69-vjetori, Rama harron Pezën ...
18 shtator 2011 10:57
69-vjetori i Konferencës së Pezës ka kaluar pa shkëlqimin që i dha kreu i opozitës për disa vite radhazi.
16 shtatori i këtij viti nuk solli skena gjigande ku nën dritat shumëngjyrëshe ngjiteshin artistë të mirënjohur e të rinj.
Edi Rama dhe e gjithë Partia Socialiste duket se e braktisën datën historike që për ta kishte vlera të rëndësishme për t’u përkujtuar.
Vitet e kaluara organizimet nisnin që një ditë më parë, ndërsa shtatori i vitit 2011e gjen Pezën të organizuar në mënyrë spontane nga vetë banorët.
Të vetmet festime u bënë nga vetë banorët, shumica e të cilëve ngrinin pikëpyetje për mungesën e kreut socialist.
Rama këtë vit e harroi Pezën se humbi mandatin apo sepse nuk mund të shoqërohej nga eksponentë te tjerë të selisë rozë?
I vetmi socialist që u kujtua këtë vit ishte deputeti Andis Harasani.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, socialisti më shumë se një kujtesë, kritikon faktin se pse Partia Socialiste këtë vit e harroi festen e Pezës.
“Nuk e kuptoj dot se përse Partia Socialiste këtë radhë e harroi festen e Pezës”.
Ndërsa komenteve të njerëzve se PS-ja pas pak kohësh do të harrojë edhe se nga e ka origjinën, Harasani u përgjigjet:
“Nuk jam dakord miku im, kam përshtypjen që PS-ja shumë shpejt do të kthehet në forcën që do të ndryshojë këtë vend. Sigurisht, duke filluar nga ndryshimi i vetvetes”.
Peza, këtë vit duket se e përjetoi kthimin e faqes politike të kryetarit të Partisë Socialiste i cili pas rrëzimit nga posti i kryetarit të bashkisë dhe pas rrymave kundër brenda selisë rozë, vendos të lërë në harresë edhe “Pezën Historike”, siç e ka emërtuar ai vetë.