Bylykbashi: 30 Qershori një datë nul, nuk është shprehur Gjykata Kushtetuese

15:43 | 18/08/201915:430

Partia Demokratike e konsideron të jashtëligjshme mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, në kushtet kur nga zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit nuk ka asnjë kandidat fitues, pas largimit të Valdrin Pjetrit. Ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka sjellë në vëmendje rastin e Kavajës dhe largimin e Elvis Roshit, për të treguar se vetëm përmes një procesi të ri zgjedhor mund të ketë konstituim të organeve të reja vendore në Shkodër. Në një intervistë për ABC Neës, Bylykbashi e sheh 30 Qershorin një proces nul dhe të pacertifikuar nga Gjykata Kushtetuese.

Socialistët janë të vendosur që edhe pa një kryetar për drejtimin e bashkisë, të largojnë Voltana Ademin nga zyra dhe të drejtojnë institucionin me nënkryetar të zgjedhur prej tyre. Por për ish-deputetin demokrat, Oerd Bylykbashi rasti i Shkodrës është i ngjashëm me atë të Kavajës, dy vjet më parë kur ish-kryebashkiaku Elvis Roshi ra në rrjetën e dekriminalizimit dhe Presidenti dekretoi zgjedhje të reja vendore. Në një intervistë për ABC News, Bylykbashi sqaron se themeli kushtetues i 30 Qershorit ka rënë me dekret Presidencial.

“Askush të mos mendojë që zgjedhjet lokale u mbyllën me 30 Qershor. Janë të vetmet zgjedhje në historinë 25-vjeçare, pas rënies së komunizmit që kanë një pikëpyetje të hapur, thelbësore, kushtetuese përpara një gjykate, pra anulimi i datës 30 Qershor si datë zgjedhjesh dhe dekretimi i datës 13 Tetor si datë tjetër zgjedhjesh i kanë hequr themelin kushtetues dhe ligjor zgjedhjeve të 30 Qershorit. Për rrjedhojë, ato zgjedhje janë në procesin kushtetues nul”, tha Bylykbashi.

Gishtin e akuzës për situatën e krijuar, Bylykbashi e drejton te anëtarët socialist të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të cilët paralajmëron se do të përgjigjen penalisht për dëmin miliona euro që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar.

“Të mbajnë përgjegjësi penale katër anëtarët socialistë të KQZ-së, do ta mbajnë këtë përgjegjësi penale, nuk i shpëtojnë dot. Kanë shpërdoruar miliona euro pasuri publike shqiptare për të organizuar zgjedhjet e PS-së, kështu që janë të vetmet zgjedhje të cilat nuk kanë fjalën e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e thonë OSBE/ODHIR-i, këtë e thotë Departamenti i Shtetit, këtë e thonë ata që kanë minimumin e kuptimit të demokracisë, që është Gjykata Kushtetuese që shprehet”, tha Bylykbashi.

Ndonëse Partia Demokratike nuk është regjistruar në zgjedhjet e 13 Tetorit, Bylykbashi e sheh plotësisht të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në këtë datë, e cila në rrafshin Kushtetutës është akoma e vlefshme.

“Ne jemi të gatshëm kurdo që sipas parametrave kushtetuese të ketë zgjedhje. 13 Tetori është një datë, e cila është brenda këtyre lloj parametrash. Problemi kryesor është sjellja e KQZ-së”, tha Bylykbashi.

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës, pas publikimit nga PD të dënimit të tij në Itali për trafik të lëndëve narkotike, u pasua me një sërë takimesh në kampin opozitar. Lulzim Basha u takua me aleaten e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe atë republikan, Fatmir Mediu për të përcaktuar aksionin e radhës përballë qeverisë. /ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono