BE frikë nga sulmet kibernetike

23:59 | 18/10/2018

Bashkimin Europian e kanë përfshirë ethet nga ndërhyrjet kibernetike që kërcënojnë zgjedhjet euro-parlamentare të vitit të ardhshëm. Për të shmangur deformimin e vullnetit zgjedhor, liderët e vendeve anëtare kanë vendosur të ashpërsojnë masat e ndëshkimit, duke përfshirë edhe sanksione për aktorët e jashtëm.

Liderët e vendeve të BE-së ranë dakord të enjten të përforcojnë reagimin ndaj sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit online, me qëllim mbrojtjen e zgjedhjeve të ardhshme europiane nga ndërhyrjet e jashtme.

Nisma e fundit e bllokut 28-anëtarësh parashikon vendosjen e sanksioneve ndaj qeverive armike dhe individëve, si dhe gjoba të rënda ndaj partive politike që përpiqen të keqpërdorin mediat online për të manipuluar vullnetin e zgjedhjeve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel më herët gjatë javës ngriti shqetësimin për rrezikun që i kanoset zgjedhjeve për legjislaturën e re europiane, që mbahen në maj të vitit të ardhshëm. Në përfundim të takimit të liderëve të BE-së ditën e enjte, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka deklaruar se, kërcënimi me sanksione dhe gjoba ka funksion parandalues.

“Një reagim i tillë duhet të mbrojë qytetarët, bizneset dhe institucionet tona nga të gjitha llojet e kërcënimeve kibernetike”, ka thënë Tusk.

Për zyrtarët e Perëndimit, Rusia e ka bërë luftën kibernetike dhe elektronike pjesë funksionale të operacioneve të saj ushtarake. Por zyrtarët europianë janë të shqetësuar edhe nga keqpërdorimi që mund t’u bëhet të dhënave personale të përdoruesve të rrjeteve sociale nga aktorë të brendshëm.

Muajin e kaluar, organi ekzekutiv i BE-së propozoi rregulla të reja për të shmangur përsëritjen e skandaleve si ai i rrjetit social Facebook për të favorizuar Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Të dhënat e miliona qytetarëve europianë u përdorën nga kompania e lobimit politik “British Analitika”, për të krijuar profile të votuesve dhe për të influencuar në zgjedhje./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono