Debate në komisionin e sigurisë për lëvizjet në Policinë e Shtetit

16:59 | 18/03/2019

Është shoqëruar me debate komisioni i Sigurisë për raportin vjetor të SHÇBA-së. Drejtuesi i saj, Muhamet Rrumbullaku, kërkoi fonde dhe shtim të personelit, pasi veprimet kryen akoma në mënyrë manuale. Ndërkaq, disa anëtarë të komisionit kërkuan informacion për lëvizjet e fundit në Policinë e Shtetit.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në varësi të Ministrisë së Brendshme është përdorur si kamxhik në dorën e ministrave për të lëvizur apo larguar nga detyra punonjës të Policisë së Shtetit ndër vite.

Kështu u shpreh në Komisionin e Sigurisë, kreu i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku, të mbajtur me dyer të mbyllura. Bashkë me dy vartësit e tij, Rrumbullaku kërkoi që Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave të jetë i pavarur nga titullari i ministrisë, gjë që do të ndihmonte në rritjen e performancës së efektivëve si edhe objektivitetin e institucionit.

ABC News ka mësuar se ka pasur edhe debate ndërmjet anëtarëve të komisionit dhe drejtuesit të SHÇBA për lëvizjet që janë kryer në polici në nivel drejtuesi me urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Sipas Rrumbullakut, disa nga ndryshimet u bënë falë edhe hetimeve proaktive të shërbimit që ai drejton, ndërsa shtoi se ka filluar edhe ecuria disiplinore për shumë prej tyre.

Një tjetër kërkesë që u bë në raportin vjetor të SHÇBA-së, ishte edhe kërkesa për të shtuar personelin, ku jo vetëm që ka mungesë në baza materiale por nuk ka, as mjaftueshëm staf për të ndjekur dinamikën e punonjësve të policisë në rrethe.

“Shënimet oficerët e mi i mbajnë akoma manualisht me bllok dhe me laps, ndërsa në shumë zyra mungon edhe kompjuteri për të ruajtur të dhënat”, u shpreh Rrumbullaku.

Gjithashtu kreu i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave theksoi se, nëse nuk shtohet personali që ai ka në varësi, atëherë procesi i Vetting-ut në radhët e policisë mund të kryhet brenda pesë viteve të ardhshme./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono