Duka mund Finon, për herë të pestë në krye të FSHF-s

19:17 | 07/02/2018

Armand Duka merr mandatin e pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai fitoi me diferencë, 38 vota me 24, ndaj rivalit të tij kryesor, Bashkim Finos, që deklaroi se do ta kontestonte rezultatin në rrugë ligjore.

Gara më e tensionuar e të gjitha kohëve përfundoi kështu.

Ishte sërish Armand Duka fitues i zgjedhjeve për president në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke marrë mandatin e tij të pestë.

Kreu në fuqi i institucionit ia doli të mundë rivalin e tij më të fortë, Bashkim Finon, me diferencë aspak të vogël, madje më të madhe sesa numri i shoqatave të shumëpërfolura rajonale.

Duka mori 38 vota ndaj 24 të kundërshtarit, me 3 vota që u shpallën të pavlefshme.

Asambleja nisi me paraqitjen e arritjeve të Federatës gjatë vitit të kaluar, me miratimin e raporteve.

Ndër njerëzit kryesorë që foli ishte zv/Presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis, nga Ukraina, i cili kërkoi proces transparent dhe të drejtë votimi.

Pastaj vazhduan fjalimet e tri kandidatëve.

Duka vuri theksin tek fakti se kishte përballë një njeri tipik të politikës, një deputet që nuk hoqi dorë as nga mandati i tij.

Fino sulmoi presidentin në fuqi duke akuzuar për keqadministrim të fondeve, por edhe duke vlerësuar se Superliga shqiptare cilësohet si një nga kampionatet me më pak besueshmëri në Europë.

Ish-gjyqtari Shpëtim Hala, kandidati i tretë kërkoi votën si njeri i futbollit.

U kalua pastaj tek procesi i votimit, ku të drejtë vote kishin 65 anëtarë të Federatës, me njërin prej tyre që u tëhoq.

Në përfundim të raundit të parë, Duka fitoi 39 vota ndaj 22 të Finos me 4 të pavlefshme, por nuk u zgjodh dot pasi i duhej shumica e cilësuar.

Gjithsesi, në raundin e dytë i mjaftonte shumica e thjeshtë dhe ai mori më shumë sesa 33 që e bënin fitues.

Jo vetëm kaq, por mori 14 vota më shumë, ndërsa shoqatat e kontestuara nga Fino ishin 12.

Zv/Presidenti i UEFA-s, Surkis, i uroi fitoren Dukës dhe deklaroi se votimi u krye në mënyrë të rregullt, duke dhënë edhe opinionin e qeverisë europiane të futbollit.

Të dy kandidatët patën civilizimin që t’i jepnin dorën njëri-tjetrit, madje kështu bëri edhe kandidati i tretë, Hala që nuk mori asnjë votë.

Përfundimi ishte i qetë, veçse pritet që çështja e zgjedhjeve të vazhdojë në dyert e gjykatave, siç deklaroi Bashkim Fino./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono