Debate në Itali pas vendimit për kërkime nafte në detin Jon

15:50 | 07/01/2019

Prej ditësh Italia është përfshirë nga debate të ashpra dhe akuza të forta të të gjelbërve kundër qeverisë. Shkak u be vendimi për t’i hapur dritën jeshile kërkimeve për naftë në detin Jon.

E përditshmja italiane “Corriere Della Sera” pasqyron polemikat që kanë përfshirë vendin pas vendimit të qeverisë italiane për ti dhënë dritën jeshile kërkimeve për naftë në detin Jon. Lajm i konfirmuar edhe nga publikimi i dekreteve përkatëse në Buletinin zyrtar të hidrokarbureve dhe gjeoburimeve, të cilat autorizojnë kërkimin në det, në ‘zonën F’ sipas klasifikimit Italian për kompaninë amerikane Global Med me seli në Kolorado.

Sipërfaqja e kërkimit shkon në 2200 km2 dhe përfshin dy rajone të Italisë, Bazilikatën dhe Pulian. Përfaqësues të kësaj të fundit, si dhe “Të gjelbërit” kanë reaguar duke deklaruar se do të kundërshtojnë çdo veprim në det për kërkimin e naftës pasi cenohet ambienti.

Në të vërtetë lejet janë tre, sipas zonifikimit dhe në lejen e kërkimit F. R44. Gm, sipas titullimit në dekretin origjinal, zona kalon në një pikë kufitare me koordinatat e marrëveshjes së delimitimit mes Shqipërisë dhe Italisë. Të dyja vendet kanë nënshkruar marrëveshjen që në vitin 1992.

Në të tre dekretet përcaktohet se leja është dhënë pa paragjykuar të drejtat e palëve të treta, duke rregulluar në normën juridike korrektesën e palës italiane, ndonëse në detin Jon nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes të tre vendeve kufitare, Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë.

Kërkime në detin Jon, në jugperëndim të Korfuzit ka autorizuar edhe Greqia, e cila pritet që në muajin tetor të ligjërojë gjerësinë territoriale detare prej 12 miljesh.

Kërkimi nga të dyja shtetet fqinj e bën të besueshëm se edhe zona shqiptare e detit Jon është potencialisht naftëmbajtëse, edhe pse deri më sot nuk ka një shprehje interesi në këtë drejtim. Në Itali teknologjia që do të përdoret quhet airgun dhe është me shpërthim, një tjetër arsye kjo që ambientalistët kundërshtojnë.

Ndërkohë në Greqi, Joni, njësoj si Egjeu po shihen si zgjidhje afatgjatë për problemet ekonomike. Në majin e vitit të kaluar, kreu i shoqërisë greke për menaxhimin e burimeve hidrokarbure, Yannis Bassias, deklaroi se Greqia shpreson që të përfitojë 600 miliardë euro në 25 vjet mbi një rezervuar nafte dhe gazi që mendohet se përmban respektivisht 3 miliardë barrela naftë dhe 4 trilion metra kub gaz. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono