Brukseli zyrtar ka reaguar të hënën në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke u bërë thirrje institucioneve që ta zgjidhin situatën në bazë të ligjit dhe t’u garantojnë qytetarëve të drejtën e votës.
Zëdhënësja e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Maja Koçijançiç në një reagim lidhur me situatën në Shqipëri ka deklaruar se është e nevojshme që qytetarëve shqiptarë t’u garantohet e drejta e votës. Duke iu përgjigjur interesit të ABC News, Koçijançiç është shprehur se vendimet e partive të opozitës, fillimisht për të djegur mandatet dhe më pas për të mos hyrë në zgjedhje dëmtojnë Shqipërinë.
“Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare, përfaqësuesit e të cilave janë zëvendësuar në Parlament, institucion që funksionon plotësisht. Tani është thelbësore që të ruhet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale”, ka thënë Koçijançiç.
Duke theksuar se Brukseli po i ndjek me vëmendje zhvillimet në vendin tonë, zëdhënësja e Federica Mogherinit ka shtuar se, institucionet shqiptare duhet t’i trajtojnë problemet e krijuara në përputhje me ligjet dhe normat juridike, si dhe në respekt të plotë të parimeve kushtetuese e demokratike.
“Ne përsërisim thirrjen tonë për të gjitha palët që të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”, ka shtuar Koçijançiç./ABC News Albania 24/7