Deklarata e basketbollistit serb, Nano: Dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e fabulës

20:09 | 12/02/2019

Në monologun e kësaj puntate të emisionit “Provokacija”, moderatori Mustafa Nano u ndal në deklaratën që një basketbollist serb bëri për një gazetën Blic. Nikolla Kaliniç theksonte se çështja e Kosovës duhet lënë mbrapa dhe se serbët duhet të merren vesh me njëri-tjetrin. Megjithatë për Nanon, kjo nuk është ndonjë deklaratë shumë e habitshme pasi shumë njerëz në Serbi e kanë këtë logjikë. Mirëpo për rrezikun që ka ndërmarrë duke e thënë këtë, Kaliniç vlen të vlerësohet.

Mustafa Nano: “Ja një lajm interesant: Basketbollisti serb Nikolla Kaliniç, në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, ka thënë mes të tjerave se “mjaft më me Kosovën, le të merremi vesh me shqiptarët dhe le të shohim përpara; lëri të tjerat, por nuk jemi as ata që ne kujtojmë se jemi, sot jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës dhe në kundërshtim me ç’thuhet e besohet prej nacionalistëve, nuk jemi një popull qiellor, asnjëherë nuk kemi qenë”.

Siç shihet, nuk është se thotë ndonjë gjë kushedi se çfarë. E megjithatë në Serbi nuk janë të shumtë ata që i mendojnë, e aq më pak, ata që i thonë gjëra të tilla. Dhe është ky fakt që më së shumti e komprometon shoqërinë e sotme serbe: Pafuqia për të menduar, apo frika për të thënë, gjëra kaq të qarta, të kuptueshme, logjike, normale. Në këtë kuptim, basketbollisti Kaliniç meriton të duartrokitet e të përshëndetet. Meriton të përshëndetet që është mendjehapur, që ka guximin për t’iu kundërvënë histerive e paranojave nacionaliste në vendin e vet, e në përgjithësi për të thënë ca të vërteta të thjeshta e bazike që bien keq në veshin e shumicës, në mos në veshin e të tërëve, ndonëse për këtë i duhet të paguajë një kosto. Ka rrezik që të shpallet – ju kujtohet drama e Ibsenit? – “armik i popullit””.

Por Nano u ndal te gazetari Enver Robelli, i cili i ka sjellë në vëmendje shqiptarëve këtë ngjarje. Mirëpo sipas Mustafa Nanon, Robelli në këtë deklaratë thjesht ka pëlqyer faktin që një serb ka denoncuar sojin e tij. Mirëpo, Nano bën një dallim midis veprimit të Kaliniçit dhe rastit të Xhakës e Shaqirit. Sipas tij, rasti i dy shqiptarëve të Zvicrës duhej kritikuar sepse janë dy veprime të ndryshme dhe nuk mund të ekzaltohesh prej të dyjave.

Mustafa Nano: Dhe Enver Robelli ka bërë mirë që ia ka sjellë lexuesit shqiptar këtë ngjarje. Mirëpo unë dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e kësaj fabule. Unë kam frikë se Robellit në këtë mes thjesht i ka pëlqyer fakti, që një serb denoncon sojin e vet. Ndodh shpesh mes nesh kjo gjë, apo jo? Ne kënaqemi pa masë kur marrim vesh se ndonjë serb mban qëndrime kritike ndaj establishmentit politiko-kulturor e ndaj shoqërisë së vendit të vet. Po kështu, edhe kur ndonjë grek është kritik ndaj marrëzive greke. Dhe këtë kënaqësi nuk e provojmë ngaqë na emocionon e vërteta, apo guximi për të thënë të vërtetën, guximi për të lënduar tabú të paprekshme, e në përgjithësi për të denoncuar fiksime e paragjykime kolektive. Jo, jo, ne kënaqemi që një serb apo grek bëhet medemek “antiserb” apo “antigrek”, ne kënaqemi, pasi kjo kritikë, në mendjen tonë, është një gjë që provon bindjen tonë se serbi është i lig, greku është i lig, ja, edhe vetë po e thonë, apo se vetëm shqiptari është i mirë. O sa mirë me qenë shqiptar!

Jam i prirur të besoj që Enver Robelli e ka mirëpritur këtë qëndrim të Kaliniçit bash për këtë arsye. Të ishte ndryshe, ai nuk do të kishte dalë publikisht – sa për të marrë një rast, ë? – për të shprehur ngazëllimin e vet prej gjestit të Xhakës e Shaqirit gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, përkundrazi, do ta kishte kritikuar këtë gjest krejt të pavend e provokativ, do ta kishte kritikuar me po atë disponim antinacionalist, që në këtë rast e ndihmon të pëlqejë Kaliniçin, do ta kishte denoncuar si një teatër që nuk ka fare lidhje me atdhedashurinë e patriotizmin, ose që të jem më konkret, nuk ka fare lidhje me çfarë Robelli ka pëlqyer kaq shumë te Kaliniçi. Veprimi i Kaliniçit nga njëra anë dhe ai i Xhakës e Shaqirit nga ana tjetër bien ndesh me njëri tjetrin. Nuk mund të ekzaltohesh prej të dyve. Mund të ekzaltohesh o prej njërit, o prej tjetrit. Prandaj Robelli, mendoje pak këtë punë”!/abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono



TE FUNDIT