Bashkia e Tiranës marrëveshje me Spitalin Amerikan: Karta e Studentit, më shumë shërbime falas ose me çmime të ulëta

16:19 | 23/10/201916:190

Bashkia e Tiranës ka nënshkruar me Spitalin Amerikan marrëveshjen ku të gjitha shërbimet e urgjencës për studentët do të jenë falas, ndërsa për shërbimet e tjera me çmime të reduktuara.

Shëndetin e studentëve e ka marrë përsipër Spitali Amerikan. Të rinjtë që zotërojnë kartën e studentit do të kenë një sërë lehtësirash pas marrëveshjes që u nënshkrua me Bashkinë e Tiranës.

“Më mirë se të jesh student këtë vit nuk ka qenë ndonjëherë në Tiranë. Kartën studentore e kanë marrë mbi 21 mijë studentë, pra më shumë sesa 1/3”, tha Veliaj.

Kjo marrëveshje synon edhe krijimin e një kulture të re tek të rinjtë që të përkujdesen për shëndetin dhe të kryejnë kontrollet mjekësore. Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se përmes kartës së studentit, të rinjtë do të mund të marrin një gamë të gjerë të shërbimeve falas ose me çmime tepër të ulëta.

“Ajo që vlerësoj sot në marrëveshjen që firmosëm me Spitalin Amerikan është se po mundohemi që në këtë moshë të hedhim bazat e kulturës së shëndetit. Sot kemi një lajm shumë të mirë: të gjitha shërbimet e urgjencës janë falas. Kur dikush pëson një aksident, apo ka një problematikë dhe kërkon ndihmë spitalore të menjëhershme, Spitali Amerikan për studentët me Kartën e Studentit do ta ofrojë falas. Ndërkohë, për të gjithë studentët që do të marrin shërbime, siç mund të jenë analizat apo një diagnostifikim, apo mund të ketë nevojë të shtrohen në spital, spitali do të ketë një gamë nga 20-30% ulje”, u shpreh Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, e cila ju vjen në ndihmë direkte të rinjve gjatë periudhës së tyre studentore.

“Është një nismë shumë e veçantë e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, e cila ka qenë e munguar ndër vite për ta bërë studentin pjesë të rëndësishme të jetës tonë, pasi studentët janë e ardhmja e këtij vendi. Për këtë arsye, Spitali Amerikan mori angazhimin të jetë pjesë e kësaj dhe të kontribuojë me shërbime falas në sektorin e urgjencës, po ashtu me një ulje të rëndësishme në shërbimet diagnostike, që do të shkojnë në 30% për të gjithë këta, qofshin në universitetet publike dhe private. Një ulje 30% të diagnostikës dhe 20% në shërbimet e tjera spitalore”, deklaroi Allajbeu. Ai tha se Spitali Amerikan është një ndër kompanitë që ka punësim në nivelin më të lartë në vend, rreth 3 mijë, ndërkohë që vijon mbështetje edhe për punësimin e mjekëve dhe infermierëve të rinj si dhe bursa për më të mirët”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu.

Në qytetin e Tiranës, nëpërmjet kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara 21.887 studentë. Ndërkaq prej 14 Tetorit, grupet e punës janë në çdo fakultet për të pajisur me këtë kartë rreth 60.000 mijë studentë./ABC News Albania

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono