Blog

Bring to the table win-win survival strategies to ensure proactive domination. At the end of the day, going forward, a new normal that has evolved from generation.
MOTI-RRESHJE-MBULIM-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.20-1280x720.jpg
G. P.22:29 | 20/11/2018

Thuajse në të gjithë vendin sot ka pasur reshje shiu dhe situatë të paqëndrueshme sinoptike. Reshjet e dendura të shiut, por edhe era e fortë, ka ndikuar në paralizimin e transportit detar. Trageti Brindisi-Vlorë është ankoruar me vështirësi mëngjesin e sotëm, si pasojë e dallgëve të forta. Po ashtu ka pasur vonesa me disa orë në mbërritjen e trageteve. Kapiteneritë e porteve të Vlorës dhe Durrësit kanë pezulluar lundrimet e anijeve të peshkimit.

Kjo situatë sipas meteorologëve, do të jetë prezente edhe përgjatë 24 orëve të ardhshme. Jugu i vendit, në veçanti, mund të ketë reshje të dendura shiu, të cilat rrezikojnë përmbytje. Moti pritet të përmirësohet vetëm pas mesjavës, por sërish reshjet e shiut do të jenë te pranishme deri në fund të nëntorit./abcnews.al

SPANJA-KUNDER-BREXIT.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
G. P.22:11 | 20/11/2018

Spanja kërcënon me bllokimin e marrëveshjes për BREXIT mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian nëse nuk sqarohet çështja e Gjibraltarit. Madridi akoma vijon pretendimet territoriale mbi Gjibraltarin dhe kërkon të lëjë të hapur mundësinë e bisedimeve me Londrën.

Kryeministri Pedro Sánchez ka thënë se Spanja do të refuzojë marrëveshjen Brexit pa një sqarim të tekstit mbi bisedimet e ardhshme mbi statusin e Gjibraltarit. Spanja mban një pretendim për gadishullin, që i është dhënë kurorës britanike nën Traktatin e Utrehtit në vitin 1713. Ajo dëshiron të sigurojë që bisedimet e ardhshme të BE me Britaninë e Madhe nuk mbulojnë Gjibraltarin. “Nëse gjërat qëndrojnë siç janë sot dhe nuk ka ndryshime në lidhje me Gjibraltarin, Spanja do të votojë kundër për Brexit”, tha Sánchez.

Përmes negociatave për Brexit, Spanja – bashkë me Irlandën dhe Qipron – zhvilluan bisedime të ndara me Mbretërinë e Bashkuar lidhur me çështjen e kufirit. “Si shtet ne nuk mund të pretendojmë se çfarëdo që t ëndodhë në të ardhmen me Gjibraltarin do të negociohet nga Londra dhe Brukseli – por duhet të negociohet nga Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar”, tha Sanchez.

Ndërkohë, zyra e kryeministres britanike Theresa May thotë se draft marrëveshja mbulon edhe çështjen e Gjibraltarit, e njohur si “territor tjetër jashtë shtetit dhe varësisë së kurorës”. “Ne do kemi marrëveshjen që do të funksionojë për të gjithë familjen e Mbretërisë së Bashkuar”, thotë zëdhënësi i qeverisë së Londrës. Pavarësisht se Spanja ka dorëzuar gadishullin me traktatin e vitit 1713, është përpjekur disa herë të marrë kontrollin mbi të. Një referendum i zhvilluar në 1967 tregoi se 99.6% e qytetarëve dëshironin të qëndronin britanikë. Gjithashtu në vitin 2002, një propozim për sovranitet të përbashkët është refuzuar nga qytetarët e Gjibraltarit./abcnews.al

auto_13532925_1637597443046630_7897455960859023270_n1475789572.png
G. P.22:04 | 20/11/2018

Kombëtarja shqiptarja rikthehet te fitorja pas disfatës ndaj Skocisë. Kuqezinjtë fituan me shifrat minimale 1-0 në miqësoren e zhvilluar në “Elbasan Arena” ndaj Uellsit të Gareth Bale.

Shqipëria rikthehet të fitojë. Kuqezinjtë mposhtën Uellsin në miqësoren e zhvilluar në Elbasan Arena me shifrat minimale 1-0. Golin e vetëm të takimit e shënoi sulmuesi Bekim Balaj nga pika e bardhë e 11 metërshit. Një fitore që vjen në një moment aspak të mirë për djemte e drejtuar nga tekniku panuçi pasi u shkatërruan ndeshjen e kaluar ndaj Skocisë me shifrat 4-0.

Në Elbasan Arena u shihej qartë një skuadër tjetër nga ajo e ndeshjeve te funditt, lojë bindëse, futbollistë të rreshtuar mire, reduktim i gabimeve në mbrojtje dhe mbi të gjitha një përmirësim në fazën sulmuese. Ndoshta çelesi i suksesit të fitores ishte largimi i presionit nga lojtarët pasi ishte vetëm një miqësore, ndoshta ishte lëvizja e duhur taktika e trajnerit panuçi. Por më shumë rendesi ka që kuqezinjtë u riktheyn te fitorja e cila ishte shndërruar në një tabu.

Në të 14 minute janë miqtë që tentojnë të surprizojnë nga goditja e dënimit, por topi i goditur nga Uillson por topi ndalet në rrjeten e jashtme. Në të 35 minut ndodh një episodë që nese do te ishte ndeshje zyrtare, arbitri nuk do ta kursente kartonin e kuq. Taulant xhaka humbet kontrollin dhe përplaset fizikisht me futbollistin Bruks. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.

Fillimi i fraksionit të dytë të lojës nis në fushore për kuqezintjë pasi në të 58 minutë gjyqtari akordon 11 metërsh për Shqipërinë, që shënderrohet në gol nga Bekim Balaj. Një gol që aq shumë i mungonte kuqezinjve. Aktivizmi i Bale i hap punë kombëtares shqiptare, por uellsiani nuk ia del të gjejë rrugën e rrjetes.

Minutën e fundit të takimit, ylli i real Madrid ekzekuton një goditje dënimi, por topi ndalet në murin mbrojtes. Gjyqtari sinjalizon përfundimin e këtij takimi dhe Shqipëria merr frymë lirisht. Pas kësaj fitoreje trajneri Panuçi i ka më të qarta idetë e tij se ç’duhet të bëjë në takimin e radhës./abcnews.al

PROVOKACIJA-ERVIS-ILJAZAJ-1280x720.jpg
ent ela21:58 | 20/11/2018

Gazetari Ervis Iljazaj i ftuar në emisionin “Provokacija” në ABC News ka folur për ngjarjet e Bularatit dhe situatën politike në vend. Sa i takon nacionalizmit për ngjarjet në Bularat, Iljazi thotë se një rol negativ luajtën edhe përfaqësuesit e minoriteteve në Shqipëri, ndërsa Vangjel Dule në vend që të shuante zjarrin i hodhi benzinë.

“Nacionalizmi është në trend jo vetëm në Shqipëri e Greqi, por në gjithë Europën. Dhe në Greqi e Shqipëri është një joshje politike që është një nga rrugët që sjell konsensus. Reagimet ishin institucionale të moderuara dhe për të qenë të kujdesshëm në marrëdhëniet me Greqinë. Një rol negativ luajtën e dhe përfaqësuesit e minoriteteve në Shqipëri. P.sh. daljet e Vangjel Dules, deklaratat e tij i quaj tërësisht të pavend. Në vend që të shuante zjarrin i hodhi benzinë zjarrit. Këtu minoritetet përfaqësojnë një lloj nacionalizimi, ndërkohë që kanë probleme si gjithë qytetarët shqiptarë. Unë nuk di që Dule të dalë e të flasë për ekonominë, apo probleme, ndërkohë që bëhet prezent kur ka çështje të nacionalizmit dhe etnitetit. Minoriteti grek gëzon të drejtat si në çdo vend tjetër dhe çështja e minoritetit nuk ekziston fare”.

Sipas tij Dule, si përfaqësues i minoritetit në Parlament nuk ngre probleme, por flet vetëm për ndasi.

“Grekët e Shqipërisë ndihen grekë gjithë kohën. Po ky është problemi kur përfaqësuesi i tyre në parlament ngre probleme vetëm të nacionalitetit grek, ky nuk është problemi i tyre, por i atyre që e përfaqësojnë. Ata duhet të marrin pjesë në jetën publike shqiptare si qytetarë. Se shpesh flitet për këto ndasi, nuk flitet për çështje të tjera. Ata jetojnë si të izoluar, si t’u ketë rënë halli që jetojnë në Shqipëri. Ata janë shtetas shqiptarë”.

Më pas biseda me Iljazin vijoi me situatën politke në vend, ku shprehet se reforma në drejtësi ka bllokuar çdo lloj dinamike, ndërsa vetingun e konsideron historik për drejtësinë shqiptare.

“Politika shqiptare nuk jep asnjë lajm dhe një nga arsyet kryesore është reforma në drejtësi që ka bllokuar çdo lloj dinamike. Procesi i vetingut edhe pse është i anatemuar edhe pse kritikohet shpesh është proces historik për drejtësinë shqiptare”.

Për Iljazin përcaktues për vijimin e procesit është 15 dhjetori kur përfundon afati KED, që sipas tij nëse ndërtohet brenda kësaj date është shpresdhënës, në të kundërt kjo reformë do të ngecë.

“Ne nuk mund ta mendonim që gjithë trupa do futej në këtë sitë kontrolli, të gjithë e dinim që ishin të korruptuar dhe u vërtetua dhe ikën me vetingun. Për mua përcaktues është 15 dhjetori, është përfundimi i KED dhe nëse ndërtohet brenda 15 dhjetorit do të jetë një shtysë shpresdhënëse që do vazhdojë. Nëse nuk ndërtohet KED brenda 15 dhjetorit kam përshtypjen se kjo reformë do të ngecë”.

Sipas tij Mazhoranca ka luajtur mirë politikisht në marrëdhëniet me ndërkombëtarët që kjo reformë do shkojë deri në fund, ndërsa PD nuk ka qenë kurrë më keq në marrëdhëniet me ndërkombëtarët se tani.

“Mazhoranca ka luajtur mirë politikisht në marrëdhëniet me ndërkombëtarët që kjo reformë do shkojë deri në fund. Ky është gabim strategjik i opozitës që ka ngelur jashtë, ndërsa PD nuk ka qenë kurrë më keq në marrëdhëniet me ndërkombëtarët se tani, qoftë nga ambasadorët, por Rama është treguar më i shkathët politikisht. Mazhoranca ka rol më të rëndësishëm po dikush duhet ta çonte para këtë reformë”.

Përsa i takon mospjesmarrjes në zgjedhje të opozitës, Iljazi ndan mendimin se bojkoti do t’i jepte fund historisë 30 vjeçare të PD-së.

“Të mos marrësh pjesë në zgjedhje do të thotë t’i japësh fund historisë 30 vjeçare të PD. Nëse duan t’i japin fund historisë 30 vjeçare të PD atëherë mos marrin pjesë në zgjedhje. Kam përshtypjet se protestat e PD dhe retorika e kreut të saj bazohen te hallet e politikës, jo të njerëzve. Nëse i fton qytetarët se është rritur çmimi i naftës, i ka thirrur për kapjen e reformës në drejtësi, për lidhjen e politikës me krimin, por në perceptimin e tyre janë larg. Ka halle mjaftueshëm ku mund të ndërtosh një opozitë të mirë”./abcnews.al

MAQEDONI-007-1280x720.jpg
ent ela21:35 | 20/11/2018

Ish-drejtori i shërbimeve sekrete të Maqedonisë, Sasho Mijalkov është nisur pasditen e së martës drejt burgut të Shutkës, pas dhënies së masës së sigurisë nga Prokuroria Speciale. Akuza caktoi masën e paraburgimit për Mijalkov në lidhje me rastet “Target” dhe “Fortesa”, për shkak të rrezikut për arratisje. Pak ditë më parë e njëjta masë u dha për ish-ministrin e Transporteve Milje Janakievski dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të qeverisë Gruevski, Kirill Bozhinovski, për abuzim me anë të detyrës. /abcnews.al

FMN-AHMETAJ-SEJKO-1280x720.jpg
ent ela21:27 | 20/11/2018

Në mbyllje të misionit dyjavor në Shqipëri, Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon që qeveria të ketë kudjes me kontratat partneritet public- privat pasi mund të krijojnë vështirësi financiare në buxhet. Po ashtu FMN sugjeroi të shpejtohet me uljen e borxhit publik dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë që të bëjë kujdes me risqet që mund të implikojnë buxhetin, duke vëne theksin te projektet në partneritet publik-privat.  Për shefin e misionit të fondit në Shqipëri, shumë vende që kanë përdorur praktika të ngjashme janë gjendur në vështirësi për të paguar faturat ndaj kompanive që janë angazhuar. Jan Kkes Martijn ishte i drejtpërdrejtë kur kërkoi procedura konkurruese dhe zhdukje të ofertave të pakërkuara.

“Në shumë vende projektet PPP kanë çuar në probleme fiannciare nga garancitë e vëna. Prandaj qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme nëse buxheti është i ekspozuar ndaj risqeve.”

Fondi sheh po ashtu risqe edhe në krijimin e detyrimeve të prapambetura, të cilat duhet të shlyhen, pasi kanë shkuar në 0.6 % të prodhimit kombëtar.

“Ne do të rekomandonim një përshpejtim të uljes së borxhit më të madh se është i programuar. Për të arritur nivelin e e programuar 60% të borxhit publik do të nevojiten korrigjime të tjera fiskale. Mosarritja e këtij objektivi do të cënonte besimin e tregjeve financiare.”

Por kësaj çështje, ministri Ahmetaj i parapriu në fjalën e tij hapëse për konferencën.

“Nuk kemi divergjenca me FMN por diskutime për skenarë të ndryshëm dhe si do të përballohen këto skenarë.Shumë shpejt do të ndajmë strategjinë e re që përfshin dhe zhdukjen e detyrimeve të prapambetura në 2019 që janë në TVSH dhe pushtetit lokal.”

Njësoj si FMN, që e sheh të ardhmen e ekonomisë dhe zbatimin e reformave e të shtetit ligjor si një rrugë që të hap derën në Bashkimin Europian, edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë ndan të njëjtin mendim, por për të gjithë spektrin politik.

“Çelja e negociatave me BE duhet parë si element parësor. I gjithë spektri politik të ketë në vëmendje integrimin në Bashkimin Europian.”

Por FMN la disa porosi edhe për bankën: zvogëlim të kredive të këqija, rritjen e mbikëqyrjes në tregun bankar, tashmë që një pjesë e bankave nuk janë në pronësi nga Bashkimi Europian, ndërprerje të ndërhyrjeve në kursin e këmbimit dhe vijimin e luftës kundër pastrimit të parave të pista./abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PROVOKACIJA-MENTOR-NAZARKO-PJ-2.mpg_snapshot_12.44-1280x720.jpg
G. P.21:12 | 20/11/2018

I ftuari i dytë i emisionit Provokacija nga Mustafa Nano ishte gazetari Mentor Nazarko. Një diskutim për situatën në Kosovë. Temë kryesore ishte shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk e dimë se ku qëndron ky shëkmbim dhe kush janë termat e këtij shkëmbimi. Palët në Kosovë, në këtë moment që është i dyti më i rëndësishëm pas pavarësisë, zgjidhja e bashkëjetesës me Serbinë, çfarë forme do të ketë marrëveshja midis këtyre dy subjekteve. Është një moment thelbësor. Për të bërë një marrëveshje të tillë do të duhet një unitet politik i Kosovës dhe i gjithë faktorit shqiptar. Kosova e ka humbur pak atë rëndësinë që kishte, është dobësuar ndërkombëtarisht. Në një situatë të tillë, kjo klasë politike duhet të vendosë për të ardhmen e Kosovës.”

Nazarko tregoi dhe mendimi e tij për këndvështrimin e Thaçit në lidhje me situatën e shkëmbimit të territoreve dhe qëndrimin e këtij në këtë marrëveshje.

“Kurajon vetëm Thaçi mund ta kishte në fund të fundit, sepse është një nga politikanët më jetëgjatë e më i fuqishëm në Kosovë. Është një njeri që ka akumuluar një eksperiencë që ka lidhje të forta ndërkombëtare, një njeri që luan agresivisht e taktikisht në mënyrë të shkëlqyer. Mirëpo për këtë çështje është frymëzuar dhe nga diçka. Kosova është duke përjetuar edhe një moment vështirësie ndërkombëtare. Është vendi më i izoluar në Europë. Në këtë kuptim Thaçi e ka parë se sa e vështrië është integrimi ndërkombëtar i Kosovës. Serbia çdo lëshim që bën e shndërron në pazar të madh. Thaçi i ka shkuar kësaj ideje të shkëmbimit të territoreve sepse çmimi që merr është dalja e Kosovës nga izolimi. Por edhe një skenar tjetër që është shumë interesant. Në qoftë se bëhet shkëmbimi i territoreve me gjasë hiqen pengesat e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.”

Gazetari gjithashtu tha se shtetit serb i intereson bashkimi i Kosovës me Shqipërin për disa arsye të ndryshme.

“Unë imagjinoj që Serbisë i intereson bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Dy subjekte shqiptare në OKB, kanë peshë janë 2 vota. I intereson sepse krijnon precedentë për bashkimin në pjesë të caktuara ku jetojnë serbët, i intereson për të na dominuar ekonomikisht, për të patur një treg të madh. I intereson edhe për të krijuar një tablo të re gjeopolitike. Vuçiçi ka thënë që do bëhet paqe me shqiptarët. Me gjasë ai ëndërron ta luajë këtë kartë të paimagjinueshme dhe ndërpret aksin e dikurshëm serbo-grek.”/abcnews.al

TAULANT-MUKA-1280x720.jpg
ent ela20:40 | 20/11/2018

Taulant Muka, i cili dha dorëheqjen dy javë pasi u emërua në postin e zv/ministrit të Arsimit ishte i ftuari i parë i emisionit “Provokacija” në ABC News. I lindur në Skrapar, i vendosur në vitin 2000 në Tiranë ku mbaroi studimet për Mjekësi, për t’i vijuar më pas masterin në Roterdam dhe me eksperienca të fundit në Kembrixh e Harvard, Muka shpjegon arsyet e kthimit në Shqipëri, si një betejë për arsimin dhe për dijen.

“Sepse kam pasur pasion arsimin dhe për të përmirësuar arsimin në Shqipëri. Për të rritur cilësinë në arsim e shkencë duke pasur parasysh eksperiencën, mu premtua për të bërë ndryshimin nga kryeministri i vendit nga takimi individual. Kërkova kompetenca të plota duke ditur si funksionon shteti shqiptar, dëshiroja pavarësinë time institucionale. Të evidentoja personat e vërtetë akademikë dhe të merrja këshilla nga ata, se akademik nuk të bën mënyra si flet në televizion, por të bën puna kërkimore”.

Propozimi i tij ishte reforma në arsim dhe kryesisht në nivelet drejtuese të universitetit, bazuar në meritokraci.

“Unë propozoja që nëse ne kemi 10 mijë pedagogë, ndoshta një pjesë e vogël i plotësonin kriteret dhe propozimi im ishte të merreshim me drejtuesit e universiteteve, rektorët, dekanët dhe shefat e departamenteve. Këta ne nuk duhet t’i lejonim nëse nuk kishin karrierë akademike të ngritur mbi meritokraci”.

Postin e zëvendësministrit ia propozoi Kryeministri, por ai thekson si ky emërim ishte anormal, çka e bëri që të mos qëndrojë më shumë se 9 ditë në këtë post, ndërsa shtetin e konsideron shtet whatsapp.

“Ishte anormal dhe unë në atë takim shkova me 4 persona të tjerë që i kisha propozuar si emra për komision për rishikim të titujve akademikë dhe kryeministri më tha që do të jap të gjitha kompetencat për ta bërë këtë gjë dhe parimisht rashë dakord. I kam kërkuar takim për të qartësuar se çfarë është pozicioni i zv/ministrit dhe a më jepeshin ato të drejta që mu premtuan, nuk më erdhi kurrë ai takim dhe u emërova zv/ministër.

Unë aty pashë atë që kisha frikë, të cilën e vërtetova jo më shumë se 9 ditë, se këtu nuk ka një protokoll se ç’bën ky person në ditën e parë të punës, kërkova dokumenta dhe nuk mi dhanë  dhe aty kuptova, që nuk isha në shtëpinë time dhe as në atë ambjent që më ishte premtuar.

Aty kishte një problem që nuk mund të protokolloheshin dokumentat, unë nuk mund ta protokolloja një takim, se mënyra si funksiononte ishte që unë të premtoj dhe ti nuk ke asnjë dokument dhe nesër ti nuk ke asnjë të drejtë të më kërkosh mua asnjë gjë pasi nuk është e dokumentuar”.

Muka thekson se në Shqipëri ka potenciale, por që nuk shfrytëzohen dhe bëjnë punë mekanike. Ai përmend edhe shkencëtarët që kanë bërë punë kërkimore, ndërsa thekson se në Shqipëri ka koncepte të gabuara me të cilat nuk bën kompromise.

“Në Shqipëri ka potenciale që ne i lëmë të flenë, në ministri ishin dy të rinj që bënin punë mekanike. I mora djemtë dhe u thashë më nxirrni listën e profesorëve dhe t’i rankojmë sipas produktit shkencor. Kë kemi shkencëtarë se ne kemi shkencëtarë, se ne si komb nuk e pëlqejmë suksesin e një shqiptari. Kur është brenda në Shqipëri ne e përbaltim figurën e shkencëtarit.

Ke Alban Dibrën që ka një indeks që e vlerëson produktin shkencor nga ana sasiore dhe cilësore dhe ka AG indeksin 27 që në Amerikë me 18 bëhesh profesor dhe profesor të bën puna kërkimore, se ne nuk e dimë punën shkencore. Ne ngatërrojmë Dritero Agollin me shkencën nuk ka lidhje Akademia e Shkencave me Agollin.

Teknologjia u zhvillua nga puna kërkimore, me punë kërkimore bëhet çdo gjë dhë unë me ato koncepte nuk bëj kompromise. Unë kisha ardhur me ato koncepte që bota perëndimore ka”.

I pyetur nëse Rama e propozon për deputet, Muka shprehet se nuk bëhet pjesë e politikës, por betejën për dijen dhe arsimin në Shqipëri do e vazhdojë edhe jashtë vendit.

“Nuk bëhem pjesë e politikës, nëse kryemisnitri ka dëshirë të bëjë reforma në arsimin e lartë ka mënyra të tjera që unë mund të kontribuoj, por unë pjesë e politikës nuk bëhem. E provova dhe nuk do rezistoj më shumë se 9 ditë”.

Sipas tij Akademia e Shkencave nuk mund të bëhet me persona që nuk kanë produkt shkencor.

“Akademia e Shkencave shërben si organ këshillues nuk mund të bëhet me persona që kanë zero produkt shkencor. Më erdhi profesor Gjinushi dhe i tregova një grafik të thjeshtë; nga ju 30 anëtarë, 27 kanë zero produkt shkencor. Si është e mundur që nuk përmendet produkti shkencor, kurse Fuga ka paraqitur një draft vizionar ka nevojë për rishikim, por është shumë herë më i mirë se ai i paraqitur nga Akademia e Shkencave”. /abcnews.al

RAMA-PER-BUXHETIN-E-SHENDETESISE-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.53-1280x720.jpg
G. P.20:35 | 20/11/2018

Kryeministri Rama prezantoi projektbuxhetin për shëndetësinë për vitin e ardhshëm. Ky buxhet, sipas shefit të qeverisë, mundëson rritje pagash për bluzat e bardha si dhe më shumë investime në sistemin tonë shëndetësor.

Vitin e ardhshëm Qeveria parashikon të rrisë me 7% pagat për 650 mjekë dhe rreth 14 mijë infermierë në të gjithë vendin. Këtë e bëri të ditur kryeministri Rama gjatë prezantimit të projektbuxhetit të 2019-s për shëndetësinë.

“ 18416 punonjës në sistemim e shëndetësisë do të kenë rritje page, duke filluar nga 3-mujori i dytë i vitit të ardhshëm prej 7%.”

Buxheti i vitit 2019, sipas shefit të qeverisë është 43 përqind më i madh se ai i para 5 viteve. Ndaj kjo-tha kryeministri – do të bëjë të mundur investime për përmirësimin e sistemit shëndetësor në tërësi.

“Kemi një program për rindërtimin në themel të 300 qendrave shëndetësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nga të cilat, 80 të parat përfundojnë brenda këtij viti dhe 100 të tjera do të rindërtohen në vitin e ardhshëm. Modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare është një proces në vazhdim dhe paralelisht, ne po modernizojmë spitalet rajonale. Janë sot në plan 5 maternitete të reja, si materniteti i Sarandës që është një model kuptimplotë i vizionit dhe i ambicies tonë për shëndetësinë që duam, që do të financohen në periudhën në vazhdim të këtij mandati, duke filluar me Beratin, qysh me buxhetin e këtij viti dhe me Korçën, qysh me buxhetin e këtij viti. Ne do kalojmë në një mbështetje financiare kuptimplotë, 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 për të dytin, 1200 për të tretin. Nëse dalin dy bashkë marrin të dy 800 dollarë. Nëse dalin tre, marrin 1200.”

Rama e vuri theksin edhe tek Rimbursimi i barnave, për të cilin, siç tha kryeministri,- do të shkojnë më shumë para nga buxheti se deri tani.

“Ne sot kemi kaluar 100 milionë dollarët e barnave të rimbursueshme. Për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë dollarë barna. 5 vite më parë ishte thuajse 30 milionë dollarë më pak.”

Shefi i qeverisë premtoi se brenda këtij viti do të përfundojë rehabilitimi dhe pajisja me infrastrukturë moderne në 80 qendra shëndetësore të vendit. Kryeministri nuk la pa përmendur edhe politikat sociale, si punësimi apo ndihma ekonomike për familjet në nevojë.

“U larguan 20 mijë që nuk e meritonin, por u futen 10 mijë e ca që kurrë nuk kishin marrë një lek ndihmë, duke qenë në derexhenë më të keqe. Sepse skema e vlerësimit funksionon dhe skema e vlerësimit nuk targeton varfërinë si koncept i përgjithshëm, po targeton varfërinë e skajshme. Ndërkohë ka ndodhur që 2475 familje që dolën nga skema, apo që mbetën në skemë, sot nuk marrin më para nga skema, sepse kanë njerëz të punësuar. Vitin që vjen, ne do të bëjmë një ndryshim të jep ndihmën ekonomike për sa kohë nuk të ofrohet dot punë. Në momentin që të ofrohet punë, ke të drejtën të refuzosh një herë. Nëse refuzon dy herë, nuk të jepet më ndihmë ekonomike, sepse nuk ta kanë për borxh të tjerët që punojnë, të paguajnë taksa që ti të vazhdosh të rrish në shtëpi, duke qenë fizikisht i gatshëm për punë, sepse është tjetër gjë pamundësia fizike.”

Për tu përshëndetur me të pranishmit në mbyllje të takimit, kryeministri Rama pati për ta një porosi.

“Kurajë, respekt ata që ju shajnë, thjesht dhe vetëm trajtojini me keqardhjen që meritojnë ata që janë për pak kamomil përpara gjumit.”/abcnews.al

PERMBYTET-GJIROKASATRA-MBULIM-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.18-1280x720.jpg
G. P.20:30 | 20/11/2018

Reshjet intensive që kanë rënë gjatë ditës kanë sjellë problemet e para në qytetin e Gjirokastrës. Korespondenti i ABC News Orges Sako raporton se është përmbytur hyrja e qytetit të gurtë. Në rrugë ka prani uji duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Edhe në disa biznese ka prezencë të ujit. Aktualisht nuk ka reshje në qytet, por punonjësit e bashkisë dhe forcat zjarrëfikëse janë angazhuar për të ndihmuar në terren./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono