Brazil-Argjentinë, derbi i Kupës së Amerikës

13:59 | 02/07/201913:590

Brazili dhe Argjentina luajnë sot derbin e madh në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës. Brazilianët nuk kanë bindur, por jepen favoritë për suksesin, pasi luajnë në fushën e tyre.

Presioni është në nivelin më të lartë. Kombëtarja braziliane e ka gjithë mbështetjen e publikut, por kjo nuk ia heq stresin në prag të derbit të madh me Argjentinën. Luhet gjysmëfinalja e Kupës së Amerikës, në stadiumin e Belo Horizontes në orën 2 e 30 të mëngjesit, sipas orës së Shqipërisë, dhe prej “selesaos” kërkohet vetëm fitorja.

Në pritje të një mrekullie në Botërorin e ardhshëm, të paktën duhet fituar ky trofe, aq më shumë sepse luhet në shtëpi, ndërsa suksesi i fundit është I 12 viteve më parë. Trajneri Tite sidomos rrezikon postin nëse nuk ia del.

Ai ka disa shqetësime, pasi në dyshim janë Filipe Luis e Fernandinjo, ndonëse sulmuesi Riçarlison duhet të jetë shëruar. Në sulm pritet treshja, Gabriel Zhezus-Firmino-Kutinjo. “Selesao” nuk është se ka kënaqur plotësisht pas barazimit në grup me Venezuelën, dhe kualifikimin vetëm me penallti ndaj Paraguajit.

“E vërteta është se nuk kam fjetur mirë këto net, – tha trajneri brazilian, – unë nuk jam supermen, por një qenie njerëzore. Gjithsesi, kjo është normale dhe unë ndihem mirë. Luajmë ndaj Argjentinës, një rivaleje të madhe, që ka shumë talente të mbledhur në një skuadër. Ata kanë Mesin, Agueron, por edhe ne kemi Kutinjon, Firminon, Uillianin apo Neresin. Do të jetë një duel i madh, dhe kemi besim se do t’ia dalim”.

Argjentina mbërriti në Belo Horizonte me shpresë. Edhe për të, trysnia ekziston, por më pak se për vendasit, ndonëse nga Lionel Mesi kërkohet të fitohet më në fund një trofe me kombëtaren. Stërvitja e fundit u bë në kompleksin e Kruzeiros, me trajnerin Skaloni që padyshim u përpoq të forconte mbrojtjen, ndërsa për sulmin do të mendojë treshja Mesi-Lautaro Martinez-Aguero.

“Mund t’iu them se Aguero do të jetë titullar”, – tha trajneri, që vazhdoi me shaka se “pjesa tjetër nuk është e konfirmuar, përfshi edhe Mesin”. Më pas, ai komentoi ndeshjen duke theksuar se “Brazili është në moment të mirë, lojtarët kanë kohë që luajnë bashkë, dhe trajneri ka kohë në stol, ky është një avantazh për ta”.

Skaloni pohoi se Brazili është favorit i Kupës së Amerikës, rivali për t’u mundur, por shtoi se kjo nuk do të thoshte se Argjentina nuk do të luante për fitore. Brazili jepet favorit për fitoren në 90 minuta apo edhe për kualifikimin në “Stadio Mineirao”, madje me diferencë, jo më kot e ka fituar Kupën e Amerikës të katër herët kur është zhvilluar në stadiumet braziliane./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono