Basketbollisti serb Nikola Kaliniç trondit Beogradin: Kosova s’është serbe

14:35 | 12/02/2019

Në një kohë që pritet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, një deklaratë e basketbollistit serb Nikola Kalinic, për Kosovën, ka shkaktuar reagime të ashpra. Kaliniç bëri apel për pajtim dhe që të pranohet realiteti se Kosova nuk është territor i Serbisë.

Ky është Nikola Kaliniq, një sportist-basketbollist i shquar që luan për skuadrën turke të Fenerbahçes dhe mbronë ngjyrat e përfaqësueses kombëtare të Serbisë. I lindur në qytetin e Suboticës në krahinën e Vojvodinës, ai ka bërë emër në këtë sport dhe pak kush e din se është i biri i një pingpongisti të njohur, Zoran Kaliniç. Idhulli i shumë të rinjve, Kaliniqi i riu këto ditë është gjetur në qendër të vëmendjes së publikut jo vetëm në Serbi, por mund të thuhet edhe në hapësirat e gjithë ish-federatës jugosllave. Sebep për këtë ishte një intervistë për median në Beograd në të cilën foli shumë açik për çështje që lidhen me politikën dhe saktësisht me Kosovën:

Nikola Kaliniç, Basketbollist: “Që kur di për veten, e kam lindur më 1991, ekzistojnë probleme dhe dallime rreth Kosovës. Jam i vetëdijshëm se tani shumëkush do të më marrë inat, por është koha që dikush të thotë botërisht: Hajdeni të zgjidhim këtë problem, të nxjerrim çka mundemi, dhe të vazhdojmë. Beteja e Kosovës ishte para më shumë se 600 vjetësh dhe ka shumë dekada që ajo nuk është territori ynë. Askush nuk jeton nga e shkuara dhe sa më parë të pajtohemi me të sotmen dhe të vazhdojmë përpara, më mirë do të jetë për ne”– ka deklaruar Kaliniç javën e kaluar për të përditshmen serbe Blic, duke tërhequr vërejtjen se serbët nuk janë popull qiellor, por vetëm një pikë e parëndësishme në hartën e madhe të botës.

Një qasje e këtillë ka shqetësuar shumë qarqet nacionaliste serbe, gjithandej vendit. Kështu, në vendlindjen e tij në Suboticë, kanë gdhirë grafite ofenduese kundër Kaliniqt duke i vënë edhe nofkën ‘turk’, duke e quajtur Mustafa dhe duke i rekomanduar të kalojë në fenë islame dhe të përjashtohet nga përfaqësuesja kombëtare! Fushata kundër tij nuk po qetësohet as pas reagimit të presidentit serb, Aleksadar Vuçiq se ‘fakti që dikush ju dënon një ditë, nuk do të thotë se kështu do të gjykojnë edhe brezat që vijnë’. Vetë basketbollisti i njohur, ndërkaq si kundërpërgjigje ka zgjedhur një status të këngëtarit me origjinë malazeze, Antonije Pushiq, të njohur si Rambo Amadeus, sipas të cilit ‘Nacionalizmi është temë për ata që kanë deri 300 euro të ardhura në muaj. Atyre iu servohet kjo përrallë. Kur paga kalon 500 euro, atëherë hapet muhabeti për gardërobën dhe kafenetë. Kur kapërcen një mijë euro, atëherë temë bosht është ushqimi i shëndetshëm, pushimet verore e dimërore, ndërsa kur ngritet në mbi tre mijë, atëherë përfundon çdo llomotitje. Njerëzit atëherë flasin për parashikimin e motit dhe për dashurinë!’

Publicisti serb Dragan Banjac, ndërkaq me të drejtë pyet: përse për Kosovën kështu flet vetëm një sportist! /abcnews.al

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono