Dronë mbi aeroportin e Londrës, 3 ditë kaos në Gatwick

23:02 | 21/12/2018

Prania e disa dronëve në perimetrin e aeroportit Gatwick, në Londër, futi në kaos për të paktën tre ditë trafikun ajror. Qindra fluturime u pezulluan dhe 120 mijë pasagjerë  mbeten. Për zgjidhjen e situatës, autoritetet angazhuan edhe forcat speciale ushtarake.

Një tjetër dron në horizont çakordoi për të tretën ditë rresht fluturimet në aeroportin e dytë më të madh të Londrës, Gatwick, ku shumë pasagjerë u detyruan të presin disa orë me radhë deri në rikthimin e normalitetit. Situata u zhbllokua rreth orës 19 të së premtes, kur një zëdhënëse e aeroportit deklaroi se fluturimet mund të rifillonin dhe se pezullimi i tyre ishte vetëm një masë paraprake. Problemet për Gatwick filluan që të mërkurën, kur në 21 e 30 me orën lokale u konstatua droni i parë që fluturonte në perimetrin e aeroportit.

Që prej atëherë, policia londineze u angazhua në një operacion kërkimi për operatorët e dronit që vijoi deri të premten, por pa sukses. Për zgjidhjen e situatës u angazhua edhe ushtria, snajperët e të cilës u vendosën në majat e godinës dhe u autorizuan të qëllonin mjetet fluturuese të komanduara në distancë.

Pas pezullimit të së mërkurës, i njëjti episod u përsërit disa herë të enjten e po ashtu edhe të premten, kur fluturimet u ndërprenë dy herë brenda ditës, një herë në mëngjes dhe më pas pasdite. Policia beson se në hapësirën ajrore të aeroportit kanë fluturuar më shumë se një dron dhe dyshon për angazhimin e shumë personave, por përjashtojnë që ngjarja të ketë lidhje me terrorizmin.

Problemet më të mëdha me trafikun ajror u verifikuan të enjten kur ishte planifikuar që 760 fluturime të niseshin dhe të mbërinin në Gatwick, por që qëndruan në tokë. Ndërsa të premten fluturimet e anuluara ishin 155. Shefi i operacioneve të aeroportit deklaroi se në tre ditë kaosi i krijuar la në tokë 120 mijë pasagjerë./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono