Brexit, Londra: Po punojmë për të zëvendësuar pikat e ndalimit në 2020-n

14:23 | 12/03/2019

Pasditen e sotme parlamenti britanik do të votojë për herë të fundit për marrëveshjen e arritur mes kryeministres May dhe Brukselit, për daljen e vendit nga Bashkimi Europian. Presidenti i komisionit Europian deklaroi se kjo është mundësia e fundit e Londrës.

Kryeministrja angleze, Theresa May, ka arritur të marrë nga Bashkimi Europian modifikimet për mekanizmin e kundërshtuar të pikave të ndalimit për kufirin irlandez në kuadër të Brexit.

Këto modifikime, që mund të garantojnë dritën jeshile për miratimin e marrëveshjes në parlamentin britanik, në votimin e pasdites së të martës, përforcojnë dhe përmirësojnë marrëveshjen për Brexit.

May në negociatat në Strasburg me presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, dhe me kryenegociatorin e Brukselit, Mishel Barnier, realizoi përcaktimin e një instrumenti të përbashkët që synon të qartësojë interpretimin e pikave të ndalimit si një mekanizëm garancie.

Në thelb kryeministrja britanike theksoi se kishte shmangur rrezikun e humbjes së sovranitetit të pjesshëm mbi Irlandën e Veriut, pjesë e Britanisë së Madhe dhe jo e Bashkimit Europian, në avantazh të mbrojtjes së të drejtave të Republikës së Irlandës, vend anëtar i BE-së.

Në përfundim të takimit me presidentin e Komisionit Europian, May deklaroi se pasja e një garancie për të shmangur një kufi fizik në Irlandë është një hap pozitiv, por pikat e ndalimit nuk mund të kthehen në një marrëveshje të përhershme. Sipas saj duhen ndryshime ligjore për të cilat nuk është rënë dakord.

Nga ana e tij, Juncker u shpreh prerë se nuk do të ketë negociata të reja dhe se kjo ishte mundësia e fundit që i jepej Londrës.

Përpjekjet e mëparshme të May për të bindur deputetët britanikë që të mbështesin marrëveshjen e arritur në Nëntor, kanë dështuar. E njëjta situatë mund të përsëritet dhe në pasditen e të martës kur pritet votimi i ri dhe vendimtar i parlamentit. Pa modifikimet domethënëse në planin e May, qeveria do të kishte humbur sërish. Ndërsa me ndryshimet e minutës së fundit, shpresat janë ndezur sërish.

Ky hap para, mund të rezultojë vendimtar për të shmangur një tjetër dështim të planit të May, që në Londër mund t’i hapte rrugë skenarëve të reja. Më dramatiku është ai i ndërprerjes së lidhjeve me Europën, në 29 Mars, pa një marrëveshje. Një perspektivë që tremb më shumë sipërmarrjet britanike. Një kërkesë e mundshme për shtyrjen e afatit duhet të miratohet nga 27 vendet e tjera anëtare, të cilat do të takohen për një samit në Bruksel në datat 21 dhe 22 Mars.

Por reagimi i parë i liderit laburist Jeremy Corbyn ka qenë shumë i ashpër duke deklaruar se negociatat kanë dështuar dhe se marrëveshja nuk përmban asgjë që i afrohet ndryshimeve të premtuara nga kryeministrja May./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono