“Do ta udhëheq unë,” Kurti për dialogun Kosovë-Serbi

23:20 | 10/10/201923:200

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se si kryeministri i ri i Kosovës do të jetë ai që do të marrë në dorë frenat e dialogut me Serbinë, duke nxjerrë jashtë loje presidentin Hashim Thaçi. Në një intervistë për “Radio Europa e Lirë”, Kurti ka përjashtuar opsionet e ndarjes së Kosovës apo të shkëmbimit të territoreve.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se si kryeministër i ri i Kosovës do ta udhëheqë ai dialogun me Serbinë. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, Kurti ka theksuar se, presidenti Hashim Thaçi nuk do të jetë më përfaqësuesi i palës kosovare.

Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosje: Dialogun do ta udhëheq unë, si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, meqenëse shteti ynë i pavarur është republikë parlamentare, është obligim kushtetues dhe ligjor edhe në bazë të aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese të këtij viti që unë të jem në krye të ekipit negociator, të ekipit të dialogut për raportet me Serbinë. Presidenti i Republikës së Kosovës është, po ashtu, përfaqësues i politikës së jashtme, mirëpo nuk mund të jetë më krijues i politikës së jashtme siç ka pretenduar në këto dy vitet e fundit.

Gjatë intervistës, Kurti nuk ka dhënë një përgjigje të saktë nëse pret që dialogu të kurorëzohet me një marrëveshje të detyrueshme për të dyja palët, por ka nënvizuar se së pari duhet që dialogu të jetë solid, në mënyrë që procesi të mos dështojë.

Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosje: Ne presim që dialogu të jetë solid, sepse i përgatitur mirë dhe me parime të qarta të dakorduar me Brukselin paraprakisht, pra, një dialog me Brukselin para dialogut me Serbinë, në mënyrë që dialogu të mos dështojë. Pjesë e kësaj është edhe një lloj bilanci që do ta bëj brenda muajit të parë të Qeverisë sonë për 33 marrëveshjet e nënshkruara përgjatë dialogut 6-vjeçar 2011-2017, lidhur me shkallën e zbatimit të tyre dhe gjithashtu me përmasën e ndikimit në realitetin e qytetarëve pa dallim etnie.

Kurti ka përjashtuar mundësinë e shkëmbimeve territoriale, apo atë të ndarjes së Kosovës.

Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosje: Ato projektet për shkëmbime territoriale kanë dështuar, nuk them se ajo ide ka vdekur. Por, që nga protesta masive e 29 shtatorit të vitit të kaluar e deri te Qeveria jonë e re që vjen nga verdikti i popullit më 6 tetor mund të thuhet se edhe i takon së kaluarës.

Rrjedhimisht, për kryeministrin e ri të Kosovës nuk do të ketë as shoqatë të komunave serbe në veri të vendit. Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosje: Realisht, Asociacion nuk ka më. Dhe është interesante që asnjë serb i Kosovës nuk u ankua.

Vetëm Beogradi dërgoi notë proteste. Unë mund t’i dëgjoj kërkesat për përmirësimin e jetës së pakicave në Kosovë, por jo për pretendimet territoriale siç ekzistonin në shekullin e njëzetë apo nëntëmbëdhjetë. Pra, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si i tillë, nuk do të mund të zbatohet në Kosovë./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono