Beogradi akuzon Shkupin se po vepron kundër Serbisë

18:00 | 13/07/2019

Kreu i Këshillit parlamentar serb për Kosovën, Milovan Drecun, akuzoi Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Gjermaninë se po veprojnë për atë që ai e ka quajtur bllokim të arritjes së zgjidhjes kompromise mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkaq, një zyrtar i lartë maqedonas  duke folur për TV Klan në kushte anonimiteti, i ka cilësuar  këto pretendime si “tërësisht të pavërteta dhe një marrëzi e madhe”.

Milovan Drecun, kryetar i Këshillit parlamentar serb për Kosovën, ka deklaruar për të përditshmen ‘Kurir’ të Beogradit se para dy muajsh në Shkup është ngritur, sikundër është shprehur ai, një ekip i  fuqishëm informativ, i maskuar në përfaqësinë e një prodhuesi të madh perendimor të automobilave, veprimi i të cilëve ka për qëllim bllokimin e arritjes së zgjidhjes kompromise mes Beogradit e Prishtinës. Ekipi, sipas tij, përbëhet nga agjentë nga Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Gjermania.

“Çfarë mund të punojnë ata përveç se të mbledhin informacione dhe të përhapin dezinformacione. Skuadra nuk është formuar për të mbrojtur interesat tona, por të punojë kundër tyre” – citohet të ketë deklaruar Drecun pa përjashtuar mundësinë që ky grup të kryejë “ndonjë diversion mediatik ose politik, madje të shkaktojnë edhe konflikte”.

Sipas tij, në disa shtete fqinje të Serbisë po zhvillohet një fushatë e fuqishme kundër arritjes së çfarëdo zgjidhjeje kompromise mes Beogradit e Prishtinës dhe, në këtë shtrirje, ka thënë ai, ‘Maqedonia e Veriut po bëhet qendër për veprimtari të fuqishme spiunazhi kundër interesave të shtetit të Serbisë’. Zyrtari serb, duke kërkuar nga pala maqedonase shpjegime për ngritjen e këtij ekipi ‘kundër interesave të shtetit të Serbisë’ ka nënvizuar se mosarritja e zgjidhjes kompromise është përgatitje për konflikte të reja në rajon dhe për krijimin e asaj që ai e ka quajtur “Shqipëri e Madhe”.

Një zyrtar i lartë maqedonas duke folur për TV Klan në kushte anonimiteti tha se Maqedonia e Veriut është e interesuar që Serbia e Kosova, me mbështetje ndërkombëtare, të arrijnë një zgjidhje të pranueshme që do të përshpejtonte edhe integrimin evropian të Ballkanit Prendimor, ndërkohë që pretendimet e kryetarit të Këshillit parlamentar serb për Kosovën i cilësoi si “tërësisht të pavërteta dhe një marrëzi e madhe”.  /ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono