Boshatisen KZAZ-të e bashkive të djathta

15:01 | 19/06/201915:010

Nuk ia kanë dalë uniformat blu të ndalojnë inatin opozitar në Burrel. Punonjësit e policisë bashkiake dhe mbështetësit e Partisë Demokratike hynë me forcë brenda KZAZ-së nr. 16. E gjithë baza materiale u nxor jashtë dhe iu vu zjarri.

Qëllimin ia arritën opozitarët e Burrelit pas afro dy orësh përplasje me policinë e rendit e cila përdori dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve. Në mbështetje të tyre shkuan dhe efektivë të Forcave te Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët nisën shoqërimet.

Pasojat nuk janë vetëm materialet zgjedhore të djegura, por edhe policë e protestues të lënduar. Synimi i radhës ishte Bashkia Klos. Të njëjtin fat patën edhe materialet zgjedhore në KZAZ nr 17.

E tensionuar ka qenë situata edhe në Kukës. Uniformat blu nuk e kanë kursyer gazin lotsjellës. Një kamion i bashkisë shpërtheu derën e KZAZ, të cilës protestuesit i vunë zjarrin. Dy punonjës u lënduan.

Pas dy orë përplasje materialet u tërhoqën nga ambientet e KZAZ-së në palestrën e gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës. Ka qenë Policia e Shtetit, e cila bëri zhvendosjen e të gjithë materialit zgjedhor.

Për më shumë se një orë dhjetëra militantë të LSI-së dhe të PD-së tentuan të hyjnë me forcë në ambientet Pallatit të Kulturës në Berat, aty ku ndodhet KZAZ nr. 64.

Policia përqendroi efektivë të rendit dhe midis palëve u krijua tension. Në krye të opozitarëve qëndron Eno Bozdo, i cili kërkoi të lirohen ambientet e KZAZ, ose do të përdorej forcë për të hyrë brenda tyre.

Pas qëndresës së policisë, përfaqësuesi opozitës i shpërndau protestuesit. Tensioni mes policisë dhe mbështetësve të opozitës në Pogradec u shua pasi ia dëgjuan fjalën.

Bashkia i ka dhënë  afat Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor për të liruar ambientet deri këtë të enjte. Në të kundërt do të veprojnë për të ndaluar veprimet e mëtejshme të këtij Komisioni.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Bilisht ku simpatizantët e opozitës janë përpjekur të hyjnë me forcë në ambientet e KZAZ-së, por janë ndaluar nga policia. Në Gjirokastër e Ballsh nuk ka patur nevojë të ushtrohej forcë nga opozita pasi përfaqësuesit e KZAZ-ve kanë pranuar afatin  prej 24 orësh për të zhvendosur materialet zgjedhore./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono