Dy vjet përballje me drejtësinë, nga akuzat si trafikant droge deri te dënimi

15:11 | 20/09/201915:110

Përballjen me drejtësinë ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri e ka nisur dy vjet më parë. Një përmbledhje e procesit që nisi me akuzat për trafikant të lëndëve narkotike e që përfundoi me vendimin e gjykatës për shpërdorim detyre.

Kështu nisi karriera e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm në vitin 2013. Në pak kohë u listua më i suksesshmi ndër ministrat e tjerë të qeverisë Rama 1. Një vit pasi kishte marrë detyrën, nisën edhe akuzat e para të opozitës.

“Audi me targë AA003GB në pronësi të Saimir Tahirit gjatë vitit 2014 kishte kaluar me qindra herë kufirin Shqipëri-Greqi dhe se kishte dyshime të forta se nën përdorimin e kushërinjve Habilaj të ministrit të Brendshëm, me atë mjet ishte trafikuar drogë”.

Një vit më vonë ish shefi i antidrogës në Vlorë Dritan Zagani e akuzoi se dekonspironte aksionet e policisë për kapjen e trafikantëve të drogës.

Opozita kërkoi heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe dorëzimit të tij drejtësisë. Por mazhoranca kërkoi më shumë prova që të bindej.

Me kohën po veniteshin edhe deklaratat si ministri më I sukssesshëm deri sa një ditë kryeministri Edi Rama i heq të gjitha funksionet politike dhe e lë të lirë të gjejë të drejtën e tij.

Në nëntorin e vitit 2017 Saimit Tahiri u vu nën hetim nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare që trafikonte marihuanë nga Shqipëria drejt Italisë.

Shkak për nisjen e hetimeve u bë goditja e kësaj organizate në Catania nga autoritetet italiane e cila ndeshi në përgjiet e kryera mes trafikantëve emrin e ish ministrit Tahiri.

Socialistët iu bënë mburojë kur Prokuroria kërkoi arrestimin e ish ministrit, me pretendimin  se nuk kishin paraqitur asnjë provë.

Por ishte vetë Saimir Tahiri që vendosi në vitin 2018 të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Pas përsëritjes së kërkesës së Prokurorisë, ish ministri qëndroi në arrest shtëpie derisa Gjykata  e Apelit vendosi që ai të hetohej në gjendje të lirë.

Gjatë vitit 2018 prokuroria e krimeve të rënda sekuestroi dhjetra prona të grupit Habilaj me vlerë miliona euro.

Saimir Tahiri në cdo seancë gjyqësore ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh, apo se ka patur lidhje me grupin e Habilajve. Ai ka përsëritur se ky proces është politik.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-ministrit Tahiri për gjykim të shkurtuar, duke e ulur automatikisht në një të tretën masën e dënimit. Prokuroria kërkoi fillimisht 12 vjet burg duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda penale: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal.

Por pas një seance maratonë që nisi prej orën 9 të ditës së enjte, rreth orës 22 të mbremjes gjykata i komunikon vendimin, sipas të cilit nuk është një trafikant siç është dyshuar këto dy vjet, por thjesht një funksionar i lartë shtetëror që ka shpërdoruar detyrën.

Ish-Ministri u dënua me 5 vite burg në total, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij iu ul masa e dënimit me 3.4 vite burg dhe në përfundim iu konvertua në 3 vite shërbim prove, çka do të thotë se Tahiri nuk do të kryejë as një ditë burg.

Por nuk ka mbaruar këtu beteja ligjore e Saimir Tahirit. Ai është i vendosur ta apelojë vendimin për ta hequr edhe këtë njollë nga vetja. Se sa kohë do t’i duhet e sa mesazhe të tjera do të përcjellë nga dyert e gjykatës, kjo ende nuk dihet. /ABC News Albania 24/7

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono