Basha për VOA: Rezultatet e reformës në drejtësi janë akoma zero

21:04 | 12/07/2018

Kryetari i PD e ka konsideruar pa asnjë rezultat ecurinë e reformës në drejtësi, duke akuzuar mazhorancën si përgjegjëse për ritmin e ngadaltë të saj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Basha ka folur edhe për lobimin me firmën amerikanë Muzin, akuzat ndaj Taulant Ballës e çështjen e Teatrit Kombëtar.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, kryetari I PD Lulzim Basha ka thënë se mazhoranca ka kapur drejtësinë dhe kjo shpjegon edhe ritmin e ngadaltë e pa rezultat të reformës.

Basha: Vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën me këto ritme të ngadalta pasi Partia Socialiste ka hedhur poshtë kërkesën edhe të organeve të vetting-ut edhe të opozitës për t’u pajisur me një buxhet të mjaftueshëm dhe me burime njerëzore, në mënyrë që vetting-u të ecë më shpejt…. Ndaj kemi ardhur këtu: nuk kemi asnjë bandë të krimit të organizuar të çmontuar, nuk kemi asnjë kokë të krimit të organizuar para gjykatës, nuk kemi asnjë politikan të lidhur me krimin, apo të korruptuar para drejtësisë. Pra, rezultatet e reformës në drejtësi janë akoma zero.

Një ilustrim për Bashën është edhe cështja e teatrit kombëtar. Sipas opozitës ligji për teatrin është antikushtetues pasi në emër të ndërtimit të teatrit po grabitet tokë publike.

Basha: Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ky ligj nuk është gjë tjetër veçse një ligjërim i vjedhjes, një akt që legjitimon vjedhjen. Pra, vjedhja dhe korrupsioni nuk janë probleme të reja në Shqipëri, por kjo është hera e parë kur maxhoranca në parlament voton për të ligjëruar vjedhjen. Kjo përbën një precedent të rrezikshëm

Basha është pyetur edhe për lobimin me firmën amerikane Muzin Capitol për të cilën ka një hetim në Shqipëri. Kryetari i PD e ka konsideruar diversion të mazhorancës e ka përsëritur se partia që drejton nuk ka shkelur asnjë ligj e paratë janë të pastra.

Basha: Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë, që e ka publike, dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Kjo është e vërteta… E për çdo gjë tjetër ne i kemi kërkuar prokurorisë në Shqipëri dhe FBI-së në hetojnë. Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka asnjë para të pistë në këtë mes, ndryshe nga afera e famshme e thyerjes së ligjeve amerikane me foton me Obamën dhe me burimet e panjohura të parave, që paguan për këtë të tjerët. Partia Demokratike është tërësisht transparente, krejtësisht e hapur, kështu që kjo nuk është çështje. është një manovër e dobët diversioni për të tërhequr vëmendjen dhe për të kaluar Partinë Demokratike në pozita mbrojtëse, çka nuk ka për të ndodhur.

Insistimit të Zërit të Amerikës për burimin e informacionit që solli denoncimin prej Bashës të eurove në një automjet Tojota, iu përgjigj në mënyrë diplomatike, teksa theksoi se gjatë qëndrimit në Uashington ka takuar përfaqësues të administratës amerikane, të Kongresit e Senatit.

Basha: Burimi i informacionit nuk mund të jetë subjekt i një zbulimi mediatik. Ajo që iu them është se ne kemi një bashkëpunim shumë të fortë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita ka kryer detyrën e saj, unë kam kryer detyrën time si kryetar i opozitës, pikërisht për të pamundësuar që një qeveri që ka humbur besimin e partnerëve në luftën kundër krimit të mos abortojë operacione të rëndësishme, siç ka qenë rasti me Maminasin apo me Toyta Yaris-in dhe paratë e drogës, që po futeshin përmes tyre.

Basha ka shpjeguar se kontrata e re 4 mujore e lobimit me një firmë amerikane, e specializuar në veçanti sa i përket krimit të organizuar, narkotikëve dhe terrorizmit do i shërbejë hartimit të një strategjie përkatëse të vizionit të PD para qytetarëve. /abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono