Braçe përplaset me Ahmetajn për FSHF-në

12:42 | 11/10/2018

Federata Shqiptare e Futbollit është kthyer në mollën e sherrit në parlamentin e zbrazur nga opozita. Interpelanca e kërkuar nga kreu i komisionit të ekonomisë Erjon Braçe me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, lidhur me detyrimet fiskale të kësaj organizate, solli ngritje tonesh në sallën e seancave plenare.

Në mungesë të opozitës parlamentare dhe pasi i kanë zgjidhur hallet e qeverisjes së vendit, mazhoranca nisi t’i kërkojë hesap vetvetes për organizatën jofitimprurëse, Federatën Shqiptare të Futbollit. Duke e krahasuar me yjet botërore të këtij sporti, Erjon Braçe zhvilloi interpelancën, që e kishte me merak prej javësh, me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

“Presidenti i Bajernit të Mynihut është dënuar me 3.5 viute burg për evazion fiskal. Ronaldo sapo është dënuar me 2 vite burg dhe me detyrimin për të paguar 18.8 milionë euro. Hoze Murinjo është dënuar me një vit burg dhe me detyrimin për të paguar 1.75 milionë paund. FSHF është një nga institucionet më të rëndësishme në këtë vend që duhet të ishte institucioni që reflektonte jo vetëm ligjshmërinë fiskale, por edhe modelet të qënësishme të paketave fiskale në këtë vend”, tha Braçe.

Por tifozit të thekur  të Partizanit, ministri Ahmetaj i qau hallin e rivalëve.

“Këtu ka një problematikë serioze me klubet dhe që ka nevojë për formalizim të mëtejshëm. De Souza Martins paska marrë 22 mijë lekë të reja në muaj”, u shpreh Ahmetaj.

Kjo e bëri Braçen të ndihet i akuzuar, padrejtësisht.

“Në asnjë rast nuk ka ndodhur që të mos kem vlerësuar përpjekjen e qeverisë kryeministrit Rama në luftë kundër evazionit fiskal dhe rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit, por pse ne duhet të pranojmë alibinë e njënjeriu që nuk heq dorë nga një karrige atje pikërisht për shkak të këtyre përfitimeve që administrohen vit për vit në Federatën Shqiptare të Futbollit”, tha Braçe.

Pathosi i kreut të komisionit të ekonomisë solli emocione në sallë…lot…dhe entuziazmin e ish irvalit të Armando Dukës… Ahmetaj, i cili ia kuptoi hallin kolegut u shpreh i lumtur për mundësinë e sqarimit.

“Të harxhosh kaq shumë kohë për FSHF dhe për sportin është gjëja e duhur. FSHF ka në lista pagesa 2015, 55 të punësuar. Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi ka paguar 38 milionë lekë. Totali i pagesave 2014-2018 në buxhet është 283 miloionë e 853 mijë lekë”, tha Ahmetaj.

Por kjo ju duk ironi Braçes, i cili iu kthye populizmit për strehë.

“Do harxhoj kohë sepse zyrtarë të hetimit të Fierit kanë shkuar në një lokal në fshatin Çermë. E kanë gjetur lokalin bosh dhe e kanë gjobitur me 500 mijë lekë për mosprerje të kuponit tatimor. Ndërkohë unë i kërkova pronarit të lokalit që t’i binte kasës në atë moment që ata ishin atje. I ra kasës dhe çfarë del nga kasa, kuponi. Kur kjo ndodh me një fakir në mes të Çermës pse s’u dashka të ndodhë me një në krye të FSHF”, tha Braçe.

Në fund, Gramoz Ruçi ftoi deputetët socialist në sallë ta praktikojnë më shpesh këtë të drejtë të tyre parlamentare, për të qarë hallet, ato të qytetarëve, sigurisht./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono