BE i përgjigjet Italisë për emigrantët: Kërcënimet nuk të çojnë në asnjë vend

15:19 | 24/08/2018

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me kërcënimet e fundit që i erdhën nga qeveria italiane se nuk do të paguante 20 miliardë euro për buxhetin, nëse nuk zgjidh krizën me shpërndarjen e emigrantëve. Brukseli thotë se kërcënimet nuk të çojnë në asnjë vend. Ndërsa shton se derdhja e kontributeve është detyrim ligjor.

Komisioni Evropian i është përgjigjur zëvendëskryeministrit të Italisë Luigi Di Maio, i cili të enjten kërcënoi se nuk do të paguante kuotën e 20 miliardë eurove për buxhetin e Unionit, nëse Brukseli nuk do të ndërhynte për shpërndarjen e emigrantëve të bllokuar në bordin e një anijeje të rojes bregdetare italiane në portin e Katanias në Sicili. Komisioni Evropian nënvizon se “kërcënimet në Evropë nuk të çojnë në asnjë vend”. Mënyra se si Evropa funksionon, vijon më tej zëdhënësi, “është bashkëpunimi dhe jo kërcënimet. Gjithashtu më tej tha se në çdo rast Brukseli po punon shumë fort për të gjetur një zgjidhje. Kurse ministrin e këshilloi duke thënë se derdhja e kontributeve është detyrim ligjor.

“Anija, Diciotti, shpëtoi rreth dyqind veta dhe ne do të kishim pritur një bashkëpunim efektiv dhe më të shpejtë të shteteve të tjera të BE-së”. Këtë e theksoi ministri i Jashtëm italian, Enzo Moavero. Në shenjë proteste për bllokimin, 150 emigrantë në bordin e anijes bregdetare zhvilluan një grevë urie, e cila zgjati disa orë.

I ashpër ishte reagimi i ministrit të brendshëm Matteo Salvini, për lajmin e grevës së urisë së emigrantëve. “Të bëjnë çfarë të duan. Unë nuk ndryshoj mendje. Në Itali jetojnë 5 milionë qytetarë të varfëri të plotë, të cilët grevën e urisë e përjetojnë çdo ditë, në heshtjen e bamirësve, gazetarëve e shumë të tjerëve”, u shpreh ai.

Ndërkohë, një ftesë për të ndihmuar Italinë ka ardhur dhe nga Berlini. “Vendet e goditura nga fenomeni migrator, Italia mes tyre, nuk mund të lihen vetëm”, thotë zëdhënësi i kancelares Angela Merkel. Ndërsa më tej nënvizon se të gjithë shtetet duhet të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono