Brexit, Britania bëhet gati për planin ‘B’

23:39 | 18/12/2018

Në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur përgatitjet për një dalje pa marrëveshje nga Bashkimi Europian. Kur mungojnë rreth 100 ditë nga finalizimi i Breksit, qeveria britanike ka bërë gati një fond emergjence dhe angazhimin e ushtrisë.

Kabineti qeveritar në Britani ka vendosur të nisë përgatitjet për një dalje pa marrëveshje nga Bashkimi Europian, pas frikës për dështimin e variantit të kryeministres Theresa May në Parlament. Ekzekutivi në Mbretërinë e Bashkuar ka miratuar një buxhet prej 2 miliardë paund në formë ndihme në rast se drafti i rënë dakord me Brukselin nuk kalon në votimin që do të mbahet më 14 Janar.

Gjithashtu, rreth 140 mijë kompanive do t’u dërgohen letra me udhëzime se çfarë duhet të bëjnë, ndërsa 3.500 trupa ushtarake do të vendosen në gatishmëri për të ndihmuar departamentet qeveritare. Lideri i liberal-demokratëve, Sir Vince Cable deklaroi se procesi i largimit nga blloku europian po kthehet në një luftë psikologjike.

Vendimet u morën në një mbledhje të kabinetit qeveritar, që zgjati më shumë se dy orë e gjysmë. Ministrat ranë dakord që bizneset të aktivizojnë planet e tyre për një dalje pa marrëveshje, të cilin do ta aplikojnë sipas nevojave të tyre. Ndërkohë, një paketë me udhëzime sa i takon rregullave doganore dhe taksave që duhen paguar do t’u dërgohet subjekteve private më vonë gjatë javës.

Edhe konsumatorëve po u sugjerohet që të njihen me rekomandimet e publikuara muaj më parë në rast të një skenari të tillë, që variojnë nga mënyra e përdorimit të kartave të kreditit tek prenotimi i fluturimeve. Kur kanë mbetur rreth 100 ditë nga finalizimi i Breksit dhe shumë ligjvënës kundërshtojnë marrëveshjen e kryeministres May, sekretari për Brexit, Stephen Barclay ka deklaruar se ekzekutivi ka rënë dakord që skenari i një largimi pa marrëveshje të trajtohet me prioritet, edhe pse prioriteti kryesor mbetet votimi i marrëveshjes./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono