Diskutohet në Kuvend dekreti që ktheu buxhetin e 2019-s

22:50 | 20/12/201822:500

Gjatë seancës që ka nisur sot pasdite në Kuvend po diskutohet për dekretin e Presidentit Meta, që rikthen buxhetin e 2019-s me qëllimin plotësimin e kërkesave të studentëve. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se dekreti nuk ka referenca apo sugjerime konkrete.

Parlamenti rrëzoi me votat e mazhorancës dekretin e Presidentit që ktheu ligjin për buxhetin 2019 në Kuvend. Diskutimin që i mblodhi në sallën e seancave plenare të majtë e të djathtë, e nisi ministri i Financave me një konsideratë.

“Do ishte në ndihmë të këtij parlamenti, majta dhe djathtas, që Presidenti të kishte cituar shifra konkrete, madje -madje si zakonisht kur kthen një ligj të bënte referenca konkrete dhe sugjerime konkrete, gjë që në dekret nuk ka ndodhur. Në këndvështrimin tim personal sigurisht që Presidenti e ka kthyer politikisht Buxhetin e vitit 2019”, tha Ahmetaj.

Arsyes thelbësore të kthimit të këtij ligji, kërkesave të studentëve që protestojnë prej 16 ditësh për 8 kërkesat e tyre, ministri i Ekonomisë dhe Financës iu përgjigj duke i bërë jehonë asaj që shefi i tij po deklaronte njëkohësisht në një tjetër godinë, atë të Universitetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në takimin me studentët atje. Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, argumentat e tij kundër Ligjit për buxhetin 2019 në mbështetje të kërkesave të studentëve i dha me shifra.

“kosto vjetore mesatare 25 mijë Lekë, Master 100 mijë Lekë, konvikt dhe ushqim 220 mijë Lekë, libra 15 mijë Lekë, telefona, abone, transport 25 mijë Lekë. Në total për 3 vite Bachelor dhe 2 vite Master një familje duhet të shpenzojë afro 15 milionë Lekë të vjetra, që të mundësojë shpenzimet për një fëmijë të vetëm. Sepse të çosh sot një fëmijë në Universitet në Shqipëri është një sakrificë e papërballueshme për shumicën e familjeve. Po familjet që aspirojnë të çojnë më shumë se një fëmijë në Universitet”, u shpreh Lulzim Basha.

Ministrja Nikolla preferoi t’i drejtohej opozitës lidhur me sistemin arsimor, teksa diskutimin me studentët e vijonte shefi i saj.

“Studentët, prindërit e tyre dhe shoqëria shqiptare e dinë shumë mirë se si e latë ju arsimin. Çfarë do të thoni për filialet që i latë për Shqipëri. Po për kioskat universitare? Po për mësuesit e përdorur dhe tekstet gjithëfarëshe. Në këto pesë vite ne kemi ndërmarrë një reformë sistemike në çdo centimetër, nga kopshti deri në universitete. Më thoni një reformë modernizuese të sistemit arsimor në kohën tuaj”, u shpreh Nikolla.

Përgjigjen ia dha vetë ish-kryeministri Sali Berisha.

“Në ato vite është bërë një rritje e madhe e rrogave të pedagogëve.Paga neto nga 500 mijë u rrit në 747 mijë e 700 lekë. U dhanë për universitetet 36 ndërtesa. A idoni me listë këtu? I keni listat të gjitha. Nga Gjirokastra, Saranda, Vlora në Peshkopi, Kukës dhe kudo. Ku shkuan paratë tuaja? U vodhën, u vodhën, u vodhën”, tha Berisha.

Në përfundim të votimit të pikës që u bë shkak i thyerjes së bojkotit thuajse 4 mujor opozita u largua nga salla./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono