BE i kërkon Kosovës të mos zgjerojë tarifat ndaj Serbisë

16:28 | 29/12/2018

Bashkimi Europian ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zgjeruar tarifat ndaj Serbisë duke përfshirë në taksën prej 100 për qind dhe kompanitë ndërkombëtare që prodhojnë në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Zyra e posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe misionet diplomatike të vendeve anëtare të BE-së, i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin për zgjerimin e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Në një deklaratë të përbashkët ata u shprehën të shqetësuar me vendimin e një dite më parë që tarifa prej 100 për qind e vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnja të përfshijë edhe kompanitë ndërkombëtare që prodhojnë në këto dy vende.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp shkruhej ndër të tjera se Bashkimi Evropian i qëndron mendimit se vendosja e tarifave nuk u ndihmon marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bie ndesh me përkushtimin e shprehur në të kaluarën nga Kosova për integrimet rajonale dhe përkushtimet e përshkruara në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Më pas Prishtinës i përsëritet apeli që të rishqyrtojë vendimin dhe të anulojë tarifat. Ky do të ishte vendimi i duhur për të çuar përpara aspiratat evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj, thuhet më tej.

Qeveria e Kosovës më 21 Nëntor vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe, mirëpo, kishte përjashtuar një listë të kompanive ndërkombëtare që furnizojnë Kosovën përmes Serbisë. Ndërsa tashmë, sipas vendimit të qeverisë, të gjitha prodhimet që vijnë nga Serbia apo Bosnja, përfshirë edhe nëntë mallra kompanish ndërkombëtare që prodhojnë në këto dy vende, do t’i nënshtrohen tarifës prej 100 për qind. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha një ditë më parë se veprimet e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, e arsyetojnë vendimin e qeverisë së tij për tarifat. Kosova importon nga Serbia mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit dhe rreth 80 milionë të tjera nga Bosnja e cila nuk e njeh po ashtu pavarësinë e Kosovës për shkak të qëndrimit të entitetit serb atje./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono