Duka tregon si i fitoi zgjedhjet në UEFA

19:24 | 11/02/2019

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, flet për ABC News pas zgjedhjes në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ai tregon strategjinë e përdorur, ndërsa bën kritika për qeverinë dhe paralajmëron klubet e Superligës.

Misionin në UEFA e përfundoi, ndonëse sfidat vazhdojnë. Armand Duka është padyshim krenar dhe i lumtur që u zgjodh në forumin më të lartë të futbollit europian, pas një gare e cila, siç thotë edhe vetë e lodhi jo pak. Pasi bëri nxemjen dy vjet më parë, duke mos ia dalë, cila ishte strategjia fituese?

“Para se të shkoj me ia thënë votuesve ia kam bërë këtë pyetje vetes. Ia kam bërë këtë pyetje disa njerëzve të mi rreth e rrotull. Më thuaj tre arsye pse njerëzit duhet të më votojnë mua dhe me këto tre arsye që unë kam menduar që pse duhet të më votojnë kam shkuar dhe kam kërkuar që të më mbështesin. Tre arsyet që kam kërkuar të jem: eskperienca që unë kam në drejtimin e FSHF dhe duke qenë anëtar dhe drejtues në disa komisione në UEFA dhe në FIFA. Europa përbëhet nga shumë vende dhe ka nevojë Komiteti Ekzekutiv që të ketë në përbërjen e tij përfaqësuesin e një vendi specifik apo të vogël”, tha Duka.

Duka nuk flet për ndarje politike, por e qartë që pati një mbështetje në Perëndim, dhe një kundërshti në Lindje.

“Mbështetja ime ka qenë nga të gjitha rajonet, kryesisht nga Europa Qendrore. Të gjithë vendet e mëdha, duke filluar nga Anglia, Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Austria, Hungaria, Polonia, vendet nordike më kanë mbështetur pothujse të gjithë. Vendet nga ish-Bashkimi Sovjetik kanë pasur një lloj skepticizmi ndofta dhe sepse nuk e njohin shumë mirë Shqipërinë, nuk e njohin shumë mirë realitetin”, u shpreh kreu i FSHF-së.

Ndryshe nga sa pritej, Ballkani ishte pozitiv me kandidatin shqiptar, madje edhe Serbia.

“Ky nuk është votim politik, është votim sportiv. Marrëdhëniet me të gjitha federatat janë korrekte. Luajmë kundër njëri-tjetrit. Hyjmë në fushë që të fitojmë kundër njëri-tjetrit. Ka një lloj solidariteti dhe vendet e rajonit në përgjithësi kanë qenë pozitive, e kanë mbështet kandidaturën time”, tha Duka.

Pritet që Shqipëria të fitojë më shumë përkrahje pas zgjedhjes së Dukës, por presidenti e sheh ndryshe.

“Shqipëria nuk ka vuajtur në realizimin e projekteve të veta nëpërmjet FIFA-s apo UEFA-s. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse është mbështet kandidatura e Shqipërisë sepse një vend si Shqipëria, të paktën vetëm me dy projektet e mëdha të vitit 2019, stadiumin e Tiranës dhe zyrat, pothuajse asnjë federatë nuk ka finalizuar projekte të tilla. Nuk është ky qëllimi i anëtarësimit në Komitetin Ekzekutiv. Qëlli është për të kontribuar bashkarisht për të tërën”, tha ai.

Armand Duka duhet të ketë një ekzistencë të dyfishtë, në UEFA dhe në realitetin shqiptar.

“Të qenit pjesë e një organizate shumë të rëndësishme si UEFa apo FIFA, pjesa e të qenit anëtar i një komuniteti europian apo botëror i futbollit është patjetër pjesa e kënaqësisë, pjesa e lumturisë e të qenit president i Federatës së Futbollit. Pjesa e menaxhimit të brendshëm të garave, e probleme, e pengesave, policia, arbitri, ankesa, kontestime është pjesa e halleve të mëdha”, tha presidenti i FSHF-së.

Problemet e futbollit Duka i sheh tek indiferenca e aktorëve, si qeveria, parlamenti, drejtësia apo policia. Vlerëson investimet e kryeministrit Rama, por i quan spordike, pa strategji.

“Klubeve dhe Federata kanë një investim Zero. Investime pothuajse përveç këtyre që thamë Zero. Qeveria të marrë një vendim dhe të thotë do të financojmë 200 fusha futbolli në Shqipëri. Kush i dëgjon mund t’i duken shumë, por janë pak. Tirana që vërtetë luajnë futboll të gjithë fëmijët që duan të luajnë futboll, ka nevojë për 100 fusha futbolli. Është e vështirë për hapësirat, por duhet t’i gjejmë dhe to, por buxheti qoftë i Bashkisë së Tiranës, qoftë dhe i qeverisë nuk është se varfërohet për kaq pak para për një sport që shqiptarët e dashurojnë shumë”, tha Duka.

Duka risjell një propozim të harruar të vitit 2013.

“Kur Rama do vinte në qeveri u mendua, madje mbaj mend që Fidel Ylli bëri fushatë me këtë që do kishte Ministri Sporti, e cila do mendonte për sportin dhe realisht kur ka një ministri, kur ka një administratë, e cila bashkon dhe mbledh grupet e interesit dhe prodhon vërtetë strategjira dhe politika të pakteave fiskale që ndihmojnë sportin, gjërat nëse nuk realizohen 100% do realizohen 50”, tha ai.

Problemi tjetër i madh është ai ligjor.

“Tek ne ka një ligj që është qesharak. Më duket se është i ’94-s. Është pakësuar. Kanë lindur herë pas here iniciativa të cilat shuhen shpejt. Iniciativë të cilën e kemi marrë dhe ne. E kemi propozuar një herë një paketë fiskale që shkuam ta mbronim dhe në komision parlamentar dhe çuditërisht ca njerëz të sportit brenda komisionit i dolën kundra dhe u shua dhe ajo”, u shpreh Duka.

Duka vlerëson se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova.

“Politika kosovare e mështet sportin më shumë se politika shqiptare. Në mënyrë strategjike dhe jo në mënyrë spontane. Buxhetet që ka Kosova qoftë dhe buxhetet për financimin e sporteve janë 10 ose 20 herë më të mëdha se Shqipëria. Ajo paketë fiskale që për mua nuk është e plotë dhe që ka duhet të jetë dhe më e mirë e Kosovës”, tha ai.

Maksimumi, sipas tij, do të ishte përvoja hungareze.

“Hungaria i detyron kompanitë, shoqëritë e biznesit të shkojnë të bien dakord me një nga federatat e 4 sporteve prioritare dhe të investojnë nga fitimet e tyre. Kjo pjesë nga Tatimet. Në tre-katër vitet e fundit janë shifra marramendëse. Janë ndërtuar fusha futbolli pa fund dhe do ketë ndryshime”, u shpreh Armand Duka.

Pavarësisht nga problemet financiare të klubeve, numri 1 i Federatës e sheh gotën gjysmë plot.

“Nëse do shohim kolonën e të ardhurave dhe shpenzimeve të 10 viteve më parë me sot ndryshimi është më shumë se 200% nga sponsorizimet që kanë vetë klubet, të cilat nuk kanë ekzistuar dikur. Ka të ardhura nga e drejta televizive. Ka të ardhura nga shitjet e lojtarëve dhe vetëm të ardhurat e klubeve nga UEFA nëse 10 vite më parë e gjithë Shqipëria në total kishte të ardhura 700-800 mijë euro, në 3-4 vitet e fundit të ardhurat totale janë mesatarisht 8-9 milionë euro”, tha Duka.

Gjithsesi, ai ka një këshillë për klubet e Superligës.

“Duhet të bëjmë aq futboll sa kemi të ardhurat. Sa prodhojmë në atë lloj niveli gare duhet të jemi. Ekipet e kategorisë Superiore në Shqipëri me një menaxhim të mirë mund të jenë me një bilanc pozitiv. Disa prej tyre janë”, tha Duka.

Përveç këshillës, ja ku vjen një kërcënim.

“Deri më sot ne nuk është se kemi marrë ndonjë masë për të përjashtuar nga aktivitete apo për të zbritur nga një kategtori më poshtë. Duhet të jemi akoma më strikt dhe duhet t’i ndihmojmë që të jenë me bilanc pozitiv dhe në të njëjtën kohë mos t’i lejojmë për të vazhduar me bilanc negativ”, tha kreu i FSHF-së.

Së fundmi, një ngacmim për përzgjedhjet në kombëtaret e moshave, ku përflitet se ka padrejtësi dhe korrupsion.

“Selektimi sot nuk bëhet nga një indidvid. Selektimi bëhet nga i gjithë stafi teknik i Federatës së Futbollit dhe sot e them me bindje, në edicionin që jemi, që nuk ka shans që të selektohet një njeri që nuk e meriton. Të gjitha të tjerat që fëmija im është si Maradona por nuk e thirrin janë legjenda urbane. Është i gjithë stafi, të gjithë trajnerët, drejtori teknik bashkë me ta, të cilët shkojnë në fushë, japin vlerësimet individuale të pavarur nga njëri tjetr pa ia ditur emrin lojratir, vetëm me numra”, theksoi Duka./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono