Boshti i përbashkët i interesave serbo–ruse

19:39 | 18/01/201919:390

Gjatë vizitës në Serbi, që është aleati kryesor i Moskës në Ballkan, shefi i Kremlinit, duke folur për Kosovën tha se për arritjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit, duhet arritur kompromis dhe kur të gjendet ai, duhet respektuar.

Putin në serbisht, e Vuçiç në rusisht, si për të dëshmuar atë të njohurën, për bukën e një brumi. Ky është këlyshi i Sharrit, të cilin presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ia dhuroi të enjten Presidentit rus, Putin, mbase si një peng për të mos harruar Kosovën! Pas pritjes plot pompë, ndërkaq, media në Serbi, thotë se serbët duhet ta vënë gishtin në kokë për të paktën pesë çështje politike e ekonomike.

Para së gjithash kur është fjala për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian për shkak se ai mbetet partneri kryesor tregtar i Serbisë me 63 për qind. Pritja madhështore që iu bë Putinit, bashkëpunimi Serbi-Rusi, thotë shtypi i Beogradit, mund të inatosë vendet baltike dhe Poloninë që të kundërshtojnë aspiratat serbe për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, për shkak të kujtesës ende të freskët për politikën imperialiste ruse nga koha e luftës së ftohtë.

Nga ana tjetër për shumicën e marrëveshjeve të firmosura të enjten, thuhet se ngërthejnë potencialet, por vetëm në letër për shkak se bazë e zhvillimit të Serbisë mbeten lidhjet ekonomike me Bashkimin Evropian. Një tjetër argument që i lë damkë vizitës së Presidentit Putin është qendra ruse në qytetin e Nishit.

Atë moskovitët e quajnë qendër humanitare kurse vendet perëndimore qendër spiunazhi. Me gjithë kërkesën ruse që personeli i kësaj qendre të fitojë statusin e diplomatëve, kjo nuk është bërë as sot e kësaj dite, pikërisht për shkak të kujdesit që të mos inatosen perëndimorët, por edhe durimi rus mund të ketë kufi.

Krahas kësaj, skena politike në Serbi vazhdon të jetë e ndarë sa i përket përcaktimit: një mazhorancë e fuqishme pro-ruse dhe një opozitë e pakët pro-perëndimore. Edhe njëra, edhe tjetra, jo më larg se dje, krijuan një kakofoni të llojit të vet, çfarë flet se Beogradi ende është larg përvijimit të një politike konzistente, të qëndrueshme sepse kohët kanë ndryshuar dhe do pranuar, politika titiste e dhënies së sinjalit djathtas, kur ke kthyer në të majtë, i përket të shkuarës./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono