Basha publikon gazetarin që intervistoi dëshmitarin X

14:26 | 19/05/2018

Më në fund, shqiptarët kanë mundësi të mësojnë se cili është autori i audiopërgjimit. Emrin e tij vendosi ta bëjë publik personalisht kryetari i Partisë Demokratike.

Lulzim Basha: Për këtë arsye jemi sot këtu pasi kemi siguruar përmes medias dëshminë e gazetarit investigativ Jetmir Olldashi të cilën ju ftojmë ta ndiqni”.

Jetmir Olldashi punon prej 16 vitesh në media si gazetar investigativ. Intervista me Veliun është pjesë e një investigimi gazetaresk të kryer nga ai mbi drogën dhe trafikantët e drogës në qytetin e Vlorës gjatë muajve të fundit, deklaron Olldashi.

Jetmir Olldashi: Historia e këtij investigimi fillon pasi u telefonova nga një burim i cili më tha se donte të më njihte me një person që kishte të dhëna lidhur me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës. Burimi më dërgoi një numër telefoni. E kam telefonuar personin, të cilin ju tashmë e njihni me emrin Albert Veliu. Kam dëgjuar rrëfimet e tij mbi situatën e drogës në Vlorë dhe pas disa takimesh vendosa të shkoja në terren”.

Gazetari Olldashi tregon se shkoi në lokalin e Agron Xhafajt, i cili nuk ishte i pranishëm në kohën, kur ai ishte aty.

Jetmir Olldashi: “Pas kësaj, kur u larguam nga lokali, Albert Veliu telefonoi në praninë time numrin 0672014472 për të cilin më tha se është Agron Xhafaj, të cilin e thërriste “Pasha”. Numrin e verifikova në True Caller dhe rezultoi që ishte i regjistruar me emrin Goni Xhafaj! Theksoj se në të gjitha takimet i kisha dhënë një pajisje regjistruese Albert Veliut. Alberti erdhi menjëherë pas takimit me Agron Xhafaj (Gonin) dhe unë i mora pajisjen e regjistrimit të bisedës që i kisha dhënë”.

Nga zbardhja e bisedës së përgjuar që u bë publike më pas, Olldashi thotë të njëjtën dëshmi që ka dhënë edhe Albert Veliu.

Jetmir Olldashi: “Nga i gjithë investigimi kam vënë re se pavarësisht raporteve në media se janë goditur grupe kriminale, gjendja në Vlorë ishte jashtë kontrollit dhe të kërkoje kanabis ishte si të kërkoje një produkt normal”.

Për ta bërë publike audiopërgjimin, gazetari Olldashi tha se zgjodhi opozitën si të vetmen mundësi. Ai paralajmëroi gjithashtu se materiali nuk është publikuar i plotë.

Jetmir Olldashi: “Një pjesë është transmetuar nga media pas publikimit që bëri Partia Demokratike ditën e hënë. Një pjesë tjetër do të transmetohet këto ditë. E di që pas kësaj deklarate unë do të jem në epiqendër të presioneve dhe sulmeve të padrejta, për shkak se kjo çështje tashmë është në qendër të debatit publik dhe politik. Unë i kam bërë ballë këtyre presioneve dhe sulmeve që kanë nisur prej ditësh”.

Kjo deklaratë e ka bindur edhe më shumë kryetarin e Partisë Demokratike se  Agron Xhafaj është bos i drogës në Vlorë.

Lulzim Basha: “Kjo është e vërteta tronditëse për klanin mafioz Xhafaj, jo gënjeshtrat e Fatmir Xhafajt, as mashtrimet kriminale të Ramës. Ai gënjeu edhe dje paciptësisht se ekspertizën ia bëri në Surrel dhe i ka dalë false. Kur gazetarët ia kërkuan se në cilën agjenci ia ka bërë analizën, ai heshti. Ai është pjesë e këtij komploti për të mbuluar këtë histori”.

Zgjidhja e vetme është protesta tha kreu demokrat, organizimin e të cilës e ka nisur, duke takuar më herët krerët e degëve në Tiranë.

Lulzim Basha: “Ndaj më lejoni tua përsëris edhe njëherë duke cituar siç citoi dje një mik amerikan fjalët e një personalitet amerikan, Robert Kennedy; e ardhmja nuk dhurohet, ajo është në duart tona dhe e nesërmja varet nga veprimi apo mos veprimi ynë. Ju ftoj të gjithë së bashku në protestën kombëtare të shtunën në orën 11:00”.



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono



TE FUNDIT