Bylykbashi: Kriza zgjidhet me zgjedhje

15:17 | 14/08/201915:170

Zgjidhja e krizës së thellë politike janë vetëm zgjedhjet e parakohshme. Kështu është shprehur në një intervistë për ABC News ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Sipas tij, kriza duhet të zgjidhjet në mënyrë urgjente këtë vjeshtë përpara se Shqipëria të marrë presidencën e OSBE-së, pasi në të kundërt kriza vetëm do të thellohej. Ish-deputeti i PD kërkon që në fokus kryesor të aksionit opozitar nga muaji Shtator e në vazhdim duhet të jetë vetëm zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. 

Oerd Bylykbashi ka qenë dëshmitar i disa prej marrëveshjeve historike që politika shqiptare ka pasur në 2 dekadat e fundit. Për Bylykbashin, vjeshta është një mundësi e artë për politikën shqiptare para se kriza të thellohet edhe më shumë. Për ABC News, ish-deputeti demokrat rrëfen raportin që sipas tij kryeministri Rama ka me marrëveshjet që nënshkruan.

“Nga Shtatori deri në Dhjetor është një dritare mundësie shumë e madhe për politikën shqiptare për t’i dhënë një zgjidhje thelbësore kësaj krize dhe zgjidhja në fakt është vetëm një, zgjedhjet e parakohshme. Politika shqiptare dikur e ka patur kapacitetin për të arritur marrëveshje, konsensuse, kompromise, për t’i dhënë mundësi frymëmarrjes politike, zhvillimeve qeverisëse apo demokratike, gjë që është humbur krejtësisht të paktën në 6 vitet e fundit që kur Edi Rama ka marrë pushtetin si Kryeministër. E sheh marrëveshjen ose si diçka me të cilën ai mund të marrë pushtet ose si diçka për t’u thyer kur ai ka pushtetin”, tha Bylykbashi.

Marrja nga Shqipëria e drejtimit të Presidencës së OSBE-së në vitin 2020, për ish-deputetin demokrat duhet parë nga qeveria si një nevojë urgjente për t’i dhënë fund krizës.

“Shqipëria ka një mundësi dhe ka edhe nevoja therëse për këtë zgjidhje për shkak se viti 2020 do të jetë një vit në të cilin Shqipëria më pas do të përballet me një nga përgjegjësitë më të mëdha ka pasur ndonjëherë. Merr kryesimin e OSBE-së, e cila duhet thënë nuk është thjeshtë përfaqësia e OSBE-së në Tiranë, është organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë, ku luhen interesa shumë të mëdha mes dy krahëve tashmë të rikthyera, Perëndimit dhe tashmë Rusisë dhe aktorëve të tjerë që lozin bashkë me Rusinë”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi thotë se për demokratët kërkesa për zgjedhje të parakohshme duhet të jetë kryefjalë e aksionit opozitar, ndërkohë që përballja në zgjedhje me Ramën duhet të ndodhë në një periudhë sa më të afërt.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të jenë në fakt kërkesa jonë numër 1 në gjykimin tim sepse e lidh me faktin që është zgjidhja e vetme e shëndetshme e kësaj krize të rëndë dhe të paprecedentë. Nuk ka asnjë model në të shkuarën, i cili mund të analizojë këtë situatë dhe këtë krizë ku jemi sot. Askush nuk duhet të ketë iluzione, nuk mund të ketë zgjidhje pa zgjedhje të parakohshme. Të gjithë duhet ta kenë të qartë që krizat kanë një mekanizëm tipik, krizat vetëm përkeqësohen dhe sigurisht përkeqësimi sjell zgjidhjen e saj, por kostoja e saj është shumë e lartë”, tha Bylykbashi.

Demokratët i shohin zgjedhjet e 30 Qershorit si një proces nul dhe pa dekret presidencial, ndërkohë që PS ka arritur të marrë drejtimin e më shumë se 55 bashkive. Por zhvillimi i fundit me rastin e kandidatit të PS në Shkodër, Valdrin Pjetri do të turbullojë sërish ujërat mes mazhorancës dhe opozitës para përfundimit të pushimeve./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono