moses tha se e rëndësishme është që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve po funksionon. Sipas saj, Reforma në Drejtësi po ia kthen sistemin e drejtësisë njerëzve. Moses theksoi se SHBA-të kanë qenë dhe do të qendrojnë në krah të Shqipërisë ndërsa reforma në drejtësi i jep formë të re drejtësisë dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Fjala e Leyla Moses-Ones:

Ministre Gjonaj, të ftuar të nderuar,

është kënaqësi të jem sot këtu për të shënuar tre vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi dhe për të përuruar këtë godinë që do të strehojë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Shkollën e Magjistraturës. 

21 korriku i 2016 filloi me pritshmëritë e një votimi mëngjesi në Kuvend për reformat kushtetuese. Këto reforma kishin qenë në lëvizje për pothuajse dy vjet. Pas negociatave që zgjatën gjatë gjithë ditës, PD miratoi draftin. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit Meta falënderoi zotin Basha dhe zotin Rama dhe i vlerësoi për pjekurinë e tyre gjatë negociatave dhe tha se drafti ishte gati për t’u miratuar. 

Votimi filloi pas mesnatës më 22 korrik. Ishte unanim – të gjithë votuan për të bërë këto ndryshime historike. Ky votim tregon se çfarë mund të bëjnë udhëheqësit e Shqipërisë kur punojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Prej orës 1 të mëngjesit, Shqipëria kishte një të ardhme të re, sepse politikanët shqiptarë kishin vizionin për të luftuar së bashku korrupsionin dhe për të ecur përpara drejt realizimit të ëndrrave të pranimit në BE.

Kjo ishte tre vjet më parë. Shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë.

Shqipëria miratoi ligje për zbatimin e Kushtetutës dhe më pas krijoi një Komision dhe një Kolegj Apelimi për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingun). Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara krijuan Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky model i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë themeli për pjesën tjetër të reformave që duhet të ndodhin.

Tani, një numër i madh – mbi 15 për qind – i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve. 

Tre vjet pas atij votimi në mesnatë, tani kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë dhe një Këshill të Lartë Gjyqësor. Ata përbëhen nga gjyqtarë, prokurorë dhe anëtarët jogjyqtarë dhe joprokurorë. Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për të përtërirë Gjykatën e Lartë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës së reformave: krijimin e SPAK-ut. Të dy Këshillat janë të ngarkuar me ndërtimin e një sistemi efektiv qeverisjeje për të përmirësuar efikasitetin, për të shtuar llogaridhënien dhe për të rikthyer besimin e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë. Ne qëndrojmë përpara një ndërtese të re që së shpejti do t’i japë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës një shtëpi të re e moderne.

Kjo godinë së shpejti do të shohë një Shqipëri me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë dhe me etikë. Do të shohë një Shqipëri me SPAK-un dhe BKH-në që bëjnë pjesën e tyre për ta çliruar këtë vend nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ndërsa shqiptarët do ta shohin këtë ndërtesë si një simbol të suksesit të reformës në drejtësi. Prokurorët e rinj që betohen sot do të shohin ndryshime të mëdha në Shqipëri përgjatë jetës së tyre. 

Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj.

Faleminderit shumë për këtë mundësi!”, tha ne fjalen e saj e ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones./abcnews.al


Një koment

  • tironsi/gjermani

    22/07/2019 at 20:58

    Zoti e bekofte Ameriken

    Reply

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono