Dita e 4-t e protestës, nga kërkesat e shtuara tek refuzimi i Nikollës

22:12 | 07/12/201822:120

Të premten studentët protestues përpiluan një listë me 8 kërkesa për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Në thelbin e tyre ishte përgjysmimi i tarifës së shkollimit dhe përmirësimi i kushteve në konvikte. Me gjithë përgjigjen në kohë të ministres, studentët refuzuan kërkesën e saj dhe të kryeministrit Edi Rama për negociata.

Në ditën e katërt para Ministrisë së Arsimit, numri i studentëve protestues u shtua së tepërmi. Përveç studentëve të universiteteve në Tiranë, protestës iu bashkuan studentë të Universitetit të Elbasanit, të Durrësit dhe Shkodrës, por edhe grupe maturantësh të kryeqytetit.

“Fitorja” e tyre e së enjtes, kur qeveria shfyqizoi nenin përkatës të një VKM-je për tarifat që ngarkonte me kosto financiare shtesë studentët mbetës, kishte ndezur shpresën për më shumë.

Nga katër kërkesa të parashtruara të enjten, të premten protestuesit listuan 8 kërkesa në total për ministren Lindita Nikolla. Kërkesa këto që nisnin me përgjysmimin e tarifës së studimit, rritje të peshës së votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan e rektor, përmirësim të kushteve të konvikteve, dyfishim të buxhetit për arsimin e lartë dhe pajisje e të gjithë studentëve me kartën e studentit. Ata i lanë afat ministres deri në orën 14:00 të së premtës. Përgjigja erdhi para skadimit të kohës.

Ministrja Nikolla shprehej se do të ngriheshin grupe të posaçme pune, të përbërë edhe nga studentët për të vlerësuar tarifat dhe kushtet në konvikte. Grupet e punës, sipas ministres, do të angazhoheshin edhe për të tjera kërkesa, ndësa në fund drejtuesja e Ministrisë së Arsimit shprehte gatishmëri për të diskutuar me studentët.

Por protestuesit nuk kanë pranuar takime dhe diskutime të ministres me këshillat studentorë me pretendimin se protesta nuk ka përfaqësi. Studentët nuk pranuan as ftesën për diskutim të bërë nga kryeministri.

“Përgjigja jonë është shumë e qartë. Këta dhjetëra mijëra studentë që janë këtu nuk kanë çfarë negociojnë dhe çfarë bisedojnë për kërkesat e tyre. Kërkesat tona janë shumë të qarta dhe të prera”, u shpreh një student.

“Nuk ka takim me ministren. Ideja protestë është që çdo student ka ardhur për veten. Nuk ka këshill që ka ngritur protestën, nuk ka parti që e ka ngritur protestën”, u shpreh një tjetër.

“Protesta është e të gjithë studentëve bashkë”, tha një student tjetër.

Protesta vijoi deri rreth orës 17:00. Nëpër rrjetet sociale studentët ftuan njëri-tjetrin për vijimin e protestës para Ministrisë së Arsimit paraditen e së shtunës, duke ritheksuar që protesta e tyre nuk ka lidhje me politikën. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono