Djegia e mandateve, çfarë ndodh më pas?

08:52 | 18/02/2019

Po si realizohet e çfarë ndodh nëse një parti apo koalicion politik vendos djegien e mandateve? Kushtetuta dhe Kodi zgjedhor e kanë parashikuar në mënyrë të detajuar.

Djegia e mandateve është një proces i parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në nenin 71, parashikohen 6 raste ku mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm. Pika 2, germa b, parashikon se mandati i deputetit, mbaron kur vetë deputeti heq dorë nga mandati.

Njoftimi i bëhet kryetarit të Kuvendit, i cili njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancën e krijuar. Edhe Kodi zgjedhor e ka parashikuar këtë situatë. Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës parashikohet në nenin 164, bazuar pikërisht në të drejtën kushtetuese të heqjes dorë nga mandati.

Mënyra se si veprohet është e detajuar në këtë nen. Sipas pikës 2 të thuhet se Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse”, që mund të jetë një zonjë nëse në listën fituese nuk është përmbushur detyrimi për kuotën gjinore.

Neni parashikon edhe mundësinë që kandidati të mos e pranojë marrjen e mandatit. Në pikën tre thuhet se nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës.

E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike. Madje Kodi Zgjedhor ka parashikuar edhe shterimin e listës së subjektit, deputetët e të cilit heqin dorë nga mandate. Kështu në pikën 4 të nenin 164, thuhet se në një rast të tillë, kur partia është anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

Edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, PD i ka përfshirë brenda listës së saj krerët e partive kryesore aleate, të cilët janë deputetë me mandat të siguruar nën siglën e PD. I tillë është rasti i Fatmir Mediut të PR, Dashamir Shehit të LZHK, Nard Ndokës së PDK dhe Vangjel Dules i PBDNJ. Jashtë parlamentit mbeti kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, për shkak të pozicionit jo të favorshëm në listën e Durrësit.

Ndërsa aleatja aktuale LSI-së ka garuar më vete. Ndërkohë teknikisht PS me 74 mandatet e marra në Qershor 2017 dhe numrat e 3 ish-deputetëve të PDIU dhe një të PSD, që zakonisht bashkojnë votat me të në vendimmarrjet e Kuvendit, shkon në 78 mandate, të mjaftueshme formalisht për ecurinë e punimeve të Kuvendit. Por eksperienca e 29 viteve të fundit nuk njeh raste të tilla./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono