Bayern-Real, klasikja europiane e Champions League

17:00 | 25/04/2018

Championsi do të ketë sot klasiken më të madhe të futbollit europian. Bayern pret Realin në Mynih, me dy gjigandët që synojnë një vend në finale

Finalet i njeh mirë dhe kërkon të ketë edhe një tjetër.

Jup Hajnkes është një nga trajnerët e paktë në Europë që ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, dhe si për koincidencë, ia ka dalë me dy skuadrat që do të jenë përballë sonte në Mynih.

Në 1998, kur ishte ende tepër i ri, ia doli me Realin e Madridit, duke mundur në finale Juventusin, në të cilin bënte pjesë si lojtar, rivali i tij i sotëm si trajner, Zinedine Zidane.

Në 2013 arriti kulmin e triumfit, duke kompletuar fitoren e trefishtë me Bajernin, Champions, Bundesligë e Kupë të Gjermanisë.

Për të arritur finalen e tretë dhe për të fituar trofeun e tretë, do të duhet të kalojë ish-ekipin e tij, Madridin, ndërsa është sërish në stolin bavarez.

Bajerni i tij duket i përgatitur mirë, dhe vlerësohet si një nga ekipet e paktë që mund të mposhtin këtë Real.

Hajnkes, si gjerman i mirë e nis analizën e ndeshjes, duke dhënë një buletin të gjendjes së ekipit të tij.

Jup Hajnkes: “Alaba dhe Toliso janë në dyshim dhe do të vendosim në momentin e fundit nëse mund të jenë në skuadër apo jo. Si trajner apo si lojtar këto janë ndeshjet për të cilat ia vlen të përgatitesh gjatë gjithë sezonit dhe që t’i luash. Këto janë kulme që kaq shumë trajnerë nuk kanë pasur fatin t’i provojnë në karrierë. Unë e di mirë se çfarë vlere kanë këto ndeshje. Ka një moral dhe atmosferë të shkëlqyer në skuadër. Kjo është e vetmja mënyrë për të qenë të suksesshëm dhe për të arritur fitore të mëdha. Për këtë arsye, ne jemi shumë optimistë për të dyja ndeshjet”.

Këto nuk janë problemet e vetme, pasi Manuel Neuer mbetet i dëmtuar, po ashtu si Arturo Vidal dhe Kingsli Coman.

Ndërkaq, James Rodrigez pritet të jetë titullar ndaj ekipit që e ka huazuar në Mynih.

Sfida duket e madhe për kampionët e Gjermanisë, pasi vitet e fundit nuk është se kanë dalë mirë me spanjollët, duke u eleminuar dy herë radhazi.

Duelet mes tyre janë më klasikët e futbollit europian, duke lënë pas çdo rivalitet në historinë e Championsit, me 25 takime gjithsej, dhe me nga 11 fitore për secilën palë.

Reali, ndërkaq, udhëtoi drejt Mynihut, me autoritetin e skuadrës kampione në fuqi, dhe të ekipit të vetëm që ka fituar dy herë radhazi Ligën e Kampionëve.

Një formacion i mbushur me yje mund të ndëshkojë çdo kundërshtar, në çdo moment, ndërsa mund të mbështetet te golshënuesi më i mirë i kompeticionit për të gjitha kohët.

Cristiano Ronaldo është tepër i frymëzuar, sidomos, kur luan ndaj Bajernit, pasi i ka shënuar 9 herë kur ka qenë përballë tij.

Trajneri Zinedine Zidane, sidoqoftë, nuk dëshiron të bëjë rolin e favoritit.

Zinedane Zidane: “Për mua nuk ekziston asnjë favorit në këtë sfidë. Është një gjysmëfinale krejtësisht e ndryshme nga duelet që kemi pasur më parë. E rëndësishme është që jemi në gjysmëfinale dhe duam që të bëjmë një tjetër ndeshje të mirë. Jemi të përgatitur për këtë, dhe po ashtu e dimë se do të na duhet të vuajmë. Jemi mirë mendërisht dhe fizikisht. Çdo lojtari i pëlqen t’i luajë këto ndeshje dhe shpresojmë që të dalim mirë, edhe pse jemi larg tifozëve tanë. Forca jonë është që kemi një vendosmëri të madhe, dhe që ky klub ka qenë gjithnjë në një nivel të tillë”.

Shqetësimi më i madh për Zidanin do të jetë përzgjedhja e formacionit, me shumë yje që mund të mbeten në stol.

E sigurt është që në “Allianz Arena”, do të luhet një gjysmëfinale e madhe e Championsit sonte në 20:45./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono